23/04/2024
6.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Portofoli i partive, i paprekshëm

 

Rishikimi i Buxhetit, edhe pse ka shkurtuar mjetet për disa institucione dhe veprimtari, nuk i ka prekur mjetet të cilat janë të planifikuara për partitë politike. Në anën tjetër, partitë shprehen pjesërisht të gatshëm të heqin dorë nga mjetet buxhetore, ndërkohë që presidenti Pendarovski ka deklaruar se 10 milionë euro, para të cilët jepen për partitë politike, është e turpshme dhe joproporcionale

Destan JONUZI

Shkup, 19 maj – Rishikimi i arkës shtetëror nuk do të prek portofolin e partive politike, edhe pse shkurtoi mjetet për disa institucione dhe veprimtari. Presidenti Stevo Pendarovski së fundmi në një paraqitje televizive deklaroi se 10 milionë euro, para të cilët jepen për partitë politike të cilat kanë fituar më shumë vota në zgjedhje, është e turpshme dhe joproporcionale me standardin tonë të jetesës. “Këto janë shumë para. Me të vërtetë mendoj se, edhe nëse nuk është Korona, ne jemi shtet i varfër, 10 milionë për partitë politike është turp. Cilado parti, pavarësisht se sa fiton, është mjaft e turpshme dhe joproporcionale për standardin tonë të jetesës”, ka deklaruar Pendarovski. Presidenti vuri në dukje reagimet dhe thirrjet e qytetarëve të rëndomtë se partitë janë me të vërtetë, siç tha ai, të trajtuara në veçanti si organizata në këtë vend, por nuk duhet të jetë kështu. Sipas Pendarovskit, duhet të rishikohet vendimi për ndarjen e mjeteve nga buxheti për partitë politike, por se iniciativa për këtë duhet të vijë nga Parlamenti, gjegjësisht deputetët e përbërjes së re.

Në anën tjetër, zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi, deklaroi se kompetente për çështjen e financimit të partive është Ministria e Drejtësisë, por si parti, nuk u përgjigj nëse BDI-ja ka qenë e gatshme të mbështesë shkurtimin e këtyre mjeteve. “Çdo kursim të cilin do të arrijmë ta bëjmë edhe me përfundimin e zgjedhjeve, sigurisht do të ketë bashkëpunim nga ana e KSHZ-së, nga institucionet e duhura, ne do t’i shfrytëzojmë përsëri për t’i ri-destinuar për ekonominë vendore”, deklaroi Elezi.

Remzi Mehmedi, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASH) thotë se mjetet e partive politike janë mjete të rregullta me të cilat parashihet funksionimi normal i një partie politike duke përfshirë të gjitha shpenzimet e rregullta me të cilat ballafaqohet një subjekt për gjatë tërë vitit. “Këto mjete për aq sa di unë, lëshohen në bazë të rezultatit zgjedhor. Për rrjedhoje, Aleanca për Shqiptarët në zgjedhjet e fundit nuk ka qenë ndër forcat e para, prandaj nuk bie në subjektet që i takojnë shumë më e konsiderueshme e mjeteve me të cilat do të mund të kontribuonte po të hiqte dorë njëanshëm. Ndërsa nëse ka vullnet të përgjithshëm dhe konstatohet që heqja dorë nga këto mjete i kontribuon mjaftueshëm krizës së krijuar dhe në anën tjetër – nuk do të krijonte kaos në funksionimin e partive politikë, sidomos tash në prag të zgjedhjeve, edhe ne do pajtoheshim të hiqej dorë nga të njëjtat”, deklaroi për KOHA, Mehmedi.

Sa i përket ndryshimeve në Ligjin për financimin e partive politike, Mehmedi thotë se, nëse do të hapej një temë e këtillë, sigurisht që ASH do të kontribuonim me ide, por gjithmonë në frymën e asaj që partive politike t’ju krijohet komoditet veprimi dhe sa më pak të jenë të varura nga rënia në ndikim të subjekteve qoftë fizike apo juridike që mund të posedojnë mjete për t’ i ndihmuar partitë në momente të caktuara me qëllimin për t’i kontrolluar më pas në vendimmarrje. Nga LSDM thotë se financimi i partive nuk u ndërpre për shkak të mungesës së konsensusit. “Kishte kërkesë të tillë për zvogëlimin ose heqjen e plotë të të njëjtave, por nuk u gjet konsensus. Gjithsesi, Qeveria është organ kolektiv i vendimit dhe si i tillë përmes konsensusit sillen vendimet”, ka deklaruar Fatmir Bytyqi nga LSDM. Ndërkaq, VMRO-DPMNE është e gatshme të heqë dorë nga mjetet e buxhetit, por nuk është e sigurt se ku do të përfundonin ato mjete. “Gjendja e jashtëzakonshme keqpërdoret jo për shëndetin e qytetarëve, por për sjelljen e dispozitave me forcë ligjore që të miratohen pakot buxhetore për ryshfet, të cilat Zaevi i quan ndihmë në prag të zgjedhjeve të mundshme”, thekson Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, sipas raporteve të partive politike për vitin 2017 dhe 2018 nga Drejtoria e të Hyrave Publike, mund të konstatohet se ka disbalanc mes harxhimeve reale të partive politike në terren dhe shumave të paraqitura në raport. Në korrik të vitit 2018, me 101 vota pro, Parlamenti ka miratuar ndryshimet me të cilat partitë politike mes vete do të ndajnë 0.15 për qind nga mjetet buxhetore të shtetit, në vend të 0.006 për qind sa ishte. Kjo nënkupton se 1/8 nga 4.5 milionë euro para të popullit nga arka shtetërore inkasohet në arkat partiake. Ndërkaq në bazë të Ligjit për financim të partive politike, nga arka e shtetit partitë çdo vit marrin nga 4.5 deri 5 milionë euro, respektivisht 0.15% të buxhetit. Në vitet kur ka zgjedhje, partitë marrin mjete buxhetore shtesë edhe për financimin e fushatave zgjedhore. (koha.mk)

Të fundit