06/10/2022
20.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Për të dytën ditë me radhë takohet komisioni për çështje historike dhe arsimore ndërmjet RMV-së dhe Bullgarisë

Sot, Komisioni i përbashkët multidisiplinar i ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të takohet për të dytën ditë në Shkup, transmeton Portalb.mk..

Historianët bullgarë dje pas mbërritjes në MPJ-në e Maqedonisë nuk kanë dashur të deklarohen dhe të zbulojnë detaje se çfarë do të diskutohet në takim.

Një anëtar i ri i është bashkuar Komisionit. Ai ështëDimitar Ljorovski, historian dhe profesor në Institutin e Historisë Kombëtare – Shkup.

“Llorovski është emëruar anëtar i ri i Komisionit në përputhje me ekspertizën e tij dhe rekomandimet e Komisionit për mbulim adekuat të fushave të punës së tyre”, njoftuan nga MPJ.

Komisioni i përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike më 15 gusht miratoi dhe publikoi rekomandime për përmirësimin e teksteve të historisë për klasën e VI në Maqedoninë e Veriut dhe për klasën e V në Bullgari, si dhe rekomandime për nderim të përbashkët të figurave të mesjetës – Shën Kirili dhe Metodi, Shëm Klementi, Shën Naum dhe mbreti Samuel. Këto rekomandime janë miratuar nga Komisioni i përbashkët ndërqeveritar i themeluar në përputhje me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë.

Bashkëkryetari i ekipit maqedonas në Komision, Dragi Gjorgjiev, pas shpalljes së rekomandimeve, në një konferencë për media duke folur për tekstet shkollore, sqaroi se qëllimi është të ndryshohen gjërat aty ku ka keqkuptime dhe që mund të kontribuojnë në përçarje të marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve dhe të dy vendeve, dhe që mund të shkaktojë tensione dhe urrejtje te brezat e rinj.

“Në këtë kuptim, Komisioni po punon në tejkalimin e atyre vendeve në tekstet shkollore, gjë që besoj se është detyrë që e ka çdo komision që punon për çështje të tilla historike në raport me tekstet e historisë”, tha Gjorgiev.

Siç vlerësoi ai, periudha e shekujve 19 dhe 20 do të jetë një nga më të vështirat që do të diskutojë Komisioni.

“Ne asnjëherë nuk kemi thënë se duhet të arrijmë në një qëndrim të përbashkët dhe mendim të unifikuar. Ajo periudhë do të jetë padyshim një periudhë e vështirë, e dhimbshme për të cilën do të diskutojmë, diskutimet do të zgjasin dhe në fund nëse biem dakord, nëse arrijmë të gjejmë një lloj zgjidhjeje, do ta paraqesim atë. Nëse nuk arrijmë ta gjejmë, atëherë nuk ka zgjidhje. Nuk do të thotë domosdoshmërisht se ky Komision duhet me çdo kusht të sjellë zgjidhje për keqkuptimet historike që ekzistojnë mes historiografisë maqedonase dhe asaj bullgare”, tha Gjorgiev.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Të fundit