28/03/2024
8.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Partitë politike në Maqedoni nuk i respektojnë masat anti-covid, nuk kërkojnë certifikatë vaksinimi nëpër tubime

Dje, partitë politike filluan zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme lokale, por pa respektuar protokollet të vendosura për shkak të COVID-19.

Asnjëra nga partitë politike nuk kërkon nga qytetarët e pranishëm në tubime certifikatë vaksinimi, edhe pse këto janë ngjarje të organizuara me një numër të madh njerëzish në një hapësirë.

Sipas masave të fundit, të miratuara nga Qeveria më 24 gusht, certifikatë vaksinimi ose vërtetim për kalimin e COVID-19, është e detyrueshme për çdo lloj ngjarje në natyrë. Partitë më të mëdha, si ato në pushtet ashtu edhe opozita, nuk respektojnë masat, shkruan Telegrafi

LSDM -ja e hapi fushatën të hënën me tubime në Manastir dhe Kumanovë, dhe dje ata ishin në Shkup në Kisela Voda dhe në Ibni Pajko Park ku u promovua kandidatura për mandat të dytë e kryetarit të Shkupit Petre Shilegov. OBRM-PDUKM filloi fushatën nga Teatri Antik në Ohër, dhe dje ata kishin tubime në Strugë dhe Resnjë. BDI -ja në pushtet i filloi zgjedhjet me tubim në Gostivar, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në Shkup në sheshin “Skënderbeu”.

Në tubimet e partive politike u vu re se në asnjërin prej tubimeve, nuk kishte persona që kërkonin nga të pranishmit të tregonin certifikatë vaksinimi. Rrallë ndonjë nga kandidatët për kryetarë, këshilltarë dhe ministra apo qytetarë të pranishëm mbante maska, edhe pse përshëndeteshin dhe përqafoheshin.

Nga selia e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, për “sdk.mk”, përcjell Telegrafi Maqedni, thonë se nuk kanë kërkuar certifikata sepse nuk kanë marrë protokolle për organizimin e tubimeve nga Komisioni për Sëmundjet Infektive.

Nga BDI thanë se tubimet dhe të gjitha aktivitetet e tjera për zgjedhjet lokale organizohen dhe mbahen në ambient të hapur, respektivisht respektimin e të gjithë protokolleve shëndetësore për mbajtjen e ngjarjeve në natyrë, pa dhënë përgjigje specifike nëse kërkojnë certifikatë vaksinimi.

Ndërsa nga partitë maqedonase nuk janë përgjigjur në lidhje me çështjen e organizimit të tubimeve në kuadër të fushatës zgjedhore.

Të fundit