VMRO-DPMNE sot në Kuvend ka dorëzuar propozim-ligj për ndryshim të ligjit për Qeveri, gjegjësisht kërkojnë që të shfuqizohet qeveria teknike sipas Marrëveshjes së Përzhinës të vitit 2015-të, njofton Portalb.mk.
“Maqedonisë menjëherë i duhen zgjedhje urgjente parlamentare. Për atë, grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicioni ka dorëzuar propozim-ligj që të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për Qeveri. Me këtë propozim-ligj, kërkojmë që të fshihen dispozitat nga ligji për mënyrën e zgjedhjes së qeverisë që parashikohet 100 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të zgjedhet qeveri e re, kalimtare. Maqedonia nuk guxon dhe nuk mund të humb asnjë ditë, dhe jo më 100 ditë qeveri teknike e cila nuk do të zgjidh asnjë prej problemeve me të cilat përballen shteti dhe qytetarët”, Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.
BDI dhe LSDM shprehen që janë “për” shfuqizimin e qeverisë teknike, por kanë vërejtje për partinë opozitare pasi që këtë nuk e ka bërë me konsensus paraprak, por në mënyrë të njëanshme, njofton Portalb.mk.
“Qeveria teknike është formuar pas Marrëveshjes së Përzhinës që të mbahen zgjedhje korrekte dhe demokratike në vitin 2016-të. Pas humbjes së pushtetit, VMRO-DPMNE ishte kundër shfuqizimit të Marrëveshjes së Përzhinës. Patjetër duhet të konstatojmë se është mirë që VMRO-DPMNE vlerëson se tani ka institucione të cilat mund të zbatojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike. Edhe pse VMRO-DPMNE thonë se propozimi nuk është kusht për zgjedhje të shpejta, është e qartë se zgjedhjet janë kusht. Kontestuese janë dy çështje, e para mënyra se si është dorëzuar propozimi, gjegjësisht për qeverinë teknike duhet të ketë konensus mes katër partive më të mëdha, dhe jo të dorëzohet në mënyrë të njëanshme dhe e dyta është koha, kur të gjithë e dimë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por të rregullta në vitin 2024 dhe ka kohë katër partitë të bisedojnë për atë”, thotë Jovan Mitrevski, LSDM.
Edhe Arbër Ademi nga BDI është në një linjë me kolegun e tij të shumicës parlamentare.
“Sot VMRO-DPMNE dorëzoi në shikim propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të ligjit për qeveri, të njëjtin po e shqyrtojmë dhe mendojmë se është e rrugës që me konsensus të propozohen zgjidhjet e këtilla ligjore, aq më tepër kur kemi parasysh se me një konsensus të gjerë nga të gjitha partitë serioze në vend, në vitin 2015/16 u bënë ndryshimet në këtë drejtim. Mendojmë se një praktikë e këtillë duhet të ndiqet, pra një konsensus ndëretnik e ndërpartiak. BDI ka arritur dakordësi si me LSDM-në ashtu edhe me VMRO-DPMNE-në për shfuqizimin e qeverisë teknike pasi që është e palogjikshme që një vend anëtar i NATO-s, vend aspirant për anëtar në BE të ketë qeveri teknike për arsye të mosbesimit ndaj institucioneve për realizim të një procesi zgjedhor. Jemi të mendimit se do të duhet që në vijim të diskutohet dhe analizohet për të arritur një konsensus të gjerë”, theksoi Ademi.
Nga Lëvizja BESA, tanimë opozitare, theksojnë se iniciativa për ndryshimin e ligjit për qeverinë, respektivisht heqjen e qeverisë teknike, është shumë e qëlluar dhe do të ketë përkrahjen e deputetëve të Lëvizjes BESA.
“Ne riafirmojmë qëndrimin tonë se shteti ka nevojë për institucione stabile, qëndrueshmëri politike dhe hapa konkret për rimëkëmbje ekonomike. Për të siguruar këtë është më se e nevojshme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, prandaj heqja e procedurave për qeveri teknike është një hap për përshpejtimin e daljes të vendit nga kriza që ka kapluar, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në afat sa më të shpejtë është zgjidhja e vetme që do sjellë ndryshim politik dhe një shumicë të re, stabile dhe me vizion të qartë për të ardhmen e vendit, gjë që kjo qeveri dhe shumica LSDM-BDI nuk ka kapacitet për të siguruar”, theksojnë nga Lëvizja BESA.
Modeli i Qeverisë së Përzhinës u aplikua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2016 si pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës. Sipas të njëjtës, 100 ditë para zgjedhjeve, partia më e madhe opozitare merr dy ministra në qeveri: Ministrinë e Brendshme dhe Punës dhe Politikës Sociale dhe tre pozita zëvendësministrash shtesë.