16/04/2024
19.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Qyteti i Shkupit ka zgjedhur kompaninë që do të zhvillojë projektin ideor për “tramvajin me rrota”

Autoritetet e qytetit të Shkupit i zgjodhën projektuesit të cilët do të hartojnë projektin ideor për linjën e parë të sistemit të autobusëve të shpejtë – BAS (Bus Rapid Transit) në Shkup. Është një grup prej dy ofertuesve, Kompania për tregti dhe shërbime projektuese 24 ING SHPKNJP nga Manastiri dhe kompania tregtare për projektim, inxhinieri dhe këshillim PRIMA INZHENERING nga Shkupi. Linja e parë e “tramvajit me rrota” do të ndërtohet në segmentin nga Novo Lisiçe deri në Gjorçe Petrov, do të jetë e gjatë afërsisht 12,81 km dhe do të ketë 21 stacione e 2 terminale për autobus, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

“Sipas kontratës dhe detyrës së projektit, bartësi i prokurimit pas pranimit të porosisë për fillim të shërbimit, do të ketë në dispozicion 100 ditë pune për të kompletuar dokumentacionin e projektit. Në atë periudhë nuk do të hyjnë ditët që do t’i duhen qytetit për të rishikuar dokumentacionin dhe për të dhënë vërejtje lidhur me të, si dhe ditët që bartësi i prokurimit do t’i ketë në dispozicion për të vepruar sipas vërejtjeve”, thonë për “Meta.mk” nga Qyteti i Shkupit.

Nga projektuesi pritet të përgatisë projektin ideor të trafikut, projektin ideor arkitektonik, projektin ideor për ndërtim, si dhe projektet ideore për rrugët, instalimin dhe pajisjet makinerike, hidroteknike, instalimin termoteknik dhe analizë për rreziqet e projektit. Në këtë fazë, do të analizohet kapaciteti i depove ekzistuese të NQP-së në Gjorçe Petrov dhe do të bëhen projektime të përmbajtjeve të reja për depon e ardhshme në Novo Lisiçe.

Për përgatitjen e dokumentacionit të plotë të projektit janë ndarë rreth 95.000 euro. Ndryshe, në tenderin që u shpall nga Qyteti i Shkupit kah fundi i korrikut sivjet, oferta paraqitën dy kompani. Për momentin, autoritetet e qytetit nuk mund të thonë kur do të publikohet shpallja për përgatitjen e projektit për ndërtim të sistemit të autobusëve të shpejtë, sidoqoftë, së pari duhet të përfundojë përgatitja e projektit ideor.

“Tramvaji i ardhshëm me rrota” do të qarkullonte nga stacioni i fundit i linjave të autobusëve 5 dhe 15 në Novo Lisiçe deri në rreth rrotullimin në bulevardin “Aradhat partizane”, “Boris Sarafov” dhe “Luka Gerov” në Gjorçe Petrov. Kohëzgjatja e udhëtimit me BAS linjën e parë nga Novo Lisiçe në Gjorçe Petrov dhe anasjelltas do të ishte 35 minuta, me shpejtësi komercial të autobusit prej rreth 19.2 kilometra në orë. Ky mjet i ri i transportit publik do të ndahej fizikisht nga rruga ekzistuese dhe do të lëvizte në mes të bulevardeve dhe rrugëve nëpër të cilat do të kalojë.

Përndryshe, qeveria e Maqedonisë për linjën e parë të sistemit të autobusëve me shpejtësi të lartë në Shkup tashmë ka kërkuar fonde në vlerë prej 70 milionë euro nga Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim.

Të fundit