27/09/2022
16.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pas gjysmë viti në baltë, filluan punimet në rrugën “Strasho Pinxhur” në Tetovë, janë prerë drunjtë e vjetër

Pas gjashtë muajsh, filluan punimet për rikonstruimin e rrugës “Strasho Pinxhur”, një nga rrugët kryesore në Tetovë. Punimet për këtë rrugë filluan në periudhën parazgjedhore, por pas zgjedhjeve lokale 2021 me të ardhur në krye të komunës, Bilall Kasami ndërpreu punimet me arsyetimin se projekti i asfaltimit nuk i plotësonte kriteret. Për këtë aktivitet, janë prerë drunjtë e vjetër dhjetravjeçar, gjë që ka nxitur reagimin e nismës “Më mirë për Tetovën”, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse kjo rrugë është arterie kryesore e qytetit gjendja e saj ishte e keqe dhe jo në favor të bizneseve që operojnë përgjatë kësaj rruge.

“Do të bëhet edhe zëvendësimi i dorinjve për shkak të vjetërsisë dhe për shkak se ata dëmtojnë trotuaret. Drunjtë do të zëvendësohen me të tjerë të cilët nuk do të dëmtojnë trotuaret. U apelojmë qytetarëve që të kenë mirëkuptim, sepse rruga do të jetë e bllokuar deri në përfundimin e të gjitha punimeve. Së shpejti edhe në këtë pjesë të qytetit do ta kemi rrugën e rregulluar dhe në funksion për të gjithë qytetarët dhe bizneset që gjinden në atë pjesë”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.

Por prerja e drunjëve nuk u mirëprit nga nisma “Më mirë për Tetovën” e cila ka përfaqësues në Këshillin komunal.

“Çdo rekonstruim apo ndërtim i ri i rrugëve sipas Ligjit për Planifikim hapësinor dhe ndërtim, duhet të përgatis elaborat për ambient jetësor. Në atë elaborat verifikohet hortikultura e cila gjendet për momentin në rrugët apo bulevardet dhe kështu me radhë dhe nëse ka nevojë të nderohet diçka, nderohet në mënyrë që të refletojë ai lloj i drurit apo ai lloj i vegjetacionit, se jo çdo lloj vegjetacioni ka lidhshmërinë mes vete. Kurse këtu në këtë lloj rikonstruimi është dhënë një urdhër që deri te shkolla e muzikës të priten të gjitha drunjtë dhe më pas të mbillen fidanë të reja. Fidanet për t’u mbjellë në një rrugë të tillë e cila mbi tridhjetë vite i ka ata drunj duhet të mblidhen drunjtë që janë të kultivuara në plantazhe të ndryshme, të vjetra pesë deri në dhjetë vjet dhe efekti i ndryshimit të jetë shumë i vogël në një afat kohor shumë të shkurtë, domethënë vetëm në pranverë një muaj apo dy muaj. Ata fidanë janë të shtrenjta dhe kanë mirëmbajtje adekuate, ashtu që Komuna e Tetovës nuk duhet të veprojë në bazë të direktivave të disa kapadahijve të cilët i kanë aty në qytet apo të inspektoratit që ka sjellë vendim se duhet të priten ato drunj, inspektorati mund të sjellë vendim por duhet të rishqyrtohet nga njerëz të cilët janë të thirrur për atë obligim.“, tha Hamdi Sulemani.


Prerja e drunjve nuk u prit mirë as nga nisma “Tetova do Park”.

“Gjatë ditës përfaqësues të iniciativës sonë do të zhvillojnë një takim me kryetarin e Komunës së Tetovës, Biljal Kasami, për të cilin paraprakisht është rënë dakord me kërkesën tonë. Duam të dënojmë ashpër publikisht masakrën e ndodhur mëngjesin e sotëm mbi pemët në rr. “Strasho Pinxhur”, dhe reagimet e qytetarëve do t’i përcjellim në takim”, informuan nga “Tetova do Park”.

Ende nuk dihet se kur do përfundojnë punimet, sa do kushtojë projekti dhe kush do i kryejë punimet. Para se komuna të njoftojë për fillimin e punimeve, Portalb.mk në mëngjes u drejtua tek ata me këto pyetje por përgjigje nuk morëm.

Të fundit