28/03/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Për qytetarët buka 33 denarë, për zyrtarët pagat mbi 2.000 euro!

Muaji mars si duket është muaji i rritjes së pagave, me çka paga minimale u rrit për 2.175 denarë, që nuk ndihmoi aspak qytetarët sepse vetëm brenda një viti çmimet janë rritur për 25%. Rritje të pagave për punëtorët shëndetësorë nga 5-12%, si dhe rritje të pensioneve nga 8.4%. Por, tani kur shohim rritjen e pagave për zyrtarë kemi shifra krejtësisht tjera dhe të pakrahasueshme me këto më lartë, bëhet fjalë për rritje prej 78%. E këtë gjë e kanë mirëpritur shumë politikanë, duke thënë që paga duhet të jetë burimi i vetëm i pasurisë për politikanët, deklaratë sikurse qytetarët jetojnë në një botë paralele dhe nuk shohin se si pasurohen këta politikanë, por mes tjerash disa të tjerë kërkojnë që të respektohet secili ligj nga Kushtetuesja, marrë parasysh se ky ligj për këtë rritje të hatashme vjen pikërisht nga Kushtetuesja. Nga ana tjetër kur punëtorët shëndetësorë, arsimor, e të tjerë kanë nevojë të patjetërsueshme për rritje të pagave për të mbijetuar këtë duhet ta bëjnë përmes formave të ndryshme, bojkot, grevë, e duke dalë në rrugë. Por, tani zyrtarëve pritet tu rritet paga vetëm me anë të ndryshimit të një ligji, madje as pa kërkuar. Këtu shihet qartë diferencimi nga të qenurit qytetarë dhe punëtorë në RMV dhe të qenurit zyrtar, kjo është fyerje dhe ofendim për klasën punëtore. Nuk duheshte të rriten pagat e zyrtarëve duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike në vend, është gabim skandaloz dhe pasqyrim real se sa zyrtarët brengosen për qytetarët. Për qytetarët buka 33 denarë, për zyrtarët pagat mbi 2.000 euro, shkruan Zhurnal.

Qytetarët të revoltuar me pagat e zyrtarëve: Ata mendojnë vetëm për vete –

Funksionarët e cilësojnë veten si elitë, ndërsa nuk mendojnë aspak për popullin. Kështu thonë qytetarët e revoltuar për pagat e zyrtarëve, të cilat nga ky muaj pritet të jenë shumë më të larta bazuar në vendimin e Kushtetueses. Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se rritja nuk duhej të lejohej.

“Nuk duhet të lejohet, duhet që kjo gjë ligjërisht të ndalohet, pasi që nuk e kanë merituar…Kjo është normale, kur në shtet nuk funksion asgjë, atëherë funksionarë shohin se si të sigurojnë sa më shumë të ardhura për vete derisa janë në funksion, për popullin nuk gajlosen fare”. “Pikë së pari duhet të fillojnë rritjen e pagave te pensionistët dhe rrogat që janë të ulëta, pastaj duhet të shohin për vete, se ata kanë ardhur në ato pozicione, i kanë ato merita prej popullit, duhet shumë të jenë kujdesshëm që të mos i hyjnë në hak dhe borxh kësaj popullate, se me të vërtetë janë duke vuajtur me të madhe”.

“Nuk është aspak në rregull, kjo flet se ata shquhen si një elitë e veçantë dhe aspak nuk janë me popullin. Thjesht mendojmë se i gjithë buxheti shkon për mëditje të tyre, shpenzime rrugore, nuk ka investime dhe kjo është për kritikë, siç besoj nuk jam e vetmja, mendoj se shumica e mendojnë këtë”. “Ky shteti jonë na i vjedh paratë tona, paguaj taksa këtu atje, rrit rrogat ma lart, na pensionet më të vogla, duhet t’i rrisin edhe për ne, punë s’ka asgjë nuk ka ky shtet”.

“Nuk është kjo mirë, vetëm për funksionarët, e çfarë do të bëjnë punëtorët, klasa normale me 300-400 euro, këtu ka shtrenjtim… Me ato para që marrin pensionistët, mund të vdesin dhe të shkojnë, asgjë tjetër nuk mund të bëjnë. Këtu nuk ka asnjë perspektivë”. “Edhe unë mendoj njëjtë, duhet për pensionistët të mendohet pak”. “Me 7 mijë denarë nuk mund të ia dilni me këto shtrenjtime. Çfarë do të paguani, ujë, rrymë, nuk e di, nipërit shkojnë në shkollë me 7 mijë denarë, unë nuk mund të jetoj”. “Ata nuk kanë tru, ky popull prej çfarë po jeton, ja unë kam pension, thanë 8,4% do ta rrisin, nuk e rritën, ja këtë të fundit prapë 6,4. Me gënjeshtra nuk bëhet shtëpia…”.

Rritja e pagave për zyrtarë për 78% është absurde përderisa rritja e pagave në sektorët tjerë nuk e ka kaluar 15 përqindëshin asnjëherë –

Rritja e pagave me një sasi enorme vjen pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nene për pagesën e pagave, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ftoi qeverinë që të gjendet zgjidhje ligjore me të cilën do të rregullohet çështja duke ulur pikët e pagave. “Konsideroj se është nuk është mirë që në një periudhë krize ekonomike të rriten pagat të cilat paguhen nga buxheti shtetëror.”, është shpehur Pendarovski.

Rritja e pagave prej 78% është veprim skandaloz dhe i i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm është nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë.

Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë, apo rreth 2.610 euro në muaj. Gjithashtu edhe, Artan Grubi, Oliver Spasovski, Sllavica Gerkovska, Fatmir Bytyqi, Sllavjanka Petrovska, dhe Bojan Mariçiq, do të marrin paga me vlerë mbi 2.000 euro. /Zhurnal.mk

Të fundit