29/03/2024
9.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përfundon gjendja e jashtëzakonshme tetëditore, nga e mërkura fillon fushata zgjedhore

Sot skadon gjendja e jashtëzakonshme tetëditore që e shpalli presidenti Stevo Pendarovski me qëllim të zbatimit të përgatitjeve të domosdoshme për organizim të zgjedhjeve parlamentare më 15 korrik.

Gjendja e jashtëzakonshme e fundit, e pestë, u shpall më 15 qershor, pas marrëveshjes së arritur mes liderëve të partisë në pushtet, LSDM Zoran Zaev dhe të VMRO-DPMNE-së opozitare Hristian Mickoski për terminin e përballjes zgjedhore.

Shefi i shtetit e arsyetoi vendimin për gjendje të re të jashtëzakonshme me nevojën që të ,mundësohet përgatitje e papenguar e zgjedhjeve, ndërsa posaçërisht zbatim të masave për mbrojtje të shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në kushte të pandemisë së Kovid-19. Gjendja tetëditore e jashtëzakonshme u dha në mënyrë që të sillen vendimet dhe protokollet e domosdoshme për organizim dhe zbatim të zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare fillimisht duhej të mbaheshin më 12 prill, por për shkak të krizës me koronavirusin dhe shpalljen e gjendjes së parë të jashtëzakonshme në mars, me dekret qeveritar u ndërprenë veprimet zgjedhore. Pas bisedimeve të pasuksesshme disajavore, konsultimeve dhe disa takimeve të liderëve tek presidenti, pushteti dhe opozita, nga mesi i muajit përfundimisht arritën marrëveshje për zgjedhje më 15 korrik.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas listave të parashtruara në KSHZ, do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me 1.598 kandidatë.

Fushata zgjedhore fillon të mërkurën, më 24 qershor. Partitë premtuan zgjedhje të drejta dhe demokratike, për çka nënshkruan edhe kod. Paralajmëruan se do të fokusohen në fushatë e cila do të jetë e sigurt për shëndetin e qytetarëve, pa ngjarje dhe tubime të mëdha, me shfrytëzim të shtuar të rrjeteve sociale, mediumeve tradicionale, bilbordeve dhe llojit tjetër të prezantimeve onllajn.

Partitë dhe koalicionet të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, programet e veta do të mund t’i prezantojnë deri më 12 korrik në orën 24:00, kur përfundon fushata zgjedhore.

Votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zhvillohet gjatë tre ditëve, ndërsa dita zgjedhore do të vazhdohet për dy orë dhe votimi do të zgjasë deri në orën 21.00.

Më 13 korrik do të votojnë personat të cilët janë në karantinë shtëpiake për shkak të testit pozitiv për KOVID-19 dhe personat të cilëve u është caktuar masa e vetëizolimit me vendim të Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor.

Më 14 korrik 2020 do të votojnë personat e pamundur dhe të sëmurë, të sëmurët kronikë si dhe personat të cilët në pajtim me Kodin zgjedhor votojnë një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Në ditën e zgjedhjeve, më 15 korrik, vendvotimet do të hapen në orën 7:00, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 21:00, dy orë më gjatë nga zgjedhjet e kaluara të zakonshme, kur vendvotimet mbylleshin në orën 19:00. ab/

Të fundit