28/03/2024
10.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Për ndërtimin e impiantit për trajtim të ujërave të zeza në Shkup janë të interesuara ndërmarrje

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve për parakualifikim për përzgjedhje të ofertuesit më të volitshëm për ndërtim të impiantit për trajtim të ujërave të zeza në Shkup përfundoi dje. Nga NP “Ujësjellës Kanalizime”, si investitor, thonë se janë dorëzuar aplikime nga 12 kompani ose konsorciume të interesuara për ndërtimin e objektit kapital me vlerë prej 136 milionë euro, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

“Jam krenar që po shkruajmë një faqe të re në historinë e Shkupit”, tha Dushko Veskovski, drejtori i përgjithshëm i NP “Ujësjellësi dhe kanalizime”.

Nga kompania theksojnë se aplikuesit që kanë parashtruar vetëm aplikacion elektronik, do të duhet që deri më 14 tetor ta paraqesin atë në formë të shtypur.

Faza e parakualifikimit është fillimi i procedurës përmes së cilës do të përzgjidhet kontraktuesi i impiantit të ardhshëm të trajtimit të ujërave të zeza në Shkup. Nga 12 aplikacionet e paraqitura nga kompani ose konsorciume të interesuara, do të përzgjidhen subjektet që do të ftohen për të paraqitur oferta në procedurën e kufizuar ndërkombëtare për përzgjedhjen e kontraktuesit më të favorshëm.

Ndërtimi i impiantit për trajtim të ujërave të zeza në Shkup duhet të fillojë në vitin 2021, ndërsa e tërë procedura e ndërtimit duhet të përfundojë brenda 72 muajsh. Prej tyre, 36 muaj janë planifikuar për projektin dhe ndërtimin e objektit të madh që do të vendoset përgjatë lumit Vardar, pranë vendbanimit Trubarevë. Janë parashikuar 24 muaj të tjerë për një operacion provë, si dhe 12 muaj shtesë për heqjen e defekteve në objektin kapital.

Impianti i ardhshëm për trajtim të ujërave të zeza duhet të përfshijë pastrimin e fekaleve që aktualisht gjenerohen në 9 nga 10 komuna të Shkupit për trajtim. Dy kolektorët në anën e majtë dhe të djathtë të lumit Vardar tashmë janë në një fazë të përparuar ndërtimi, përmes së cilës fekalet nga i tërë qyteti do të transportohen në objektin në Trubarevë.

Pasi të fillojë me punë ky objekt kapital, në ujërat e lumit Vardar nuk do të lëshohen fekale nga amvirësitë shkupjane, me ç’rast pritet të përmirësohet cilësia e ujërave të lumit Vardar dhe t’i çojë ato në kategorinë e dytë të ndotjes. Paralelisht me ndërtimin e impiantit të trajtimit të Shkupit, objekt identik i tillë duhet të ndërtohet në Tetovë.

Për momentin, ujërat e lumit Vardar në aspektin bakteriologjik klasifikohen në kategorinë më të keq të ndotjes, të katërtën, ndërsa në aspektin kimik ato janë midis kategorisë së katërt dhe të pestë të ndotjes. Prandaj, larja në ujërat e Vardarit, ujitja e zonave bujqësore, peshkimi për ushqim dhe përdorimi i puseve të ujit të pijshëm të vendosura pranë lumit ndalohet.

Të fundit