17/04/2024
12.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pas tekstit të Reutersit – Franca dhe Holanda sigurojnë se janë “për” fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut

Franca dhe Holanda thonë se mbeten të mendimit se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Kjo është pjesë e përgjigjes nga ambasadat e dy vendeve në Shkup, për pyetjen e “360 gradë”, pasi dje Reuters, duke cituar burime diplomatike, njoftoi se BE-ja, në pritje të Samitit me vendet e Ballkanit në Slloveni, nuk mund të harmonizohet për të konfirmuar garancinë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tre janë apostrofuar si më të përmbajturat, transmeton Portalb.mk.

“Shtetet anëtare të BE -së nuk po zbulojnë pozicionet e tyre, por vendet e pasura veriore si Danimarka, Franca dhe Holanda kanë frikë nga përsëritja e pranimit të nxituar të Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe menaxhimi i dobët i migrimit të punëtorëve nga Evropa lindore në Britaninë e Madhe ka bërë që shumë britanikë të kthehen kundër BE -së”, shkroi mes tjerash Reuters.

“360 gradë” ua drejtoi të njëjtën pyetje ambasadave të Francës dhe Holandës në Shkup dhe Danimarkës në Beograd (që mbulon edhe Maqedoninë e Veriut):

“Në një artikull të botuar nga Reuters me titull “BE nuk mund të rreshtohet për garantimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit” përmend Danimarkën, Francën dhe Holandën si shtete anëtare që kundërshtojnë përsëritjen e premtimeve të bëra për vendet e Ballkanit Perëndimor në Selanik në vitin 2003. A mund të konfirmoni se ky është pozicioni i qeverisë suaj?”

Holanda: Maqedonia e Veriut është e përgatitur për negociata

Nga Ambasada holandeze u përgjigjën se Holanda është e përkushtuar ndaj perspektivës së BE -së të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim të mirë në vitet e fundit dhe janë gati të fillojnë negociatat e pranimit. Konferencat e para ndërqeveritare për të dy vendet mund të mbahen pas miratimit të kuadrit negociues. Holanda mbetet partner i rreptë, i barabartë dhe i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut dhe do të vazhdojë ta mbështesë procesin e reformave për të ndihmuar në përmirësimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtave të njeriut”, shkruan në përgjigjen e ambasadës holandeze.

Franca: Presidenti Macron e tha qartë se Maqedonia e Veriutduhet duhet të hyjë në BE

Përgjigja nga Ambasada e Francës i referohet deklaratës së Presidentit Emanuel Macron para takimit me Kryeministrin Zoran Zaev në qershor të këtij viti.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ambasadori Bomgartner thekson se qëndrimi i Francës u tha nga Presidenti Emmanuel Macron më 10 qershor në Paris, në një takim me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës franceze.

Macron atëherë tha se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë negociatat e anëtarësimit pa vonesë dhe të bëhet anëtare e BE.

“Maqedonia e Veriut duhet të hyjë në BE dhe e dini që Franca ju mbështet plotësisht në atë rrugë. Ndonjëherë, mund të keni menduar se jemi partner i vështirë që kërkon shumë, por unë dua të jem partner i sinqertë dhe kur angazhohemi në një rrugë, duhet të jemi të qartë se ku duam të shkojmë dhe nuk duam ta lëmë vendin 5-10 vjet në një rrugë që atëherë do t’i dukej e pamundur. Unë mbështes aktivisht gjetjen e një kompromisi me Bullgarinë. Lidhur me reformat e rëndësishme që janë zbatuar nën udhëheqjen tuaj që nga viti 2017, vendi juaj meriton, pa pritje, fillimin e negociatave të anëtarësimit”, tha presidenti Macron më 10 qershor para takimit me Kryeministrin Zaev.

Nga ambasada e Danimarkës deri në këtë moment nuk kanë dhënë përgjigje.

Çështja e procesit të zgjerimit është problematike në prag të Samitit BE-Ballkan Perëndimor, i cili do të mbahet javën e ardhshme, më 6 tetor, në Slloveni, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.

Sipas Reuters, BE në takim planifikoi të përsëriste mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por midis shteteve anëtare akoma nuk është arritur pajtim për këtë formulimin.

Bullgaria nga fundi i vitit 2019, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Të fundit