28/06/2022
31.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pa maska në hapësira të hapura nga 1 qershori, dasma deri me 100 mysafirë, ora policore mbetet – propozon Komisioni për Sëmundje Infektuese

Komisioni për Sëmundje Infektuese sot në mëngjes në takim solli vendim t’i dorëzohet propozim Shtabit Kryesor Koordinues të Krizave (SHKKK) për lehtësimin e masave restriktive, informoi Ministria e Shëndetësisë, duke theksuar se kjo i referohet qetësimit të pandemisë dhe uljes së numrit të rasteve aktive nga java në javë.

Komisioni Shtabit do t’i propozojë nga 1 qershori maskat mbrojtëse të mos jenë të obligueshme në hapësirë të hapur. Maskat në të gjitha vendet e mbyllura, transportin publik dhe kudo ku mund të mos ruhet distanca e rekomanduar mbeten të obligueshme. Propozon edhe të ndalojë të vlejë ndalesa për grupim në hapësirë të hapur – gjatë grupimit të më shumë personave ngelet rekomandimi të mbahen maskat mbrojtëse, të lejohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve në hapësira të hapura me maksimum 50 për qind të kapacitetit në pjesën e hapur, por jo më shumë se 100 mysafirë. Numri maksimal i lejuar i mysafirëve në një tavolinë të jetë gjashtë.

“Ndeshjet sportive në terrene të hapura të zhvillohen me publik, por me plotësim maksimal prej 30 % të kapacitetit të stadiumit. T’u lejohet objekteve hotelierike të pranojnë gjashtë mysafirë në një tavolinë, ndërsa të gjitha restriksionet e tjera për ta mbeten në fuqi. Ora policore mbetet në fuqi”, thekson MSH.

Gjatë kësaj si edhe gjatë javës së ardhshme, Komisioni për Sëmundje Infektuese në bashkëpunim me organizatorët e ngjarjeve do të punojë në saktësimin e protokolleve për mbajtjen e ngjarjeve dhe koncerteve në hapësira të hapura ndërsa pas 15 qershorit, sipas protokolleve të dakorduara, do të lejohet edhe organizimi i një lloji të tillë të ngjarjeve.

“Gjendja është stabile, por përvoja na ka dëshmuar se shumë lehtë mund të përkeqësohet nëse nuk respektohen masat ashtu siç janë paraparë. Prandaj u bëjmë apel subjekteve ekonomike dhe qytetarëve në tërësi t’i respektojnë rekomandimet”, bën thirrje ministria resore.

Të fundit