28/03/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pasiguri e madhe, veturat e zyrtarëve digjen para shtëpive, hetimet bëhen hi i çon era nuk shihen askund!!!

Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në gjitha sferat, në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë. Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë. Gjurmë të tjera nuk vërehen jo se vrasësit janë ekspert por se ekipet hetuese nuk e bëjnë punën e tyre si duhet. Kjo gjë është vërtetuar vërtetohet shumë herë. Nga ana tjetër vetëm përbrenda javës janë djegur dy vetura të zyrtarëve, para tre ditësh para shtëpisë ia dogjën veturën komandantit të burgut të Idrizovës, ndërkaq dje në mbrëmje iu dogj vetura edhe zëvendës drejtorit të burgut të Idrizovës. Për çfarë sigurie flitet kur zyrtarët janë të pa sigurt, si ka mundësi që qytetarët të ndihen të sigurt? Kjo është tmerruese, madje komandanti i burgut të Idrizovës ka vë në dilemë nëse do të vazhdojë të jetojë ende në këtë vend, ku siguria është zero, ta djegin veturën para shtëpisë dhe autorët mund të vijnë në mëngjes edhe ta shohin nëse është djegur tërësisht. Kjo është siguria në këtë vend, hetime deklarative pa masë, në praktikë nuk zbulohet asgjë. Kjo nxjerrë në pah edhe dëshpërimin e të rinjve që nuk e kanë brengën vetëm të punësimit, e as që mendojnë për luks, por duan dhe kanë të drejtë që të jetojnë në një vend ku ndihen të sigurt, shkruan Zhurnal.

Në RMV qytetarët ndjehen të pasigurt sepse ndodhin vrasje, digjen vetura edhe të zyrtarëve autorët nuk zbulohen–

Siguria është njëri nga kushtet themelore që duhet plotësuar për të garantuar një mirëqenie të mirë sociale. E për këtë pjesë ekzistojnë edhe organet e sigurisë që me kompetencat e tyre duhet ta garantojnë një gjë të tillë. Por, në Maqedoninë e Veriut ngjanë sikurse këto organe janë në gjumë e pasive në funksionim. Pasi ndodhin raste të shumta por përfundojnë pa zbardhje dhe pa asnjë epilog dhe kjo krijon ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te qytetarët.

Tre ditë më parë, rreth orës 22:30, në një ndër pjesët më të frekuentuara të lagjes, i vihet flaka veturës së Afrimi Rexhepit, komandantit në burgun e Idrizovës. Vetura është tërësisht e shkatërruar dhe nuk mund të riparohet. Rexhepi, siç përcjell KlanM, është i mendimit se shkaktar për ndezjen e veturës së tij mund të jenë zënkat që ka pasur me të burgosurit.

”Unë kam pas mosmarrëveshje me disa të burgosur në burgun e Idrizovës, për shkak se e kam kryer punën time me nderë dhe me profesionalizëm maksimal. Për ata që më njohin, e dinë se jam profesionist dhe nuk jam njeri që jam i korruptuar apo kriminel. I kam penguar krimit dhe për këtë shkak ma kanë bërë këtë dëm”, deklaroi Afrim Rexhepi.

Afrim Rexhepi nuk ndjehet më i sigurt dhe po mendon edhe të largohet nga shteti –

”Si polic zyrtar mendoj që kur neve na ndezin veturat e tona këtu mendoj se është cenuar siguria e shtetit. E çka të flasim për qytetarët e thjeshtë? Këtu nuk bëhet fjalë për Afrimin. Unë nuk kam pas problem personal, kam pas problem institucional. Në këtë moment është sulmuar institucioni, jo Afrimi. Nuk jam vetëm unë i shqetësuar, është tërë familja. Mi ka shqetësuar fëmijët, prindërit kështu që mendoj që me të vërtetë duhet mirë të analizohet thellë që a do të vazhdoj më tutje me punën apo do ta lë” tha Afrim Rexhepi.

Autorët e këtij zjarri janë ndjerë jashtëzakonisht të sigurt meqë në orët ku frekuentimi është jashtëzakonisht i lartë në lagjen ku ka banuar zyrtari policor ia kanë vë flakën veturës. Pra, në këtë vend kriminelët janë të sigurt për të bë krime, ndërkaq qytetarët vazhdojnë të jetë të pa sigurt për të jetuar.

Mbase djegia e kësaj veture nuk është rast i parë, e që nuk mbeti as i fundit pasi dy ditë më vonë përkatësisht dje po në formën e njëjtë është vepruar edhe ndaj zëvendës drejtorit të burgut të Idrizovës,

Digjet vetura zyrtare e zv/drejtorit të burgut të Idrizovës, Femi Jonuzit –

Dje në mbrëmje është djegur vetura zyrtare zv/drejtorit të Burgut të Idrizovës, Femi Jonuzi. Burime të Alsat thonë se ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes. Ky është rasti i dytë që brenda një javë u digjen automjetet zyrtarëve të punësuar në burgun e Idrizovës.

Pra, pas rastit të parë ndaj komandantit të të njëjtit burg, brenda javës është vepruar edhe ndaj zëvendës drejtorit. Kjo nënkupton që ata nuk e kanë ndërmend të ndalen, sepse po e shohin dhe janë të sigurt që organet hetuese janë ndalur së punuari. Sepse, nëse punojnë organet e hetuesisë e sigurisë këto gjëra nuk do të ndodhnin. Përderisa nuk janë ndërmarrë hapa për zbardhjen e djegies së veturës së parë, kriminelët me shpejtësi vazhdojnë drejtë djegies së veturës së dytë. Tani nuk dihet cila veturë është në radhë.

Kujtojmë edhe mbrëmjen e 6 marsit, Jeton Krivanjeva i njohur me nofkën “Zhilla” dhe Enes Isejni, i njohur me nofkën “Llaci”, mbetën të vrarë në hapësirat e një lokali në afërsi të Kalasë në Çarshinë e Shkupit, kur ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri pesë persona të maskuar, të cilët më pas janë larguar në drejtim të panjohur. Gjatë të shtënave është plagosur rëndë edhe A.T. që punonte si kamerier në këtë lokal. Ky rast ende nuk është zbardhur, mbase si shumë raste të tjera edhe ky do të mbetet nën hijen e hetimeve që janë pa afat e pa limit, zgjatin deri në pafundësi.

Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. Por më e rëndësishmja, ripërsërisim, mbetet siguria, dhe kur policët dhe zyrtarët nuk janë të sigurt në këtë vend çfarë të bëjnë qytetarët e mjerë? /Zhurnal.mk

Të fundit