18/04/2024
8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Partitë i fshehin financat e tyre, KE apelon për një transparencë më të madhe

Transparenca e financimit të partive politike është dekurajuese, tregon Raporti i posaçëm i Komisionit Kundër Korrupsionit për keqpërdorimet e konstatuara në financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021, i cili u prezantua javën e kaluar në seancën publike të KSHPK-së, dhe tani është në procedurë parlamentare. Antikorrupsionerët kanë hapur 54 lëndë, tre prej të cilave kanë qenë prej kundërshtimeve, gjashtë nga iniciativa personale dhe të tjerat nga kallëzues, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruan: Simona Atanasovska

Edhe pse partitë politike kanë detyrim ligjor që të publikojnë të dhënat e donacioneve dhe raportet vjetore në ueb-faqet e tyre, raporti i KSHPK-së tregon se nga gjithsej 31 parti politike që kanë ueb-faqe, vetëm shtatë i kanë publikuar ato të plota, tre parti pjesërisht, ndërsa 18 nuk kanë publikuar asnjë raport. Tre parti nuk kanë ueb-faqe aktive.

Nga analiza e donacioneve, KSHPK konstatoi se 11 persona të papunë i kanë paguar gjithsej rreth 630 mijë denarë një kandidati të pavarur. Për 54 pagesa në vlerë prej 1,34 milionë denarë nuk ka të dhëna për personat që i kanë paguar, ndërsa 48 donatorë kanë paguar 4,2 milionë denarë në shuma individuale, ndërkohë që ekziston dyshimi se personat në fjalë nuk kanë të ardhura mujore aq të mëdha. Për një koalicion 18 donatorë kanë paguar 1,68 milionë denarë, ndërkohë që ekziston dyshimi se personat në fjalë nuk kanë të ardhura mujore aq të mëdha dhe katër persona të papunë kanë paguar 400 mijë denarë.

Në raportin e KSHPK-së gjithashtu thuhet se në dhjetë vitet e fundit janë bërë 32 ndërhyrje në Kodin zgjedhor ekzistues, 14 prej të cilave janë për realizimin e reklamimit të partive, ndërsa është interesant fakti se për asnjërin nga ndryshimet e miratuara nuk janë organizuar diskutime publike.

Në Maqedoninë e Veriut, partitë janë të obliguara që në ueb faqet e tyre të publikojnë raportet financiare vjetore, llogarinë vjetore për operacionet financiare si dhe regjistrin gjashtëmujor të donacioneve. Këto dokumente, si dhe raportet financiare nga fushatat zgjedhore, partitë i dërgojnë pranë Entit Shtetëror të Revizionit, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Regjistrit Qendror, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Megjithatë, shumë shpesh partitë nuk i respektojnë këto detyrime ligjore, dhe kështu e privojnë publikun nga transparenca e nevojshme për mënyrën e financimit dhe shpenzimit të mjeteve financiare, ndërsa në të njëjtën kohë u pamundësojnë institucioneve që t’i identifikojnë veprimet e paligjshme dhe të kërkojnë përgjegjësi. E gjithë kjo kontribuon në çrregullimin e sundimit të ligjit dhe proceseve demokratike, për çka apelon edhe Komisioni Evropian.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut, në Kapitullin 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore, thuhet se partitë politike duhet të përmirësojnë proceset e tyre të brendshme demokratike.

Duhet të vazhdojnë aktivitetet për përmirësimin e efektivitetit të sistemit demokratik, si dhe transparencës në financimin e partive politike, në përputhje me rekomandimet e Grupit të Shteteve kundër korrupsionit (GRECO). Janë ndërmarrë hapa nga disa parti politike për të përforcuar procesin e tyre të brendshëm politik, por nevojiten përpjekje shtesë, përfshirë këtu edhe rritje të transparencës së financimit të partive politike, thuhet në raportin e KE-së.

Në Raport citohen të dhënat e ESHR-së, sipas të cilave në vitin 2020, 13 parti politike nuk kanë dorëzuar brenda afatit të përcaktuar me ligj një ose të tre llojet e raporteve financiare – llogaritë vjetore, raportet financiare vjetore dhe raportet nga regjistri i donacioneve të pranuara për vitin 2019. Në Ministrinë e Drejtësisë është ngritur procedurë dhe është shqiptuar masë për pezullimin e pagesës së mjeteve për financim të rregullt vjetor. Në vitin 2020 janë realizuar revizione të raporteve financiare të veprimtarisë së rregullt të katër partive politike, si dhe revizion i raporteve financiare të të 15 organizatorëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020.

Raporti thekson se Maqedonia e Veriut ka një nivel të caktuar të gatishmërisë, përkatësisht është mesatarisht e përgatitur për parandalim dhe luftë kundër korrupsionit.

Mungesa e transparencës së partive politike theksohet edhe në gjetjet dhe konkluzionet preliminare të misionit të ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Ata theksojnë se përkundër faktit se ekziston një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse për financimin e fushatës, përsëri ka disa zbrazëtira dhe mospërputhje ligjore, ndërsa institucionet përkatëse nuk kanë dhënë rekomandime.

Të fundit