20/04/2024
6.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Për Kodrën e Diellit premtimet janë të nxehta e realizimet të ftohta!

Politikanët tanë e kanë kuptuar se është e lehtë të premtosh, e më e lehtë se kjo për ata është të mos realizosh, sepse në këtë vend askush llogari nuk të kërkon. Zakonisht qendrat turistike si kjo e Kodrës së Diellit më shumë vizitohen e flitet për to gjatë sezonës së dimrit, por te ne është ndryshe kjo qendër vizitohet e për të flitet më së shumti gjatë fushatave zgjedhore, ku mbase është edhe një ndër premtimet kryesore që e hapin fushatën gojën plotë investime milionëshe që të zhvillojnë edhe më shumë turizmin në këtë qendër turistike. Por sa të përfundojnë zgjedhjet, ato premtime sikurse të kenë qenë të akullit dhe të lihen në diell, asgjë konkrete nuk ndërmerret. Kush ka mundur ka premtuar, tani i erdhi radha e Naser Nuredinit, me një premtim megaloman me një projekt ambicioz, vlera e të cilit kap 186 milionë euro, shkruan Zhurnal.

Kodra e Diellit ka qenë pjesë e premtimeve gjatë fushatave zgjedhore pothuajse për të gjithë partitë politike në vend, posaçërisht atyre shqiptare sepse bëhet fjalë për në Tetovë, premtime për investime milionëshe, në praktikë zero investime. Ndërtimi i teleferikut me gjashtë ulëse u premtua nga viti 2012, por që procedurat për të u zvarritën për dy vite dhe ndërtimi i saj filloi në vitin 2014-2015, ndërkaq finalizimi ishte në vitin 2021, pra janë nevojitur 9 vite që një teleferik të funksionalizohet, edhe përkundër kësaj vonese të tepruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, atë kohë pati deklaruar se nuk ka pasur asnjë vonesë në procedurë dhe ndërtimin e saj.

Kodra e Diellit është qendër që ka potencial të fuqishëm turistik dhe ekonomik, por fatkeqësisht kjo zonë ka mbetur e pazhvilluar si pasojë e mungesës së investimeve nga ana e shtetit, për të cilën nuk ka një plan të ri urbanistik, por ai që ekziston aktualisht është i stërvjetruar, kjo tregon për një mospërfillje totale nga ana e shtetit për këtë potencial të artë për turizmin dhe ekonominë e vendit. Kodra e Diellit ka probleme të shumta infrastrukturore, si problem me parkingjet, kanalizimet, ndërtimet pa leje, mungesë të fizibilitetit, problem me çështjet pronësore, dhe shumë probleme të tjera.

Për Kodrën e Diellit gjithkush premtoi, por ishin premtime që i bartë era!

Premtimet për investime në Kodrën e Diellit datojnë që nga vitit 2012 kur kryeministri i asaj kohe, Nikolla Gruevski, njoftoi për një investim 30 milion euro i cili do të kalonte në disa faza, për të cilin ishte paraparë edhe hapja e një tenderi ndërkombëtarë për tërheqjen e investimeve të huaja. Ish-Presidenti, Gjorgje Ivanov, dhe ish ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, në vitin 2013 njoftuan për një investim të biznesmenëve nga Katari në këtë zonë, por që ishte vetëm një deklaratë e zakonshme, që madje as nuk pritej diçka konkrete.

Avazi i premtimeve vazhdoi edhe me pasuesin e Gruevskit, ish kryeministri, Zoran Zaev, dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, patën njoftuar se me një partneritet publiko-privat do të investohen 100 milion euro në Kodrën e Diellit, ku 50 milion do të investojë shteti dhe 50 të tjera kompania investuese, ku kësaj të fundit i jepet edhe koncesion i kësaj qendre për 99 vite. Por, edhe ky premtim sikurse ato paraprake kaloi pa u parë asgjë konkrete në vepër e në praktik, me problemet e njëjta vazhdon të përballet kjo qendër turistike.

Tani radhën për premtim për investime në Kodrën e Diellit e ka Naser Nuredini-

Bëhet fjalë për një partneritet strategjik me qendrën e skijimit Kodra e Diellit me një projekt ambicioz, vlera totale e të cilit është 186 milionë euro dhe që përfshin rinovimin e objekteve ekzistuese, instalimin e sistemit të borës artificiale, zgjerimin e zonës ekzistuese të skijimit me objekte dhe shtigje të reja, rinovim dhe zgjerimi i hoteleve, ndërtimi i objekteve të reja hotelierike, ndërtimi i parkingjeve të asfaltuara, shtigjeve për biçikleta dhe krijimi i aktiviteteve të reja rekreative, me të cilat kjo qendër do të ketë mundësinë të llogaritet ndër qendrat më moderne evropiane dimërore.

“Investimi duhet të realizohet duke filluar nga viti 2023 dhe do të realizohet në 6 faza investimi, e para prej të cilave kap shumën rreth 55 milionë euro”, ka thënë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Ai tregon se ka një ofertues serioz për zhvillimin e ski-qendrës Kodra e Diellit.

“Tani mund të ndajmë informacionin se kemi marrë një ofertë serioze nga kompania e njohur evropiane nga Tiroli i Jugut, “TehnoAlpin”, e cila është lider botëror në prodhimin dhe instalimin e sistemeve të borës artificiale, një ekspert i njohur në projektimin e fushave dhe terreneve të skijimit dhe me përvojë 30 vjeçare, 16 filiale në mbarë botën dhe 600 punonjës. Kjo kompani, pas hulumtimit ofroi një plan ambicioz për zhvillimin, inovacionin dhe rritjen e qendrës së skijimit Kodra e Diellit që karakterizohet nga modernizimi i zonës ekzistuese të skijimit dhe zgjerimi i saj territorial, përmirësimi i infrastrukturës parësore të nevojshme për zhvillimin e zonës, me përmirësimin sasior dhe cilësor të aktivitetit akomodues turistik, me përfshirjen e kapaciteteve të reja për përshtatjen e ofertës turistike me kërkesat aktuale të tregut turistik dhe zgjerimin e tij”, thotë Nuredini.

Megjithatë, ky nuk është premtimi i parë e me shumë gjasë as i fundit që bëhet nga ky ministër, para tij ka pasur një varg premtimesh të tjera, që ende kanë mbetur sio të tilla vetëm premtime. Por, ajo që është e domosdoshme është fakti që tani më është koha që t’i kushtohet një rëndësi e veçantë kësaj qendre turistike për të ngritur numrin e turistëve që do ta vizitojnë dhe kjo ndikon dukshëm edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. /Zhurnal.mk

Të fundit