25/04/2024
7.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pas presionit publik hiqet emri i donatorit te pllaka e Nënë Terezës

Hiqet emri i donatorit nga Pllaka përkujtimore e Nënë Terezës në sheshin e Shkupit. Pllaka në të cilën ishte shkruar emri I donatorit, Enver Maliqi është hequr mesiditën e së enjtës nga dy persona, ndërsa ngjarja është filmuar nga kamera e gazetës LAJM, përcjell INA.

Zbulimi i kësaj pllake në 110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, u prit me reagime të shumta pasi në të ishte shkruar edhe emri i donatorit që kishte financuar vendosjen e saj. Kritikat më të ashpra iu adresuan Drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërorë të Shqiptarëve të Maqedonisë, Skender Hasani, duke e akuzuar se po keqpërdor emrin e shenjtores shqiptare për qëllime partiake.

Por, pas shpalosjes së pllakës përkujtimore ashpër ka reaguar gazetarja Diana Toska, ideatorë i himnit për shenjtoren Nënë Tereza. Ajo vlerëson se pllaka në fjalë nuk ka koncept ideor e as estetik, duke shtuar se për shkak të shenjtërimit të saj në vitin 2016 është dashur të shkruhet Shën Tereza dhe jo vetëm Nënë Tereza. Madje, ashpër ka reaguar edhe për vendosjen e emrit të donatorit në pllakën përkujtimore.
“Të vendosësh emrin e një donatori në pllakë të një Shenjtore është papjekuri është një presedan që do të hapë probleme të mëtejme… Ky trajtim i padinjitetshëm nuk mund ti falet as Qytetit të Shkupit e më se paku një Instituti që politizon figurën e Shën Terezës. Turp! Njëjtë ashpër kam reaguar edhe para dy muajve kur është vendos kjo pllakë. Skender Asani, me ka thënë se kjo pllakë është e përkohshme dhe se do të punohet një pllakë tjetër…. por fatkeqësisht asnjë vërejtje e imja nuk është përfill”, ka deklaruar Diana Toska.
Pllaka përkujtimore u shpalos në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën e saj me rastin e 110 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. /Gazeta LAJM/

Të fundit