13/10/2024
18.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Puthja e ngrirë”, romani më i kërkuar i Shefki Karadakut! Ribotohet për herë të tretë me kërkesën e lexuesit, në 82-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

HALIL RAMA, MJESHTËR I MADH

Mes 35 veprave letrare (13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela) që përbëjnë trashëgiminë letrare që na la Shefki Karadaku, vlerësuar kjo nga të mëdhenjtë e letrave shqipe: Dritëro Agolli, Llazar Siliqi, Petro Marko, etj., romani “Puthja e ngrirë” vlerësohet si më i miri nga lexuesi. Treguesi më i qartë është ribotimi këto ditë për herë të tretë i këtij romani, që promovohet të premten më 9 qershor 2023, në 82-vjetorin e ditëlindjes të këtij shkrimtari, të vlerësuar nga kritika letrare si gjeni krijues.

Dr. Mujë Buçpapaj, poet, publicist dhe analist ndër më të mirët në rang kombëtar, si studiues, ka vënë re se vendi i Shefki Karadakut në letërsinë shqiptare nuk është përcaktuar kurrë në mënyrë të kënaqshme nga kritika letrare dhe historianët e letërsisë dhe kjo, sipas tij sepse Karadaku ishte një poet dhe prozator i rrallë që shkroi jashtë rrjedhave zyrtare dhe metafizika e harmonisë së tij krijuese nuk u vinte për shtat koncepteve të kritikës standarde të realizimit socialist. “Kjo kritikë nuk i dha vendin e merituar, por edhe Shefkiu ishte nënçmues si ndaj kritikës ideologjike ashtu edhe ndaj asaj klanore dhe të çorientuar të pas viteve 1990. Gjuha, leksiku, ligjërimi, lënda, teksti, nënteksti, kuptimet dhe nënkuptimet, inteligjenca dhe filozofia krijuese, ishin shumë përpara mediokritetit që përgjithësisht kishte mbytur kritikën nga njëra etapë në tjetrën”,- vlerëson dr. Buçpapaj. Qëndrimi ndaj veprës letrare të Shefki Karadakut ka zbuluar humnerën e madhe që ndan këtë kritikë dhe trupë studimore në përgjithësi me vlerat e mirëfillta letrare që i qëndruan dhe do t’i qëndrojnë kohës, jo falë vlerësimeve të jurive klanore, nisur me kritere jashtë letrare dhe jashtë estetike, por për shkak të fuqisë artistike dhe lidhjeve me të ardhmen. Por, ai që e bën veçimin është lexuesi. Në dhjetëra librari të kryeqytetit na thanë se romani “Puthja e ngrirë” i Karadakut është ndër më të kërkuarit.

Një vit më parë, u botua edhe në anglisht romani i Shefki Karadakut “Puthja e ngrirë”, nga një kopje e të cilit ju dhurua selive te huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë erdhi vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter Zingraf për këtë roman tejet të arrirë që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar nga personalitete të botës letrare të kryeqytetit…. I botuar fillimisht në vitin 1994, ribotuar më 2008, tani ribotohet për herë të tretë me kërkesën e lexuesit, për vetë ndërthurjen plot dritë dhe hije, si një afresk bardh e zi nga autori, të lirizmit, heshtjes, frikës, rebelimit, ankthit, jetës, dashurisë….

Që në paradigmë të titullit të romanit “Puthja e ngrirë” futemi përkitazi, në një botë simbolike, përmes reales dhe ireales, jetës dhe vdekjes, dashuri mes puthjesh dhe lektisjesh plot pasion në ngjizje të ardhmërisë dhe ngrirjes. Përshkruhen mjeshtërish artistikisht nga një penë e artë, si Sh. Karadaku: e ngrira, e acarta, e ftohta prej akulli, në imagjinatën e një bote që mbetet pas në kohë dhe hapësirë dhe që është e destinuar të humbasë dhe shkrihet si akulli, sintetizuar kjo te personazhi kryesor, Rroku që ngrihet mbi sistemin që ka mbajtur në këmbë të atin dhe familjen e saj. Prozatori Andon Andoni vlerëson se romani “Puthja e ngrirë” ka një natyrë moderne për sa i përket portretizimit të personazheve. Kjo sipas tij, për faktin se janë natyra njerëzore, që në dukje kanë tipare të veçanta, fytyrë, veshje, shtat, etj., që ngjajnë dhe janë krejt të kundërt me njeri-tjetrin sa i përket karaktereve, çuditërisht, që nga Pigali, Meku, Zurba Sina, dhe deri te Basriu, Rroku, Zibeli, Kanadi të ndarë në dy kategori: tri të parët, edhe pse përmenden rëndom në roman, nuk kanë identikit, janë pa fytyrë, pa shëmbëllim, vetëm emra simbol, e megjithëkëtë janë kaq të qartë dhe prezent në sytë e lexuesit. Të tjerët, madje edhe dy shoqëruesit-vëzhgues, njëri me fytyrë të kuqe si spec dhe tjetri plot prenjka, janë të karakterizuar nga idetë që mbartin, mënyra e të jetuarit plot vitalitet, përmes sakrificës dhe jo rutinës.

Por ajo që është padyshim linja me e bukur e romanit, shprehet Andon Andoni, është dashuria e Rrokut me Zibelin. A thua se nuk i pengon aspak përkatësia shoqërore, rendi klasor dhe ekonomik? Në realitetin e kohës kur dy botë përplasen me antagonizma për jetë a vdekje, nuk ndodhte, porse në letërsi frikshëm, e justifikuar dhe e përligjur kjo dashuri. Sikundër dhe antitezat e Kadillakëve dhe vilave plot shkëlqim, të familjes Sina, me kasollet e braktisura, bodrumin e Basriut dhe Rrokut, me krevate hekuri dhe kamionët që hiqen zvarre nëpër baltë, në roman janë të justifikuara.

