29/03/2024
18.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Për shqiptarët, karantina nuk është befasi

Si duket një ditë brenda mureve të izolmit? Sa po ndikojnë në jetën e njerëzve masat restriktive kundër pandemisë që i ka ndërmarrë Qeveria? Cilat janë përvojat personale të ballafaqimit me këtë gjendje? Mbi këto dhe çështje të tjera, sot gazeta KOHA mori disa opinione nga qytetarët e Kumanovës

Hekuran JASHARI

Lagjet e banuara me shqiptarë në qytetin e Kumanovës, këto ditë pandemie nuk e kanë ndryshuar edhe gjithaq pamjen, për arsye se njerëzit edhe në kushtet e karantinës dalin para shtëpive të tyre dhe komunikojnë me njëri tjetrin. Këto lagje u ngjasojnë getove, të cilat janë të shkëputur nga pjesët urbane të qytetit, ku njerëzit bëjnë një jetë paralele, me një socializim tepër tipik për shoqëritë ku urbanizmi ka mbërritur vonë. Për rrjedhojë, jeta në karantinë nuk është edhe ndonjë befasi, pasi njerëzit e këtyre lagjeve janë mësuar të bëjnë jetë pak a shumë në kushte të një gjysmë izolimi. Si duket një ditë brenda mureve të izolimit? Sa po ndikojnë në jetën e njerëzve masat restriktive kundër pandemisë që i ka ndërmarrë Qeveria? Cilat janë përvojat personale të ballafaqimit me këtë gjendje?

Mbi këto dhe çështje të tjera, sot gazeta KOHA mori disa opinione nga qytetarët e Kumanovës, të cilët gjatë një bashkëbisedimi shprehen paksa të deprimuar nga efektet që po prodhon përhapja e Covid-19 edhe në qytetin e tyre. Xhevat Rexhepi qytetari i Kumanovës nuk e fsheh brengosjen e tij pas situatës së krijuar, si pasojë e pandemisë së virusit korona. Për të kjo situate ka sjellur vetëm gjëra të këqija, si në biznesin e tij personal, po ashtu edhe në çdo pore të jetës së përditshme. Ai konsideron se masat qeveritare janë tepër restriktive, sepse ato po e paralizojnë jetën e qytetarëve. Sipas tij sa më herët të hiqen këto masa, aq më mire do të jetë për përditshmërinë e njerëzve, sidomos për ata që kanë lënë përgjysmë planet dhe punët e tyre

Një pikëpamje plotësisht tjetër ka njëzetvjeçari Suad Jakupi, i cili mendon se kjo situatë duhet shikuar më me pozitivitet dhe se brenda saj fshihen shumë gjëra të favorshme që ne mund të mos i kemi menduar mirë. Si gjë e parë dhe më e rëndësishmja, sipas tij, paraqet edhe pastrimi ajrit në nivel global, dhe kjo mund t’i përshkruhet si meritë virusit Covid-19, Një favor tjetër që e veçon bashkëbiseduesi ynë, si pasojë e rrethanave të jashtëzakonshme, është rikthimi te vetvetja dhe mos-shpenzimi i kohës për gjëra të kota, siç ka ndodhur deri më tani, kur njerëzit nuk mbanin shumë llogari për kohën e humbur kot. Izolimi, thotë ai, është një mundësi e mirë që të reflektojmë dhe merremi me disa gjëra personale të cilat mund të përkthehen në sukses pas përfundimit të karantinës.

Florim Aliti një qytetarë tjetër i Kumanovës shprehet se për të periudha e karantnës nuk përbën ndonjë ndryshim të madh për shkak se vetë është i papunë dhe koha i kalon më tepër në shtëpi. Ai mendon se njerëzit janë familjarizuar me situatën e krijuar dhe çdo gjë është bërë njëjtë. E vetmja gjë produktive që mund të bëhet në këto rrethana të jashtëzakonshme, sipas tij, është të punohet diçka në shtëpi. Ka edhe qytetarë që gjendjen e kanë pranuar me shumë sportivitet. I tillë është edhe Zylber Ramadani, i cili është ithtar i një teorie konspiracioni sipas së cilës kjo pandemi më tepër është çështje politike. Ai shpreson se janë ditët të numëruara kur ne do ti japim fund kësaj krizë globale, varësisht prej interesave të fuqive globale.

Të fundit