29/03/2024
9.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pendarovski: Nuk përmbyset shteti nëse i fusim bullgarët në Kushtetutë

Presidenti Stevo Pendarovski sot potencoi se përmes përfaqësuesit të tij merr pjesë në grupin e punës për ndryshime kushtetuese dhe se kjo e tregon qartë qëndrimin e tij politik, se është pro ndryshimit të Kushtetutës me futjen e bullgarëve në të.

“Unë marr pjesë përmes përfaqësuesit tim dhe me këtë e tregoj qartë qëndrimin tim politik, se jam pro këtyre ndryshimeve kushtetuese, vlerësoj se nuk janë diçka e tmerrshme për ne dhe vlerësoj se nuk përmbyset shteti nëse i fusim bullgarët, së bashku me gjashtë – shtatë popujt e tjerë”, tha shefi i shtetit, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me takimin e parë të grupit të punës, në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu

Pendarovski lidhur me takimin e sotëm të grupit të punës, tha se përfaqësuesi i tij do të marrë pjesë në sesionin e punës së grupit të formuar nga Ministria e Drejtësisë, në të cilën siç potencoi duhet të përcaktohet dinamika e punës, sa takime janë të nevojshme, të përcaktohet radha e punëve.

“Unë shpresoj se duke e pasur parasysh atë që është obligim, të cilin e di opinioni dhe të gjithë ne e dimë këtu objektivisht nuk ka shumë punë. Nuk e di se sa seanca do t’u nevojiten, por është fakt se është mirë që fillon kjo procedurë dhe është mirë që zhvillohet para syve të opinionit, këtu nuk ka agjenda të fshehta, askush të mos ketë frikë se do të bëhet diçka jashtë asaj që tashmë është vendosur në Preambulë dhe në pjesën normative të Kushtetutës për të gjitha bashkësitë e tjera etnike. Dallim nuk do të ketë për bullgarët kuptohet”, potencoi presidenti i shtetit.

Anëtarë të tyre në grupin e punës nominuan një pjesë e partive politike dhe institucioneve. LSDM si përfaqësuese të vetën e propozoi Cvetanka Ivanova, Arbër Ademi nga BDI-ja, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët, Sonja Mirakovska nga PRSD-ja, Nano Ruzhin nga PLD-ja, Hrista Najdanov nga RDM-ja, Temellko Risteski nga Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqi nga PDSH-ja, Eran Kurtish nga Partia për Lëvizjen e Turqve dhe Bejxhan Iljas nga Partia Demokratike e Turqve.

Nga institucionet janë propozuar Aleksandar Spasov nga Kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Tilev nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ministria e Drejtësisë javën e kaluar e publikoi ekipin e ekspertëve të cilët do të marrin pjesë në grupin e punës për ndryshime kushtetuese. Grupin e ekspertëve e përbëjnë: Sali Muratit – ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska – ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Bajram Pollozhani – ish – gjyqtar kushtetues dhe profesor i së Drejtës kushtetuese, Branko Naumovski- ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Shasivari – profesor në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), Ana Çupeska- profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë”, Elena Mihajllova Stratillati – profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë”, Besa Arifi – profesoreshë në Universitetin e EJL-së, Jagoda Mitrevska – profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar të Sllav dhe Marija Pandevska – profesoreshë në Institutin e Historisë nacionale.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se lista e grupit të punës do të plotësohet në periudhën vijuese edhe me anëtarë të tjerë të cilët do të japin kontributin e tyre në përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese.

Pasi që të përgatiten ndryshimet, propozimi pritet të kalojë nëpër të gjitha trupat punues në korniza të Kuvendit. Paralelisht do të mbahen edhe diskutime publike në të cilat ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera do të mund t’i shprehin qëndrimet e tyre.

Partitë opozitare, në mesin e së cilave edhe partia më e madhe VMRO-DPMNE, edhe krahas thirrjeve të pushtetit, refuzojnë të marrin pjesë në grupin e punës. Mbeten me qëndrimin se nuk do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe se ato nuk do të sillen gjatë kësaj përbërjeje parlamentare.

Të fundit