29/03/2024
9.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Protestuesit nuk tërhiqen, ka të lënduar (VIDEO)

Një grup protestuesish vazhdon të qëndroj tek Bit Pazari, duke mos u tërhequr.

Ndërsa edhe forcat speciale janë qëndruar disa metra larg tyre, por duke filluar të tërhiqen. Po ashtu janë tërhequr edhe mjetet transportuese. Siç shihet në pamje ka pasur edhe arrestime nga ana e policisë.

Para gjysmë ore këshilli organizativ e shpalli të mbyllur protestën, duke paralajmëruar për vazhdimin e tyre gjatë ditëve në vijim. Po ashtu protestuesve po u bëhet thirrje për qetësi dhe maturi që të mos bien pre e provokimeve, përcjell INA.

Disa persona nga radhët e protestuesve janë arrestuar nga policia, ndërsa nuk jepen detaje se çfarë do të ndodhë me ta. Po ashtu ka edhe të lënduar nga radhët e policisë, por edhe reporterë si dhe protestues, që kanë pësuar nga gjuajtjet e gjësendeve dhe gurëve nga drejtime të panjohura.

Organizatori i protestës dhe familjari i anëtarëve të rastit “Monstra”, Bedri Ajdari kërkoi nga protestuesit qetësi dhe durim që të mos eskaloj situata, ndërsa ai tha se policia duhet të tërhiqet për të mos provokuar.

“Përmes incidenteve dëshirojnë të fshehin dështimet e tyre, andaj ju lus për maturi. Ju mund ta na i bllokoni rrugën këtu, por jo edhe ato të Evropës dhe botës. Asnjë proces nuk e keni fituar në Strasburg, gjithmonë keni qenë humbës”, tha Ajdari.

Ai tha se protestat nuk do të ndalen deri sa të vije drejtësia në vend.

“Të ndërpriten pazaret politike në kurriz të shqiptarëve. Të shkarkohen prokurorja dhe gjykatësit e rastit “Monstra”. Kuvendi dhe qeveria t’i publikojnë përgjimet për rastin ‘Monstra’. Të thirren ekspertë ndërkombëtar të pavaruar që të merren me të gjitha rastet e montuar politike ku shqiptarët po vuajnë. Drejtësia do të vije sado që të vonohet”, deklaroi më tej Bedri Ajdari.

“Vuajtjet e shqiptarëve në këtë vend nuk kanë të ndalur, këto vuajtje po i përjeton familja ime dhe shumë familje tjera. Kishim shpresë që vuajtjet tona do të ndalen dhe drejtësia do të vij në vend edhe për të vrarët edhe për të burgosurit. Por kur janë në pyetje shqiptarët aktakuzat vlejnë për të na dëmtuar me dënime kapitale, me burg të përjetshëm. Nuk pritej që qeveria Zaev ta shuaj shpresën për drejtësi. Ne me kokën lart dalim para popullit dhe themi se jemi krenar me familjarët tonë dhe se ato nuk janë fajtor, por faji i vetëm i tyre është sepse janë shqiptar”, tha Ajdari duke iu bërë thirrje ndërkombëtarëve që të kyçen në këtë proces për të zbardhur siç u shpreh ai të vërtetën.

Të fundit