Dr. Lutfi Turkeshi, gazetar dhe studiues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar ndër të tjera edhe romanin “Puthja e ngrirë”.

Agim Pipa, poet dhe kritik letrar shprehet se apostulli i poezisë, i tregimit, romanit dhe letrave shqipe, dhe këtë e thotë me bindje të plotë për vetë përmasat e mjeshtrit Karadaku, përbën sot një rast unikal jo vetëm në dukjen, në formën dhe elementë të tjerë të veprës së tij të madhe. Por mbi të gjitha, me përmbajtjen që priret të shkojë fjalë pas fjale, tingull pas tingulli, fonemë pas foneme, ligjëratë pas ligjërate, morfologji dhe sintaksë gjuhësore bashkë, me përmbajtjen që priret të shkojë pra drejt thellësisë së shpirtit të njeriut.

Në romanin “Puthja e ngrirë”, fabula është e thjeshtë: në një qytezë kaq të afërt me botën e jashtme, me të cilën mund ta lidhë vetëm një urë përmbi liqenin Çad, me Nag, ku bie vetëm shi i përbaltur, është ide dhe risi e mendjeve të çliruara nga dhuna dhe diktati i mendjeve të bjerrura prej intelektualësh dhe botës së artit. Dhe pikërisht, në jetën reale të kapërcyellit të sistemeve në vitet ’90, ishin pikërisht shkrimtarët dhe artistët që u përplasën me diktaturën duke i shkaktuar asaj krisjen e parë, në pranverën e ’89, dhe më pas me largimin e Kadaresë dhe më tej. Shumë syresh ishin pjellë e vete sistemit. Zaten njihet fakti që indulgjenizmi është përqafuar prej rinisë intelektuale të kohës, me dëshirën për përmbysjen e etërve ideologjikë. A nuk është dhe personazhi kryesor i këtij romani Zibel Sina, e dashura e tij Zibeli, viktima të atij realiteti?!

Parë nga ky këndvështrim, poeti, publicist, prozatori dhe analisti Sakip Cami veçon faktin që romani “Puthja e ngrirë”, një roman i shkruar në vitet 1990 – 1991, trajton egërsinë e diktaturës komuniste që po jepte shpirt duke vrarë e plagosur, dhe kjo e dhënë nëpërmjet një çifti të rinjsh, Rrok Delisë dhe Zibel Sinës, të cilëve falangat komuniste ua ngrinë puthjen dhe ua mohuan dashurinë duke i vrarë në kufi.

Ndërsa publicisti dhe shkrimtari Xhevat Mustafa shprehet për stilin e Shefki Karadakut si prozator, që sipas tij dallohet edhe nga përdorimi artistik i fantazisë dhe imagjinatës për të krijuar realitetin, si dhe i referimeve plot lehtësi dhe origjinalitet i të shkuarës, në funksion apo shërbim të kohës që përjetojnë personazhet.

Po ashtu, e mirënjohura Kozeta Mamaqi vlerëson se në krijimtarinë e Shefkiut ka shumë sinqeritet, rrjedhë mendimi apo ndjesie me art, lirshëm. “Modestia, që kishte Shefkiu ishte aq e dukshme, aq e vënë re, sa të dukej që ish një me qenien e tij. Them, që kjo dhe urtësia e mirësia në thelb të tij, u bënë shkaku, që edhe pse me një krijimtari shumë të pasur, të mos çmohej sa duhet e si duhet. Kozeta, si dëshmitare e një të vërtete, që e ka ndjerë si një bukuri të dashurisë mes tyre shton, që në ecurinë e suksesshme të Shefkiut në fushën e letrave, një shtysë e frymëzim për të ka qenë shoqja e tij e jetës, Nadirja, lexuesja e parë, inkurajuesja e palodhur.

Qoftë dhe nga vlerësimet e shkrimtarëve e analistëve të mirënjohur dr. Mujë Buçpapaj, Xhevat Mustafa, Andon Andoni, Agim Pipa, Sakip Cami e Kozeta Mamaqi, dalin fare qartë vlerat ideoartistike të fenomenit Karadaku. Ndërkohë që disa shtëpi botuese si institucione të ekzistencës madhore të librit shqip, revistat, portalet e kohëve e fundit, e kanë analizuar dhe glorifikuar në mënyrën më të mirë veprën, artin superior të Karadakut.

Së fundi, mund të themi se “Puthja e ngrirë” e Shefki Karadakut, botuar në fillim të viteve 90, vjen sot me këtë ribotim me tjetër frymë, me qetësinë e asaj çka mbetur në të shkuarën; me gëzimin e së sotmes që e përmend atë si një ëndërr të keqe si lajtmotiv për një jetë më të mirë të shqiptarëve, pas një burgu të hapur në sytë e botës. Dhe e shkuara është dhe përbën histori…

Trashëgimia letare që na la Shefki Karadaku me 13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë, nuk është pak. Ato janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen që të mos ketë “Puthje të ngrirë”, që fjala e lirë të rrjedhë si “Ujëvarë”, që “Gjergj Elez Alia” t’u transmetohet brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërrojë tokat, por të përmirësojë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohet në turizmin tradicional shekullor. Ky është mesazhi që përcjell vepra e Shefki Karadakut. Ndaj, shkrimtarë të tillë si ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.

Të fundit