29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Qeveria në Kuvend do ta dorëzojë nominimin e Penov për ministër të Vetëqeverisjes Lokale

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot do ta dorëzojë në Kuvend nominimin e Risto Penov për ministër të Vetëqeverisjes Lokale, pasi që paraprakisht e dërgoi edhe dorëheqjen e bashkëpartiakut të tij nga PLD i cili e mbante këtë funksion, Goran Milevski, deklaroi kryeministri Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

Paraprakisht kryeministri ka deklaruar se nuk ka kurrfarë paralajmërimi për çfarëdo ndryshime në përbërjen e Qeverisë.

“Unë e di se BDI për më 15 tetor ka paralajmëruar zgjedhje të kryesisë, por nuk ka asnjë paralajmërim për momentin për çfarëdo ndryshime në përbërjen qeveritare”, ka deklaruar Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske nëse pret ndryshim të strukturës qeveritare pas paralajmërimeve të BDI-së për reformim brenda partisë.

Përndryshe, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski më 20 shtator ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit. Milevski është anëtar i Partisë Liberal Demokratike që nga viti 1995. Që nga viti 2015 mban postin e kryetarit të PLD-së. Ai është zgjedhur Ministër i Vetëqeverisjes Lokale më 27 qershor 2019.

Kush është Risto Penov?

Risto Penov ka lindur më 28 shtator 1957 në Veles. Është i diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Shkup, ndërkaq ka magjistruar në Fakultetin Juridik. Në vitin 1996 në zgjedhjet lokale u zgjodh kryetar i Qytetit të Shkupit, ndërsa mandatin e dytë e mori në zgjedhjet lokale të vitit 2000. Pas përfundimit të postit të kryetarit të Qytetit, Penov ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë për dy mandate. Ai gjithashtu ka mbajtur disa pozita partiake.

Të fundit