23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pollogu po tkurret me banorë, i mori mërgimi, çka thotë “Regjistrimi 2021”

“Regjistrimi i popullsisë 2021” tregon se rajoni i Pollogut po tkurret dhe se për 20 vjet ka më pak banorë.

Siç dihet faktori kryesor për këtë gjendje është mërgimi, pasiqë shumë vendbanime po boshatisen dhe kjo po ndodhë si me ato rurale ashtu edhe urbane, përcjell INA.

Ky rajon dominant me shqiptarë mbulon 2,416 kilometra katrorë ose 9,7 për qind të territorit të përgjithshëm të vendit dhe është i banuar nga 251,552 banorë ose 13,69 për qind e popullsisë së përgjithshme rezidente në vend.

Është i dyti për nga numri i banorëve dhe i gjashti për nga territori. Me 104.1 banorë për kilometër katror është i dyti për nga dendësia e popullsisë.

Krahasuar me vitin 2002, ky rajon ka humbur 52.573 banorë, që është 17.29 për qind ose mesatarisht 21.7 banorë për kilometër katror. Në vitin 2002, rajoni ishte gjithashtu në vendin e dytë me 15.03 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Rënia më e madhe në përqindje e popullsisë në 20 vjet është në Mavrovë dhe Rostushë – 41,49%, por më e larta në shifra absolute është në Gostivar – 21 272 banorë, që është një rënie prej 26,25% ose 41,4 banorë për kilometër katror.

Zvogëlim të numrit të popullsisë ka edhe në shtatë komunat tjera të këtij rajoni, përkatësisht Zhelinë 22,15%, Vrapçisht – 21,88%, Tearcë – 21,20%, Bogovinë – 21,01%, Jegunovc – 17,56%, Bërvenicë – 13,94% dhe Tetovë – 2. %.

Është interesant fakti se Gostivari, i cili për 20 vjet, edhe pse ka humbur 21.272 banorë, në të njëjtën kohë shënon rritje të numrit të amvisërive për 1.963 ose 9.79%, dhe numrit të banesave për 7.606 ose 27.22 për qind, që do të thotë se në rajon, edhe pse shumica kanë emigruar nga Gostivari, ka pasur më së shumti ndërtime.

Shumica e popullsisë në rajon jeton në Tetovë – 84 770. Rënia më e vogël e popullsisë ka Tetova në rajonin prej 2,09%, ndërsa numri i amvisërive është rritur për 15,74% dhe banesat për 25,11%.

Ndërsa në 20 vite numri i banorëve në qark është ulur me 17.29%, numri i përgjithshëm i familjeve është rritur me 4.5 për qind dhe numri i banesave me 21.96 për qind.

Të fundit