24/04/2024
8.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Personat me fibrozë cistike apelojnë për nevojën e medikamentit Kalideko

Personat e sëmurë nga fibroza cistike informojnë se janë në gjendje të keqe shëndetësore, pasi është harxhuar medikamenti Kalideko i cili u mundëson të funksionojnë pa i ndjerë pasojat e kësaj sëmundje. Ata thonë se pasi nuk e kanë medikamentin humbën peshë, nuk mund të hanë, ose të lëvizin.

“Pa medikamentin jam shumë keq. Oksigjen marr dy javë dhe vazhdimisht jam me të, por ja për tre gjegjësisht katër ditë jam shumë keq dhe sot do të shkoj të shtrihem në spital, pasi nuk mund të ha, nuk mund të marr frymë, jam dobësuar shumë, nuk mund ta bëj asnjë punë vetëm mund të ha me oksigjenin nuk mund as të pastrohem, tha një nga fëmijët e prekur nga fibroza cistike në konferencën e sotme për shtyp, në të cilën këta fëmijë së bashku me prindërit u dërguan apel autoriteteve sa më parë të furnizohet medikamenti, pa të cilin me çdo ditë të kaluar jeta u rrezikohet”.

Për prindërit e këtyre fëmijëve furnizimi i këtij medikamenti është dëshirë e vetme dhe shfaqën shpresë se ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, do ta mbajë fjalën dhe se medikamentin do ta kenë për 10 ditë.

Ministri Filipçe, nga ana e tij, informoi se procedura ka filluar dhe se medikamenti duhet të vijë javën e ardhshme.

“Për medikamentin tashmë është caktuar një buxhet dhe u furnizua përmes Klinikës për pediatri, duhej ta presim raportin e personave profesionistë, mjekëve atje, nëse ky medikament ka efekt, pasi nuk janë të gjithë pacientët me firbrozë cistike, por vetëm pacientë të cilët e kanë vetëm një mutacion gjenetik specifik dhe kështu janë përzgjedhur këta tre pacientë. Ka filluar procedura, medikamenti duhet të vijë javën e ardhshme, kështu që kjo është arsyeja se pse ka pauzë në mjekim”, deklaroi ministri.

Megjithatë, këta persona sot dërguan apel gjegjësisht e rikujtuan ministrin t’ua furnizojë medikamentin sa më shpejtë, pasi siç thonë as fizikisht dhe as psikikisht nuk mund të durojnë.

Të prekurit nga fibroza cistike potencuan se me harxhimin e medikamentit, kanë mbaruar edhe ditët e tyre pozitive.

Të fundit