25/04/2024
7.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Prokuroria hapi lëndë kundër drejtorit në dorëheqje të EMV-së, Vasko Kovaçevski

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit hapi lëndë kundër drejtorit në dorëheqje të EMV-së, Vasko Kovaçevski. Bëhet fjalë për një tender të dyshimtë për gërmimin e zgjyrës në TEC Manastir. Sipas informatave të Alsat, çështja është hapur në vitin 2020, por është ende në procedurë parahetimore. Prokurorët nuk deshën të japin detaje të tjera për momentin për të mos prishur procesin hetimor.

“Prokurori publik është duke vepruar ndaj lëndës. Lënda është në procedurë parahetimore dhe për momentin po mblidhen provat”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në një bisedë telefonike për Alsat, Vasko Kovaçevski pohon se dorëheqja nga pozita e drejtorit nuk ka ardhur për shkak të këtij hetimi. Ai thotë se e ka bërë punën e tij në drejtim të menaxhimit të krizës energjetike dhe gjithsesi mandati i tij si drejtor i skadon më 20 korrik të këtij viti.

“Tashmë kam dhënë deklaratë në Prokurori se nuk ka asnjë të vërtetë në rastin e gërmimit të zgjyrës në TEC Manastir”, tha Vasko Kovaçevski, Ish drejtor i EMV-së.

Para përfundimit të sezonit të ngrohjes dhe situatës së krizës në industrinë energjetike, Vasko Kovaçevski dje ka dhënë llogari për punën e bërë për mediat dhe ka paralajmëruar dorëheqjen e tij, e cila sipas tij është për arsye personale. Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, para tre vitesh, akuzoi se ka qenë Kovaçevski, së bashku me një pjesë të menaxhmentit të elektranave shtetërore, të cilët i kanë bërë presion kompanisë fituese të tenderit për gërmimin e zgjyrës. Dyshohet se i kanë kërkuar që një pjesë të kontratës t’ia lëshojë një firme tjetër nënkontraktore, e cila nuk kishte kapacitet dhe mekanizim për këtë, por ishte e afërt me LSDM-në. Informacioni i Çulevit ishte se kompania e ka refuzuar këtë kërkesë, por presioni ka vazhduar. Gjoja se drejtori i TEC Manastir ka kërkuar ryshfet prej 250.000 euro. Pasi kompania ka refuzuar të dyja kërkesat, kontrata është ndërpre në mënyrë të njëanshme dhe është aktivizuar garancia bankare. Informacionet e publikuara nga opozita janë se kompania ka nisur procedurë civile dhe kërkon dëmshpërblim prej një milion eurosh nga shteti. /Alsat.mk

Të fundit