24/04/2024
6.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pendarovski me rastin e 30 vjetorit të ARM-së: Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rrezikun e dezinformatave dhe propagandës

Krahasuar me fillimet, sot kemi një Armatë profesionale numerikisht më të vogël, por shumë më efikase, e cila është shumë më mirë e pajisur dhe e gatshme për t’u përballur me kërcënimet e reja asimetrike dhe hibride të shekullit të 21-të, tha Presidenti dhe Komandanti i Përgjithshëm. i Forcave të Armatosura Stevo Pendarovski në forumin e djeshëm me të cilin filloi shënimi i jubileut të madh – 30 vjet nga formimi i Armatës së Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Kreu i shtetit shtoi se shembulli i Ukrainës na tregon që kërcënimet klasike ushtarake mbeten të pranishme dhe se kohët e reja sjellin sfida të reja sigurie, të cilat nuk duhet t’i shpërfillim. Në këtë kontekst, theksoi Pendarovski, të gjithë jemi të vetëdijshëm për rrezikun e dezinformatave, lajmeve të rreme dhe propagandës politike që synojnë destabilizimin e demokracisë si sistem.

“Që të jemi të gatshëm për t’u përballur edhe me kërcënimet tradicionale edhe ato të reja, ne do të vazhdojmë të investojmë në mbrojtje për të arritur pragun prej 2% të PBB-së, në përputhje me standardet e NATO-s”. Do të vazhdojmë me reformat e mbrojtjes, modernizimin dhe pajisjen dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit tonë të sigurisë, veçanërisht ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike dhe luftën kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Gjithashtu do të vazhdojmë të kontribuojmë në sigurinë dhe mbrojtjen kolektive duke marrë pjesë në misione me aleatët tanë… Pjesëtarët e Armatës do të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim si më parë të përmbushin detyrën e tyre kushtetuese për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin tonë territorial, si parakusht për paqen, sigurinë dhe zhvillimin demokratik të shoqërisë multietnike të Maqedonisë. Në këtë kuptim, qytetarët e Maqedonisë, mund të jenë plotësisht të qetë”, vuri në pah Presidenti Pendarovski.

Ai shtoi se në historinë tonë të re kemi pasur disa vendime të rëndësishme strategjike, edhe pse, për fat të keq, shumë vendime kanë qenë të nxituara dhe populiste. Si një nga vendimet më të mira pas një konsensusi të gjerë mbipartiak dhe shoqëror për më shumë se tre dekada, Presidenti e vlerësoi këmbënguljen në orientimin tonë euroatlantik, duke thënë se në këtë periudhë të tensioneve të mëdha gjeopolitike dhe konflikteve ushtarake, anëtarësimi në NATO është faktor i rëndësishëm stabilizues për Maqedoninë e Veriut.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe 30-vjeçare, Armata ka qenë gjithashtu e përfshirë në sfidat kryesore me të cilat përballet vendi, si kriza e Kosovës e vitit 1999, konflikti ushtarak i vitit 2001 dhe kriza e emigrantëve të vitit 2015. Armata përfshihej dhe ndihmonte në kriza dhe emergjenca të ndryshme, që nga përballja me fatkeqësitë natyrore dhe zjarret, deri te pandemia e Kovid-19”, theksoi Pendarovski.

Fatkeqësisht, theksoi ai, sikurse 30 vjet më parë, Evropa dhe bota kanë hyrë sërish në një periudhë pasigurie të madhe. Pas pandemisë që pati jo vetëm pasoja shëndetësore, por edhe ekonomike e sociale, me agresionin rus ndaj Ukrainës, siguria u shndërrua në të njëjtën kohë në krizë refugjatësh, humanitare dhe energjetike.

“Po i ndjekim me vëmendje të veçantë ngjarjet në Ukrainë dhe, brenda mundësive tona si anëtare e NATO-s, po ndihmojmë në mbrojtjen e vlerave demokratike të botës së lirë. Që në ditën e parë, e dënuam agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe treguam solidaritet me popullin dhe shtetin ukrainas. Njëkohësisht jemi të gatshëm të mos lejojmë asnjë ndikim indirekt e aq më pak përfshirje direkte të palëve të treta në vendin tonë dhe në këtë drejtim jemi të vendosur të qëndrojmë deri në fund”, tha kreu i shtetit.

