25/04/2024
8.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pandemia nga Covid drejt qetësimit, kanë ngelur edhe 3233 raste aktive

Gjatë ditës së djeshme ishin regjistruar 467 raste të reja me KOVID-19 dhe 414 pacientë të shëruar, duke e çuar numrin total të rasteve aktive në vend në 3233. Kompetentët mbeten në qëndrimin se jemi në fazën e qetësimit të valës së katërt, ndërsa Komisioni për Sëmundje Infektive pardje doli me rekomandim të hiqen certifikatat e obligueshme për hyrje në qendra tregtare, që paraqet një hap drejt lehtësimit të kufizimeve.

Nga Komisioni rekomandojnë heqjen e certifikatave të obligueshme për prani në qendrat tregtare, gjegjësisht ku nuk është e obligueshme mbajtja e maskave. Megjithatë, siç potencoi kryetari i komisionit, Aleksandar Petliçkovski, nuk duan të hedhen poshtë të të gjitha masat, çdo ditë do të ndiqet gjendja epidemiologjike.

Gjithashtu që të ngritet imuniteti i popullsisë, që do të ishte bazë për relaksim të mëtutjeshëm të masave, tashmë ka filluar fushata për vaksinim të njerëzve nga grupet e rrezikuara.

Komisioni për Sëmundje Infektive informoi se atyre do t’u caktohen termine nëse nuk janë plotësisht të vaksinuar ose nuk kanë marrë dozë përforcuese.

Në shkolla mbetet masa e mbajtjes së obligueshme të maskave. Nga Komisioni për këtë masë nuk diskutuan në mbledhjen e fundit, por siç potencojnë, gjendja epidemiologjike në shkolla është stabile.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme ishin regjistruar 467 raste të reja me Kovid-19, nga 2.533 testet e bëra. Janë regjistruar dhjetë persona të vdekur, ndërsa janë shëruar 414 pacientë.

Nga rastet e reja, sërish më së shumti janë në Shkup 245, pastaj në Kumanovë 34, Veles 22, Manastir-20, Prilep-19.

Deri tani në vend janë bërë gjithsej 1.898.672 testime për KOVID-19.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID në vend që nga fillimi i epidemisë është 298.662, numri i të shëruarve është 286.378, numri i të vdekurve është 9.050 ndërsa numri i rasteve aktive është 3.233.

Sa i përket vendeve evropiane, Gjermania dje solli vendim t’i largojë të gjitha shtetet nga lista me rrezik të lartë kur bëhet për epideminë e koronavirusit.

Të fundit