29/03/2024
9.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përdorimi i gjuhës shqipe, varësisht nga vullneti i drejtorëve – Ende nuk ka zbatim të ligjit

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore e publike ndonëse është i detyruar me ligj, ajo përdorët si t’u teket drejtorëve në funksion, shkruan Alsat.

Në kuadër të Qytetit të Shkupit, në Qendrën Informative Kulturore në kryeqytet mbeten të hequra mbishkrimet në gjuhën shqipe. Udhëheqësia ende hesht.

“Në këtë institucion nuk respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, këto janë inicialet e vetme në gjuhën shqipe që kanë mbetur, ndërsa drejtori ka ditë që nuk përgjigjet përse i pengon shqipja që s’zbaton ligjin”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se nuk janë në dijeni të veprimeve të fundit të drejtorit Antonio Dimitrov. Kryetarja Danella Arsovska, tha se askush nuk e ka informuar që drejtori i emëruar prej saj, i cili është nga radhët partisë “E Majta” ka hequr mbishkrimet në gjuhën shqipe.

“Ajo që mund të them është se ne kemi arritur të vërejmë që në periudhën e kaluar një pjesë e madhe e ueb faqeve, praktikisht të ndërmarrjeve publike nuk janë përditësuar. Unë besoj se çdonjëri nga drejtorët do t’i ndërmarrë obligimet dhe përgjegjësitë e tyre ashtu siç duhet në përputhje me ligjet. Ta zbatohet në përpikëri për të pasur qasje të këtyre mediave deri tek të gjithë qytetarët e Qytetit të Shkupit”, tha Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.

Pas reagimeve të shumta në opinion, ndonëse me vonesë Inspektorati për përdorimin e gjuhëve realizoi inspektim të jashtëzakonshëm në hapësirat e QIK-ut për të konstatuar gjendjen faktike lidhur me zbatimin e gjuhës shqipe në këtë institucion.

“Sipas përgjegjësive të përcaktuara ligjore, inspektorët e angazhuar nga ana e Inspektoratit pas kontrollit të realizuar i kanë shqiptuar udhëheqësisë së re të QIK-ut disa vërejtje dhe sugjerime operative me shkrim sa i përket respektimit të obligimeve ligjore që burojnë nga Ligji për përdorimin e gjuhëve duke potencuar se do të ndjekin me vëmendje veprimet e mëtutjeshme të institucionit në fjalë”, thonë nga Inspektorati për përdorimin e gjuuhëve.

Në rast të mosrespektimit të dispozitave ligjore për çka tashmë janë paralajmëruar, nga Inspektorati njoftojnë se do të ndërmerren masat adekuate për shqiptim të dënimit sipas nenit 22 të Ligjit.

Përndryshe, ky nen parasheh gjobë në vlerë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje në rast të mosrespektimit të dispozitave të këtij ligji dhe gjobë në vlerë prej 30% të gjobës së përcaktuar ndaj personit zyrtar dhe personit përgjegjës të institucionit./ Alsat.mk

Të fundit