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska theksoi se gjatë tri dekadave të fundit ka pas një sërë uljesh dhe ngritjesh, por edhe punë të përkushtuar në zbatimin e reformave në sektorin e mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse, ashtu që më 27 mars 2020, vendi e përmbushi prioritetin e tij të kahershëm në politikën e jashtëm – anëtarësimin në Aleancë. Me atë fituam garanci bindëse sigurie në një mjedis sigurie të kësaj kohe që është jashtëzakonisht kompleks, dinamik dhe paparashikueshëm.

“Lirisht mund të them se anëtarësimi në Aleancë erdhi në kohën e duhur. Viti 2020 do të mbetet i shënuar si viti i pandemisë me Kovid-19, që e dëshmoi solidaritetin e të gjithëve në përballjen me kërcënime të tilla dhe anëtarësia konfirmoi se solidariteti është i pranishëm edhe në kushte kur nuk po flasim vetëm për sigurinë. Megjithatë, viti 2022 e tregoi realitetin e vrazhdë të rreziqeve të reja të sigurisë, kërcënimeve dhe sfidave jashtëzakonisht serioze dhe të paimagjinueshme se mund të ndodhin pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, por edhe nga ngjarjet në ish-Jugosllavi. Ngjarjet në Ukrainë na rikujtuan se lufta në tokën evropiane nuk ka përfunduar, ndërsa paqja nuk është e garantuar,” tha Petrovska.

Në përputhje me zotimet nga Samiti i NATO-s në Uells në vitin 2014, ajo shtoi se çdo shtet anëtar duhet të investojë së paku 2 për qind të PBB-së, nga të cilat së paku 20 për qind duhet të ndahen për blerje të pajisjeve dhe modernizim, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut është një hap afër arritjes së këtij niveli, shtoi ajo.

“Këtë vit buxheti është 1,77 për qind e PBB-së. Është e sigurt që deri në vitin 2024 do ta arrijmë, por më e rëndësishmja, 30 për qind e këtij buxheti shkon për pajisje dhe modernizim. Sipas Agjendës së NATO-s 2030, si dhe zhvillimeve të reja të sigurisë në tokën e Evropës, është e qartë se vetëm me investime afatgjata në mbrojtje do të jemi në gjendje të përmbushim realisht detyrimet tona dhe të riafirmojmë prioritetin tonë si një aleat i barabartë”, tha ministrja e Mbrojtjes.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtënant Vasko Gjurçinovski theksoi se 28 marsi është një ditë e madhe historike për pjesëtarët e Armatës, ditë kur 30 vjet më parë zyrtarisht dhe ligjërisht Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë filloi të kryejë funksionet dhe përgjegjësitë e veta kushtetuese ligjore.

“Në vitin 1992, Armata e formoi themelin bazë mbi të cilin pa u lodhur dhe me përkushtim filloi të përmirësonte strukturën dhe funksionalitetin e saj. Me këtë e përmbushi plotësisht detyrën e dhënë nga kryesia shtetërore dhe tregoi se me të drejtë është një nga shtyllat kryesore mbi të cilat është vendosur shtetësia jonë”, theksoi Gjurçinovski.

Ai shtoi se Armata, si subjekti më i rëndësishëm në sistemin e mbrojtjes së Republikës, në këto 30 vite ka ditur gjithmonë të mbledhë prioritetet në ndryshimet strukturore.

“Konstatimi i lidershipit të Aleancës se i kemi përmbushur kushtet e nevojshme për integrimin e plotë ushtarak në NATO në një kohë rekord është dëshmi se jemi në gjendje të përfshijmë mësimet e nxjerra dhe të zotërojmë proceset e transformimit në një mënyrë që konfirmon suksesin”, theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Ministri i parë i Mbrojtjes, Trajan Gocevski në fjalimin e tij në tubim theksoi se historia është një proces shumë interesant dhe se për vendin tonë ka qenë gjithmonë një proces i veçantë.

“Më 27 mars 1992 ushtari i fundit i Armatës së atëhershme u largua nga territori ynë dhe më 28 u bëmë sovran në territorin tonë. Më 27 mars 2020, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s njoftoi se Maqedonia e Veriut është anëtarja e 30-të e NATO-s. Këto dy ngjarje janë me rëndësi të madhe për vendin tonë, sepse përkojnë me përvjetorin aktual të sistemit të tij mbrojtës”, tha Gocevski.

Të fundit