24/04/2024
7.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Qeveria dështoi me reformat, por arsimi kërkon ndërhyrje të menjëhershme

Sistemi arsimor është në gjendje të rëndë. Krijimi i një Task-Force kombëtare me qëllim hartimin e strategjive ndërhyrëse do të ishte zgjidhje për emergjencën e krijuar. Edhe pse 8 vite në pushtet, qeveria ende nuk ka asnjë raport vlerësimi mbi realizimin e reformave të saj dhe marrjen e përgjegjësisë për mosarritjet e tyre. Reforma kurrikulare në sistemin parauniveristar dhe Reforma në Arsimin e Lartë janë tashmë të dështuara, edhe pse me kosto të lartë financiare.

Dhe për këtë mund të marrim dy nga treguesit e shumtë që e dëshmojnë këtë. Rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve 15-vjeçarë, PISA 2018, që vlerëson shkallën në të cilën nxënësit kanë fituar njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për pjesëmarrje të plotë në jetën shoqërore dhe ekonomike, renditën Shqipërinë shumë poshtë, nën mesataren e vendeve të OECD. Pra, reforma e ndërmarrë nuk dha rezultat.

Gjithashtu, protesta masive studentore e dhjetorit 2018, zhveshi gënjeshtrën e qeverisëse për sukses të reformës në arsimin e lartë e cila, fatkeqësisht, ka dëmtuar arsimin universitar.
Ndaj situata e krijuar në sistemin arsimor, e cila është rënduar edhe më shumë për arsye të keqmenaxhimit të qeverisë të pasojave të tërmetit dhe pandemisë, kërkon zgjidhje emergjente.

Kështu, një Task-Forcë kombëtare do të ishte mundësia e mirë për të vënë sistemin e hallakatur arsimor në shërbim të përmirësimit të dijes, duke hartuar plan veprimin me disa pika kthese:
– Mësimdhënie me bazë të shëndoshë akademike që mbështetet mbi njohuritë e mëparshme të nxënësve;
-Mësimdhënie për të kuptuarit thellë nëpërmjet të menduarit të arsyetuar;
-Transferim i njohurive të nxënësve në situata të tjera jashtë shkollës dhe universitetit;
-Sukses për të gjithë nxënësit, pavarësisht nivelit dhe aftësive;

-Fuqizim të mësuesve, pedagogëve dhe drejtuesve nëpërmjet fleksibilitetit të lirisë mësimore, akademike dhe menaxheriale;
-Ndërtimi i një mjedisi që mbështet të nxënit, investim në infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore.

Dhe sfida e Task-Forcës do të jetë që të zëvendësojë zbatimin sipërfaqësor të deritanishëm me gjoja reformë të ndryshimit, me koherencë të programit mësimor dhe kuptimit të thellë të tij.

Kështu, krijimi i një pakete të mirë ndërhyrëse do të sjellë pakësim të numrit të dështimeve dhe realizim të sukseseve, të cilat do të çojnë në rigjallërim të mësimdhënies dhe të nxënit, për të cilën ka aq shumë nevojë në jetën e mësuesve dhe nxënësve, studentëve dhe pedagogëve.

Pasi një problem i madh që përballen shkollat dhe universitetet sot është mbingarkesa, paqartësia dhe pasiguria.
Mbështetja dhe mbikëqyrja e ndërhyrjeve përmirësuese do të mundësojë realizim sa më mirë të tyre. Pasi një mësues dhe pedagog nuk mund të punojë në një mjedis kulturor negativ, një shkollë dhe universitet nuk mund të zbatojë ndryshime të suksesshme nëse vepron në një ambient mësimor që nuk e ndihmon, një ambient mësimor nuk mund të vazhdojë një punë të tillë në qoftë se nuk punon në një shtet që nuk e ndihmon për të vazhduar ecurinë e ndryshimeve.

Reformë nuk do të thotë të vësh në zbatim një politikë të caktuar që mund ta quash edhe bashkëkohore madje, por reformë do të thotë të ndryshosh kulturën e klasave, shkollave, auditorëve dhe universiteteve.

Dhe te ne ka ndodhur e para, është ndërhyrë në sistem gabim dhe për përfitim politik. Por, shkollat dhe universitetet që detyrohen nga politika të ndërmarrin ndonjë risi apo model që del, mund të duken të mira nga larg, por, në fakt, janë të sëmura rëndë dhe të destinuara të dështojnë.

Pasi, vërtet duhet të vlerësohet nevoja dhe pasuria e burimeve të jashtme, por jo të bëhen viktimë e tyre duke ndërtuar një model farsë, jashtë shtratit tonë socio-kulturor, sikurse ka ndodhur për shembull me kurrikulën e huazuar të sistemit parauniversitar apo modelin anglosakson, danez e finlandez.

Është e rëndësishme të kuptohet që çdo ndërhyrje në arsim shoqërohet me një proces të ndërlikuar shoqëror pasi të gjithë aktorët duhet të kuptojnë qartë se çfarë po ndodh, si duhen zbatuar dhe, si të zbatohen ndryshimet.

Shkollat dhe universitetet janë shumë më tepër konservatore në favor të status quo-së, sesa ndihmojnë shndërrimet. Dhe kjo sjell ndërlikim të procesit.

Por kulturat edukojnë, ndaj duhet ndërtuar një model yni në shërbim të krijimit të kapitalit shoqëror dhe intelektual, aq më tepër në kushtet e emergjencës ku ndërhyrja për ndryshim në arsim është domosdoshmëri.

Të fundit