03/02/2023
1.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pendarovski: Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim i anëtarësimit në BE, por instrument për anëtarësim më të shpejtë

Presidenti Stevo Pendarovski sot foli në konferencën “Procesi i Berlinit 2022 – Bashkëpunimi i intensifikuar: Procesi i rinovuar i Berlinit dhe e ardhmja e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore”, organizuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert”, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Federale Gjermania në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pendarovski tha se riaktualizimi i procesit të Berlinit me një program të ri pune është një lajm i shkëlqyer, por se ky proces nuk nënkupton zëvendësimin e procesit të antarësimit të plotë në BE, transmeton Portalb.mk.

“Nga kjo pikë dua t’i përsëris shkurtimisht. Së pari, të gjashtë vendet nga Ballkani Perëndimor marrin pjesë në Procesin e Berlinit, i cili arrin përfshirjen reale dhe shmang mundësinë që dikush të margjinalizohet ose të izolohet nga procesi. Së dyti, procesi i Berlinit është një nismë e përbashkët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila është shumë domethënëse për nga përgjegjësia për funksionimin e tij, sepse aktiviteti i tij monitorohet në drejtim të zbatimit të standardeve dhe rregullave evropiane. Dhe së fundi, por më e rëndësishmja, procesi i Berlinit nuk është zëvendësim i anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, por instrument për anëtarësimin më të shpejtë të të gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian”, deklaroi Pendarovski.

Ai tha se panua e zyrës së “Friedrich Ebert” dhe Ambasadës Gjermane, si dhe vizita e përfunduar së fundmi e presidentit gjerman Steinmeier në Republikën e Maqedonisë së Veriut, tregojnë qartë interesin e ri dhe entuziazmi nga ana e Bashkimit Evropian, jo vetëm nga Gjermania, dhe nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të vazhduar në atë rrugë, sepse iniciativat rajonale të këtij lloji, për shkak të pikave të tyre të referencës nga e kaluara dhe për shkak të planeve të fundit që u prezantuan më pak se dy muaj më parë, konfirmojnë se kjo është mënyra më e shpejtë për të mbledhur të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pas të njëjtës kauzë – integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

“Sot pres një diskutim të frytshëm dhe rekomandime të dobishme e praktike nga ana juaj për këtë proces, këtë sipërmarrje të përbashkët në të cilën jemi të gjithë së bashku për ta bërë më të shpejtë, më efikas, në interes të të gjithë neve, që jetojmë jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Pendarovski.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Të fundit