29/03/2024
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Qytetarët e RMV-së do të shohin mbeturina edhe tre-katër vite, deponi bashkëkohore në vitin 2027 (Infografik)

Maqedonia do t’i fillojë investimet për përgatitjen e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave në gjysmën e dytë të vitit 2024, ndërsa deponitë bashkëkohore rajonale sipas standardeve të BE-së do të përfundojnë deri në shtator të vitit 2027. Këto janë kornizat e përgjithshme kohore për realizim të projektit me vlerë prej 55 milionë eurosh, për të cilin qeveria e Maqedonisë në janar të këtij viti e nënshkroi marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, shkruan Meta.mk.

Së bashku me deponitë rajonale bashkëkohore që do të jenë të vendosura në komunat Gostivar (Rajoni i Pollogut), Novaci (Rajoni i Pellagonisë dhe ai jugperëndimor) dhe Vasilevë (Rajoni i Vardarit dhe ai juglindor), me këtë projekt do të ndërtohen edhe stacione ngarkimi për mbeturinat në komunat e mbetura, ndërsa çdo pushtet lokal në këto pesë rajone do të pajiset me automjete speciale dhe kontejnerë për grumbullim të mbeturinave.

“Projekti për herë të parë do të implementojë shërbime për mbeturina të ngurta komunale në pajtim me standardet adekuate të BE-së në këtë sektor, duke mbuluar një popullatë prej më shumë se një million banorësh në pesë rajone administrative dhe 48 komuna në vend, me çka vetë huaja për zgjidhjen e problemit me deponitë e egra dhe mbeturinat dhe hedhja e pakontrolluar e mbeturinave në natyrë do të realizohet në dy transhe. Transhi i parë është në vlerë prej 47,5 milionë eurosh dhe do të mund të tërhiqet me nënshkrimin e huasë, ndërsa transhi i dytë deri në 7,5 milionë euro do të jetë joobligativ dhe do t’i nënshtrohet shqyrtimit  plotësues dhe të veçantë.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor sqarojnë se në fillim të këtij muaji është nënshkruar marrëveshja me kompaninë konsulente, e cila do ta fillojë përgatitjen e dokumenteve për prokurim publik të automjeteve, kontejnerëve dhe koshave për mbeturina, si dhe për realizimin e punëve-ndërtimore të stacioneve për ngarkim-shkarkim dhe deponive rajonale.

“Përgatitja e këtyre dokumenteve është e paraparë të zgjasë tre muaj, pas së cilës do të shpallen thirrjet”, e sqarojnë nga kjo ministri periudhën kohore që do të nevojitet para se të publikohen tenderët ndërkombëtarë për përzgjedhjen e realizuesve që do të punojnë në krijimin e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave  në pesë rajone.

Përveç BERZh-it, për krijimin e sistemeve rajonale për menaxhim me mbeturinat pritet edhe mbështetje financiare nga Programi i investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) në shumë prej 22,3 milionë eurosh, si dhe 2 milionë euro për përgatitje të studimeve për zhvillim në të dy rajonet. Përgatitjen e projektit dhe implementimin e tij e mbështeti Agjencia Ndërkombëtare e Suedisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA), me mjete financiare prej një milion eurosh.

Në mënyrë plotësuese, për rajonin e Pollogut dhe deponinë e atjeshme në Rusino është siguruar mbështetje financiare zvicerane  që do të dedikohet për finalizim dhe rehabilitim të kësaj deponie dhe për zhvillim të mëtejshëm të menaxhimit institucional në nivel rajonal dhe lokal të këtij sektori.

Për dallim nga problemet e shumta me mungesën e vullnetit të komunave për implementim të projekteve për ndërtimin e deponive rajonale, pritet që pushtetet aktuale komunale për projektin e ardhshëm të mos bëjnë problem siç bëri Komuna e Sveti Nikoles për deponinë rajonale në Meçkuevci, si dhe më herët me shembullin e Debërcës për realizimin e deponisë bashkëkohore për rajonin jugperëndimor.

Nga “Pakomak” për Meta.mk sqarojnë se mënyra e vetme që të zvogëlohet sasia e mbeturinave të përziera që përfundojnë në deponitë është implementimi korrekt i ligjeve në lidhje me mbeturinat dhe edukimi i vazhdueshëm i qytetarëve, komunave dhe ndërmarrjeve të tyre publike komunale.

Nga “Pakomak” rikujtojnë se komunat duhet që tani t’i përgatisin të gjithë kompetentët në nivel lokal, sepse pasi të implementohen deponitë rajonale si qendra për grumbullimin e mbeturinave, çdo deponim i mbeturinave te ato do të paraqesë shpenzim për komunën gjegjësisht për banorët e saj.

“Të shpresojmë se deponitë rajonale do të implementohen shumë shpejt”, thonë nga “Pakomak”.

Përndryshe, Maqedonia tashmë 19 vite po përpiqet t’i realizojë sistemet rajonale për menaxhim me mbeturinat. Dëshira për anëtarësim në BE dhe pajisja e vendit me status të kandidatit, në aspekt kohor është thuajse në periudhë identike me ndërmarrjen e obligimit nga autoritetet e Maqedonisë për ndërtimin e deponive të reja sipas standardeve evropiane, por aspak nuk arrijmë të përfundojmë të paktën një projekt të tillë deri sot e kësaj ditë.

Në raportin e fundit për progresin reformues të Komisionit Evropian në pjesën e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike, pikërisht ndërtimi i deponive rajonale është identifikuar si një nga tre aktivitetet kyçe për të cilët duhet të punojnë autoritetet e Maqedonisë gjatë vitit 2023.

Sasia e mbeturinave të krijuara nga qytetarët rritet

Dhe derisa autoritetet e Maqedonisë thuajse dy dekada e kanë shtyre vendosjen e standardeve evropiane në menaxhimin me mbeturinat, të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës alarmojnë mbi problemin në rritje e sipër të sasive të rritura të mbeturinave komunale që i krijojnë qytetarët. Njëkohësisht, ndër vite po forcohet hendeku midis vëllimit të mbeturina të krijuara dhe asaj që është grumbulluar nga ana e ndërmarrjeve publike komunale, sepse pikërisht ky dallim përfundon nëpër deponitë e egra gjithkund nëpër natyrë.

Të dhënat statistikore për vitin 2022 tregojnë se sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të krijuara në Maqedoninë e Veriut ka qenë 856.766 ton. Kundrejt kësaj, sasia e mbeturinave të grumbulluara komunale vitin e kaluar nga ana e ndërmarrjeve publike komunale ka qenë 605.638 tonë dhe e njëjta shënon rënie prej 4,2 përqind në krahasim me vitin 2021.

Problemi në rritje me menaxhimin e mbeturinave mund të vërehet nëpërmjet sasisë vjetore të mbeturinave që e krijon një banor i Maqedonisë së Veriut. Numrat ndër vite rriten, për të arritur kulminacion në vitin 2022, kur Enti Shtetëror i Statistikës ka regjistruar se një banor i Maqedonisë mesatarisht ka krjiuar 467 kilogramë mbeturina komunale, që është për 3,3 përqind më shumë se në vitin 2021.

Të fundit