19/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Problematiku Alternativës nuk është më pjesë e këtij subjekti, Zejd Rexhepi bëhet “kufomë” politike

Skënder Zejd Rexhepi ka qenë emri më i përfolur në subjektin e sapo formuar Alternativa, në opinion njihej si revolucionar nga fjalimet e tij që kërkonte ndryshime vazhdimisht, ndërkaq sipas informacione prej brenda kësaj partie ishte kancer i partisë. Nga bashkëthemelues i Lëvizjes Besa, në bashkëthemelues i Alternativës përfundoi as te Besa e as te Alternativa. Me citate fetare shpeshherë është paraqitur në foltoren e Kuvendit, edhe pse është përfolur se mbas Kuvendit ka vendosur tezgën me një produkt të vetëm “votën e deputetit”, për çfarë ka qenë nevoja vota e Zejdit ka qenë në dispozicion, e çmimi ka ndryshuar varësisht blerësit. Kjo krijon mjegulla edhe në kohë me diell pasi nuk dihet nëse Zejdi ka keqpërdorur pozitën e deputetit për interesa personale, shkruan Zhurnal.

Deputetët janë në Kuvend për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, por ata që e keqpërdorin këtë pozitë të përkohshme e humbin besimin dhe dinjitetin, kështu që nga Kuvendi mund të marrin vetëm pagën për aq mandat sa kanë e asgjë më tepër. Ndërkaq, humbin shumë sepse kanë keqpërdor besimin e qytetarëve që nuk mund ta rikthejnë asnjëherë më.

Zejdi është njohur jashtë partisë si zëri kritik në Alternativë, ndërkaq përbrenda partisë thonë që ka qenë kancer i partisë duke kundërshtuar çdo vendim që nuk ka qenë në përputhje me interesat e tij personale, por tani ata konsiderojnë se janë çliruar nga Zejdi. Madje, në opinion shpeshherë janë dëgjuar edhe komperacione të figurës së Zejdit me atë të Artan Grubit në BDI, duke i bashkëdyzuar si dy figurat më të padëshiruara përbrenda partive politike.

Pozita e deputetit e vesh individin me petkun e përgjegjësisë dhe dinjitetit që duhet të ketë ndaj qytetarëve, posaçërisht atyre që e kanë votuar dhe i kanë besuar. Por, si duket Zejdi e ngatërroi petkun e përgjegjësisë me atë të “interesit personal”, dhe u zhvesh nga përgjegjësia u ngarkua me veprime që shkonin në konton e tij personale, njëherë konsideronte se po fitonte mjaftueshëm, por tani me këtë përfundim sigurisht ka kuptuar se më shumë ka humbur.

Çfarë gaboi Zejdi që e humbi besimin në partinë e tij?

Nëntori i vitit të kaluar ishte koha kur partitë politike opozitare dhe ato maqedonase u dakorduan për rrëzimin e qeverisë Zaev, kishin mbledhur 61 nënshkrime, por nga Alternativa kishin plasaritje për brenda pasi Zejd Rexhepi u pendua për nënshkrimin e dhënë dhe tha tërhiqem, nën pretekstin se nuk dëshiron nënshkrimi i tij të jetë në të njëjtën letër me atë të Apasievit të së Majtës. Duke tentuar të luajë me patetizëm folklorik Zejdi nuk arriti ta manipulojë as publikun e as bashkëpartiakët, se e kuptuan të gjithë se është i kapur nga partitë në pushtet dhe nuk guxon të votojë për rrëzimin e tyre.

Ditë më vonë, pushteti e kishte pasur gati një “kurban” tjetër, Kastriot Rexhepin, dhe i dha sinjal Zejdit se mund të votojë sepse edhe me votën e tij sërish qeveria nuk do të rrëzohet. Kështu që ky i fundit pastaj ndryshoi mendim dhe kinse u bind nga partia dhe tha se do të votojë për rrëzim të qeverisë. Ky ishte edhe fillimi i demaskimit të Zejd Rexhepit, ishte shkaktar që prishi raportet me kreun e ASH-së, Zijadin Sela, që arriti të prish edhe koalicionin mes ASH-së dhe Alternativës, edhe përkundër se kishin pasur marrëveshje bashkëpunimi deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Mes tjerash, pas prishjes së këtij koalicioni opozitar partia e Zejdit, Alternativa u bë pjesë e pushtetit me një marrëveshje të caktuar, me të cilën janë krekosur si partia e parë që bëhet pjesë e pushtetit me një marrëveshje. Por, në 100 ditët e para të qeverisjes përderisa këta numëronin punët e tyre që kanë bërë, nuk mendonte njëjtë edhe bashkëpartiaku i tyre, Zejdi, i cili hapur publikisht në emisione akuzonte partinë e tij se nuk kanë arrit të realizojnë asnjë premtim në 100 ditshin e parë të qeverisjes.

Ai thoshte se 100 ditë kaluan dhe deputetët e Alternativës nuk kërkuan hapjen e rasteve të montuara. Asnjë nga pikat e programit të Alternativës nuk u plotësua në 100 ditët e para. Pra, ishte nga po ajo parti ku në njërën anë ata tentonin të paraqisnin në publik disa prej arritjeve të tyre, në anën tjetër ishte Zejdi që vuloste dështimin e tyre.

Alternativa një muaj më herët mbajti edhe Kongresin e parë partiak, ku u emërua, Afrim Gashi, sërish në krye të partisë, u emërua pasi nuk mund të quhet zgjedhje apo rizgjedhje ku në garë është vetëm një kandidat. Por, ajo që e bëri Kongresin e parë partiak të kësaj partie të pa kompletuar ishte mungesa e njërit prej themeluesve të partisë, Zejd Rexhepit, i cili nuk ishte prezent në kongres. Sipas tij prezenca e tij në kongres nuk do të kishte kuptim pas deklaratave të para disa ditëve, ku kishte paralajmëruar edhe fundosjen e partisë, e nuk përjashtonte edhe mundësinë e largimit nga partia.

Zejdi mes tjerash është thënë shumë herë nga bashkëpartiakët e tij se është njëri ndër problematikët kryesor kur vjen koha e kandidatëve që duhet të vendosen për kryetar komunash apo në listat për deputet, dhe vështirësitë e kundërshtimet më të mëdha thonë që kanë ardhur pikërisht nga Zejdi.

Ndërkaq, dje është mbajtur edhe mbledhja e parë e Kuvendit Qendror të Alternativës pas Kongresit partiak, ku është zgjedhur Kryesia Qendrore, nga gjithsej 39 anëtarë, 5 nënkryetarë, dhe 6 sekretarë. Nga gjithsej 50 pozita qendrore në parti në asnjërën prej tyre nuk pati vend e hapësirë për Zejd Rexhepin, i cili dikur ishte krahu i djathtë i kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, por ky i fundit nuk e propozoi sepse nuk po i beson më për asnjë pozicion në parti.

Ndryshe, Zejd Rexhepi, gabimin më të madh e ka bërë që e ka humbur besimin në parti, edhe ashtu Alternativa ishte në këmbë “të qelqta” dhe i duhej vetëm një skandal i ndonjërit prej eksponentëve të partisë që të shkatërrohej tërësisht. Por, si duket këta si masë preventive për të parandaluar një skenar të tillë e larguan problematikun e partisë, Zejdin, dhe me këtë lirshëm mund të konstatojmë se në moshë të re në kulmin e karrierës politike Zejdi përfundon karrierën e tij dhe bëhet “kufomë” politike. /Zhurnal.mk

Të fundit