28/03/2024
9.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Qeveria: Të anulohen udhëtimet dhe ekskursionet në Itali dhe në vende të tjera ku ka koronavirus

Qeveria sot në seancë solli vendim për t’i obliguar të gjitha shkollat fillore dhe të mesme si dhe të gjitha universitetit që t’i anulojnë të gjitha udhëtimet e parapara dhe ekskursionet në Itali, si dhe të organizojë orë edukative për parandalim prej koronavirusit, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale dhe qendrat për shëndet publik. Qytetarëve të vendit u rekomandohet të mos udhëtojnë në Itali dhe në vendet e tjera ku është regjistruar prani më e madhe e koronavirusit.

Këto janë një pjesë e shumë konstatimeve të cilat Qeveria sot në seancën e 11-të i solli me interes për mbrojtjen e shëndetit publik dhe shëndetit të qytetarëve, ndërsa në bazë të rekomandimeve të Shtabit të krizave për ballafaqim me koronavirusin të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Komitetit drejtues për koordinim dhe menaxhim në sistemin për menaxhim me kriza.

Qeveria, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, e angazhoi Ministrinë e Shëndetësisë urgjentisht të furnizojë sasinë e përshtatshme të mjeteve mbrojtëse (maska, doreza, mjete dezinfektuese dhe rroba mbrojtëse) për institucionet e sistemit për Menaxhim të integruar kufitar dhe për institucionet e tjera me qëllim të mbrojtjes së personelit, si dhe sasi të përshtatshme të sapunit dhe mjeteve dezinfektuese për shkollat, kopshtet e fëmijëve dhe tualetet publike.

Në seancë është përcaktuar konstatimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të formuar qendër të përhershme për informimin e opinionit në të cilin do të kyçen edhe Policia kufitare, Qendra për menaxhim me kriza dhe Sektori për marrëdhënie me opinionin në Qeveri.

Kjo qendër, siç thuhet, do të vendosë bashkëpunim të ngushtë me mediat në vend dhe do të ketë për qëllim t’i grumbullojë të gjitha informacionet relevante me qëllim që në kohë, saktë dhe në mënyrën më të përshtatshme ta informojë opinionin për parandalim dhe mbrojtjen e popullatës nga përhapja e koronavirusit, si dhe për procedurat dhe kornizën institucionale në pjesën e mjekimit të pasojave nga virusi.

Qeveria solli konstatim për ta kufizuar hyrjen në vend prej rajoneve të krizës nga Italia e Veriut vetëm përmes aeroporteve në Shkup dhe Ohër dhe vendkalimet kufitare Qafthanë, Tabanocë, Bllacë, Bogorodicë dhe Deve Bair. Në mesin e konstatimeve të seancës së 11-të të Qeverisë është edhe rekomandimi për institucionet për përkujdesin e fëmijëve të moshës parashkollore të ndërmarrin masa për trajtim të përshtatshëm për dezinfektimin e veshmbathjeve gjatë hyrjes në kopshte”, qëndron në kumtesë. MIA.shk/

Të fundit