Kryeministri bullgar, Kiril Petkov tha se Bullgaria duhet ta zhvendosë veton për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut dhe jo ta tërheq. Në një intervistë për televizionin bullgar “Nova”, kërkesat bullgare duhet të jenë të përfshira në negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë me BE-në dhe Evropa të garantojë se do të përmbushen, transmeton Portalb.mk.
“Ne duhet t’i hypim në trenin për Evropë, por kriteret të cilat ato duhet t’i përmbushin të jenë të vendosura qartë nga ne. I japim një rrugë Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt Evropës, por ajo rrugë është e dërguar me kërkesa dhe detyrime, të përcaktuara qartë në kornizën negociuese dhe në atë mënyrë shfrytëzojmë gjithë Evropën ta garantojë përparimin që ne e duam si bullgarë”, tha Petkov.
Ai tha se, nuk mund të përmbushen të gjitha kërkesat bullgare para se të hiqet vetoja.
“Budallallëkun më të madh që mund ta bëjmë tani është kundër interesave bullgare dhe do të pengohemi. Të kërkojmë gjithçka që kemi dashur të ndodh, të ndodh para heqjes së vetos. Atëherë nacionalistët do ta marrin pushtetin atje dhe atëherë gjasat i kemi zero. Tani atje kemi qeveri normale atje dhe ajo është e gatshme t’i ndërmarrë angazhimet me marrëveshje evropiane”, tha Petkov.
Ai tha se, deri më tani nuk ka marrëveshje në Bullgari që të tërhiqet vetoja deri në qershor, kur është mbledhja e parë e ardhshme e Këshillit Evropian dhe paralajmëroi votim për këtë çështje në parlamentin bullgar.
“Asgjë nuk do të bëhet pa votim në Kuvend dhe debat të gjerë publik”, tha kryeministri bullgar.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.