Komuna e Gostivarit nëpërmjet Ndërmarrjes publike për veprimtari komunale “Komunalec” – Gostivar, është duke zgjeruar rrjetin e kanalizimit në disa fshatra, me ç’rast qasje në kanalizim do të kenë edhe rreth 10 për qind e popullsisë së përgjithshme të komunës së Gostivarit.
Në fshatin Çajlë, është duke u ndërtuar rrjet kanalizimi me gjatësi të përgjithshme 3022 ku pas përfundimit të punimeve, të gjitha amvisëritë e këtij fshati do të kenë qasje në kanalizim.
Para përfundimit janë punimet për ndërtim të kanalizimit në fshatin Banjicë e Epërme, me gjatësi prej 3199 metra, me çka ky fshat i cili deri më tani nuk ka pasur fare linjë kanalizimi, i tëri do të përfshihet me rrjet kanalizimi.
Nga ana tjetër, vazhdojnë punimet për ndërtimin pjesës së fundit të kanalizimit në fshatin Turçan i Madh, ndërsa këtyre ditëve ka filluar edhe ndërtimi i kanalizimit në një pjesë të lagjes Banjeshnicë të Gostivarit, në gjatësi prej 180 metra.
Pas përfundimit të ndërtimit të rrjetit të kanalizimit në fshatin Zdunjë, në vijim është sjellja e rrugës në gjendjen e mëparshme, respektivisht bëhet asfaltimi i pjesëve të dëmtuara të rrugës gjatë realizimit të punimeve.
“Kjo nënkupton se rreth 10% e popullsisë të komunës së Gostivarit, të cilët deri më tani nuk kanë qenë të kyçura në rrjetin e kanalizimit, tashmë ose janë lidhur ose do të lidhen së shpejti. Planifikojnë që në të ardhmen e afërt të vazhdojë zgjerimi i rrjetit të kanalizimit edhe në disa fshatra fushore të komunës ku në pjesë të caktuara mungon kanalizimi, siç është rasti me fshatin Raven, si dhe në disa lagje të qytetit ku kanalizimi mungon vetëm nëpër disa rrugica”, thotë Isak Lazami – drejtori i NP “Komunalec”.
Kjo ndërmarrje, aktualisht punon edhe në instalimin e një linje të re ujësjellësit në fshatin Çajlë, me gjatësi prej 450 metrash.