25/04/2024
6.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pesë policë të lënduar e katër automjete të dëmtuara nga incidentet në veri

Pesë policë kanë mbetur të lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar, përfshirë një e djegur, nga incidentet e së premtes në veri, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, pesë policët e lënduar më pas u janë kthyer detyrave të tyre.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore”, thuhet në njoftim.

Dyshohet, sipas Policisë, se në afërsi ku janë tubuar qytetarët në Zveçan janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, por nuk dihet lokacioni i saktë.

Policia ka thënë se vazhdimisht ka biseduar me qytetarët që janë tubuar, duke iu kërkuar që të mos pengohet puna e zyrtarëve shtetërorë, por sipas tyre, qytetarët kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë.
Policia e ka konsideruar rastin si “sulm kundër rendit kushtetues”.

Njoftimi i plotë:

Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve të komunave në vendet e tyre të punës, pranë hyrjeve të objekteve komunale të tri komunave janë tubuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, për të mos lejuar hyrjen e tyre dhe stafit përcjellës në objektet zyrtare të komunave.

Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve/mjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet relevante policore, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe rrethanave të krijuara nga ana e qytetarëve të tubuar, të cilët pengonin organet e rendit dhe zyrtarët shtetëror në ushtrimin e së drejtës së tyre legjitime.

Zyrtarët e rendit publik vazhdimisht kanë biseduar me qytetarët e tubuar, duke kërkuar që të njëjtit të largohen dhe të mos pengohet puna e zyrtarëve shtetëror, të lirohet rruga dhe të lejohet hyrja e tyre në vendet e punës, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar në vazhdimësi.

Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore.

Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë.

Duke parë rrezikun e drejtpërdrejtë të jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale.

Lidhur me veprimet e deritanishme Policia ka bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me organet e drejtësisë, të cilët rastin e kanë cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

 

Të fundit