19/04/2024
4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Përkatësia etnike në letërnjoftime – Ambasadori Evropian: Kjo nuk është në përputhje me rregulloret evropiane

Qëndrime të ndryshme për çështjen e përkatësisë etnike në letërnjoftimet, sipas Ambasadorit të BE-së kjo nuk është në përputhje me rregulloret evropiane
Në vend edhe më tej mbesin qëndrimet e ndryshme nga subjektet politike nëse përkatësia etnike duhet të qëndrojë në letërnjoftimet e reja apo jo. Për disa është e nevojshme, për të tjerët, nuk ka diçka të tillë në praktikën evropiane dhe botërore. Në përputhje me qëndrimin se një gjë e tillë nuk është e nevojshme, është edhe deklarata e fundit e ambasadorit të BE-së, Dejvid Gir, i cili theksoi se rregullorja kryesore e BE-së kur bëhet fjalë për këtë çështje është rregullore e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale që e ndalon ndarjen e të dhënave personale si përkatësia racore apo etnike si dhe përkatësia politike dhe fetare.

“Në BE, letërnjoftimet për momentin janë ende të rregulluara nga ana e shteteve anëtare, por rregulloren që e përmenda që i përmban rregullat e para që iu përkasin këtyre dokumenteve në nivel të Unionit do të hyjë në fuqi në gusht 2021”, tha dje Gir.


Ambasadori Gir shtoi se harmonizimi i legjislaturës së vendit me rregullat dhe standardet e BE-së është proces i rëndësishëm dhe se BE çdoherë e ka inkurajuar Maqedoninë e Veriut të arrijë progres në këtë fushë pasi siç tha, “kjo është një nga punët e para që do të vlerësoheshin gjatë fillimit të këtyre negociatave”.

Dialogu është i hapur, zgjidhjet ligjore do të shkojnë në Kuvend, këtu janë ambasadorët e vendeve anëtare dhe delegacioni evropian për të na ndihmuar dhe së bashku do të gjejmë një zgjidhje të bukur që do t’i ngjajë Republikës multietnike të Maqedonisë së Veriut, tha Zaevi.

Ai shtoi se ata do t’i ndjekin rekomandimet evropiane dhe se për ta regjistrimi i përkatësisë etnike është i pranueshëm, sepse, siç tha jemi një vend multietnik.

“Shtetësia është maqedonase/shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përcaktimi etnik është përcaktim i çdo qytetari. Madje edhe Strumica është shumetnike, e jo Maqedonia, ne jemi një vend me të vërtetë multietnik dhe duhet të respektojmë të drejtën për të zgjedhur. Në atë pjesë do të dëgjojmë direktivat evropiane sepse duam të jemi anëtarë të BE-së. Mund të gjendet një zgjidhje për përcaktimin në mënyrë që të mos ketë diskriminim ose ndonjë pengesë”, tha Zaev.

Sipas tij, kjo është demokraci, por shprehja e vullnetit kur tregohet nga ana e komuniteteve të vogla se dëshirojnë të kenë etni, nuk mund të mohohet.

Ai theksoi se për shkruajtjen e nacionalitetit në letërnjoftime, që është propozim I parashtruar në Kuvend nga Besa, nuk ka kurfarë paralajmërimi për shkak të asaj që bëhet fjalë për çështje të identitetit si të maqedonasve, ashtu edhe të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe gjithë të tjerëve.

“Nuk kam unë një paralajmërim të tillë, as çfarëdo bisede për çfarëdo alarmi apo paralajmërimi se dikush do të kishte reaguar. Normalisht ishin, pati takim me ambasadorin e Greqisë, morën informatë kthyese. Ne sipas rrugëve tona diplomatike atë e kemi kontrolluar që në kohën kur ajo ishte premtuar në vitin 2019, në fillim të vitit, kur u votuan ndryshimet kushtetuese në pajtim me Marrëveshjen e Prespës. Kështu që nuk ka kurfarë paralajmërimi për shkak se bëhet fjalë për çështje të identitetit, si të maqedonasve, ashtu edhe të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të gjithë të tjerëve”, theksoi Zaev.

Dy ditë më parë, lideri i partisë më të madhe opozitar, Hristijan Mickoski deklaroi se VMRO-DPMNE mbështet që përkatësia etnike të jetë në letërnjoftime, por edhe në pasaporta, ndërsa nuk e mbështet që emri Republika e Maqedonisë të ndryshohet me mbiemrin e ri .


Për këtë, siç thotë, ka një afat pesë vjeçare për t’u aplikuar në dokumentet e identifikimit personal dhe pasaportat. Lidhur me propozimin për shënimin e kombësisë në letërnjoftimet, ai i bëri thirrje Zaevit, nëse me të vërtetë e dëshiron atë, Qeveria të paraqesë ligj me flamur evropian në Kuvend.

Nëse Zaevi dëshiron ta bëjë këtë, thotë Mickoski, pse nuk e bën tani dhe ta paraqesë ligjin në Kuvend me flamur evropian në mënyrë që unë të identifikohem veten si maqedonas. Ai mbetet në qëndrimin se absolutisht është e vërtet se për këtë ka vërejtje serioze nga ambasadori nga një vend fqinj.

Të fundit