24/04/2024
10.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Puna nga shtëpia, trend i përkohshëm!

Në tregun e pazhvilluar të punës në vend, me një digjitalizim të punës që akoma është në hapat e parë të saj dhe me një nivel të ulët të ekonomisë së dijes, akoma shumica e bizneseve e kanë të vështirë të organizojnë punën nga shtëpitë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 20 maj – Puna nga shtëpia gjatë pandemisë së koronavirusit edhe dilemat se sa mënyra e re e punës do të jetë vetëm një trend i përkohshëm, apo ngadalë do të ndryshojë tregun e punës në të ardhmen. Bizneset në tërë botë kanë ndërmarrë politika të detyrueshme nga puna në shtëpi pas përhapjes së Covid-19. Ngjashëm me përvojat botërore, edhe një pjesë e kompanive në Maqedoninë e Veriut, që mund të organizojnë punën në distancë, kanë udhëzuar të punësuarit e tyre për mënyrën e re të punës. Mirëpo, në tregun e pazhvilluar të punës në vend, me një digjitalizim të punës që akoma është në hapat e parë të saj dhe me një nivel të ulët të ekonomisë së dijes, ende shumica e bizneseve e kanë të vështirë të organizojnë punën nga shtëpia apo onlajn. Këtë e mbështesin edhe anketat e ndryshme të realizuara tek bizneset vendore. Hulumtimi i Lidhjes së Odave Ekonomike tregoi se shumica e tyre e kanë të vështirë të organizojnë punën e tyre pa prezencën fizike të të punësuarve në vendet e tyre të rëndomta të punës. Kompanitë i takojnë veprimtarive të hotelerisë, prodhimit dhe përpunimit, kontabilitetit dhe financave, tregtisë, shërbimeve, ndërtimtarisë , turizmit, shëndetësisë, transportit, logjistikës dhe bujqësisë.

“Mbi 80 për qind e firmave të anketuara thonë se nuk kanë mundësi të kryejnë punën e tyre nga shtëpia apo onlajn. Njëherësh, lidhur me mënyrat alternative të punës, ato me 70 për qind thonë se nuk ka mundësi tjetër për të realizuar punën e tyre, 19 për qind kërkojnë mënyra tjera, ndërsa 11 për qind nuk kërkojnë mënyra të tjera”, thotë Bllagoja Grozdanov, anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes së odave ekonomike. Në ndërkohë, përderisa më parë puna nga shtëpia ishte një privilegj i një pjese të të punësuarve në kompanitë e teknologjisë informatike, tani nga shtëpia kanë punuar edhe një pjesë e administratës publike dhe sektorit privat. Mirëpo, ekspertët vlerësojnë se shumica e ekonomive në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, megjithatë nuk ka mundësi të punojë nga shtëpia. Bile shtojnë se industria, shërbimet, gastronomia e kështu me radhë thjesht e kanë të pamundur të organizojnë punën e tyre nga shtëpia.

“Në rajon është e pritshme që njerëzve me zbutjen dhe kalimin e pandemisë, t’u bëhet nga pak edhe e mërzitshme puna onlajn, për shkak se Ballkani Perëndimor si rajon që graviton ndaj mesdheut, andaj edhe një rëndësi të madhe ka kontakti social dhe mbledhjet për funksionimin e biznesit dhe ekonomisë”, vlerësojnë ekonomistët. Sipas tyre, ekzistojnë firma të caktuara dhe specifike nga sektori i shitjeve, një pjesë e shërbimeve të bankave dhe telekomunikacionit, teknologjisë informatike e kështu me radhe që mund të kenë orar fleksibil të punës, megjithatë vlerësojnë se shumica e ekonomisë në rajon do të vazhdojë të funksionojë me të vjetrën. Ndryshe, për shumë ndërmarrje dhe organizata më të vogla, puna në distancë është e kufizuar në postën elektronike, rrjetet sociale dhe sisteme të tjera. Edhe në vend, kompani të ndryshme janë detyruar të përshtaten me situatën, profesionistë të ndryshëm janë duke punuar nga shtëpitë si në çdo vend tjetër duke gjetur zgjidhje dhe mbështetje te teknologjia dhe interneti, pasi nëpërmjet aplikacioneve apo rrjeteve të caktuara, po kryhet një punë funksionale në kushte jo normale. Gjithashtu, po vjen në shprehje edhe përshtatja që po bëjnë disa biznese duke ofruar shërbimet e tyre onlajn. Biznese të ndryshme po mundohen gjithashtu të shesin shërbimet apo produktet e tyre përmes internetit. (koha.mk)

Të fundit