19/04/2024
7.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Raportet Shkup-Sofje: Kryeministrat po vozisin “turbo”, presidentët në “rikuerc”, e perspektiva evropiane sërish në “ler”!

Nuk zgjati shumë gëzimi i qytetarëve euro-optimistë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, se me zgjedhjen e dy kryeministrave të rinj në Shkup dhe Sofje, Dimitar Kovaçevski e Kiril Petkov, zgjidhja e problemit historiko-gjuhësor është gjithnjë e më afër.

Me vizitat e dyanshme brenda vetëm një jave në Shkup dhe Sofje, Kovaçevski dhe Petkov filluan të “vozisin” me shpejtësi “turbo” në drejtim të zgjidhjes përfundimtare, që më pas me të njëjtën shpejtësi vendi ynë të vazhdojë të “vozisë” drejt Brukselit.

Mirëpo gëzimi nuk zgjati shumë, sepse dy presidentët, Stevo Pendarovski dhe Rumen Radev e zbehën optimizmin, duke e kthyer madje në “rikuerc”, shkruan Zhurnal.

Euforinë euro-optimiste të krijuar pas dy takimeve Kovaçevski-Petkov dhe bashkëpunëtorëve të tyre të afërt, fillimisht e zbehu presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski.

“Mendoj se bëhet fjalë për fillim të shkëlqyeshëm të kësaj faze të marrëdhënieve tona bilaterale. Ka dy qeveri të reja, dy kryeministra të rinj të cilët nuk vijnë nga shkolla e vjetër, dëgjohet retorikë e re, ndjehet energji e re, ndërkaq ka edhe metodologji të re – grupe të reja të punës, komisione, në vend të propozimeve të Lisbonës. por, më duhet të them në mënyrë të kristaltë qartë, bëhet fjalë vetëm për fillim, për fazë nismëtare në të cilën të dyja palët shprehin dëshira të mira se si do të donin të zhvillohej procesi. Por, jemi larg hyrjes së thellë në proces dhe ende jemi larg përfundimit të tij të mundshëm pozitiv”, tha shefi i shtetit Pendarovski, duke shprehur skepticizëm se kontesti vështirë mund të zgjidhet brenda gjashtë muajve, shkruan Zhurnal.

Dhe deri sa bënim analiza nëse Pendarovski është shprehur pa dashje gabimisht, ose fjalët e tij janë nxjerrë nga konteksti, një “dush” edhe më I ftohtë erdhi nga presidenti Bullgar Rumen Radev. Ai e cilësoi vizitën e Petkovit në Shkup si të shpejtuar, e madje shprehi edhe brengosje mos ndoshta në këtë mënyrë i ka bë favor Maqedonisë së Veriut në kontestin mes dy vendeve.

Sipas Radev, për diplomacinë bullgare me rëndësi është tërësisht ta realizojmë kapacitetin tonë profesional, të mos besojë në ekspertizën e jashtme, organizatat joqeveritare dhe të mos i nënshtrohet presionit të jashtëm, tha shefi i shtetit bullgar.

“Çdo aksion i përshpejtuar i qeverisë bullgare, çdo sinjal pozitiv preliminar mund të interpretohet gabimisht si disa lëshime nga pala bullgare.

Bullgaria gjithmonë është e hapur për dialog.

Bullgaria tërë kohën ka nisur dialog, kur politikanët e RMV-së ishin në turne nëpër kryeqytetet evropiane dhe e shmangën Sofjen, por më vjen mirë që dialogu ka filluar të ndodhë,” tha presidenti. Jemi në kontakt me presidentin Stevo Pendarovski, por do të kërkojmë një moment të përshtatshëm për takim të nivelit të lartë, sigurisht që varet nga veprimet e tij”, deklaroi presidenti bullgar Rumen Radev.

Krejt këto zhvillime hapin dilemën nëse vërtetë sërish jemi larg zgjidhjes së shumëpritur, ose presidentët Pendrovski e Radev janë të prekur në “sedër” sepse ndihen të anashkaluar në negociata nga dy kryeministrat Kovaçevski e Petkov. Shpresojmë të jetë e dyta, sepse kthimi mbrapa në negociata do të ishte diçka e dëmshme, posaçërisht për vendin tonë.

E që mund të bëhet fjalë për mundësinë që presidentët të ndihen të anashkaluar në një çështje ku vlerësojnë se duhet ta kenë fjalën kryesore, flet edhe fakti se në Bullgari ka filluar një “luftë” e vërtetë në relacionin President-Kryeministër në këtë temë.

Petkov është përgjigjur menjëherë, duke thënë se vizita e tij në Maqedoninë e Veriut nuk ishte e përshpejtuar, por “tmerrësisht shumë e vonuar”.

“E vërteta është se Bullgaria humbi 30 vite në ato marrëdhënie. Vizita ime jo vetëm që nuk është e përshpejtuar, por edhe tmerrësisht e vonuar. Jo unë si kryeministër, ajo ishte vonuar sepse pala bullgare duhet të ketë pozicion aktiv, të ketë ton konstruktiv të veprimeve, të ketë qëllime të qarta dhe qasje të saktë”, tha Petkov.

Për çka bëhet saktë fjalë do të mund të vlerësojmë në takimin e ardhshëm mes dy presidentëve, që sipas presidentit Pendrovski do të realizohet brenda më pak se një muaji në Sofje. Por për ne si qytetarë është shumë më me rëndësi ët marrë fund kontesti, se sa kush do ta marrë “stafetën” dhe meritat për zgjidhjen e tij, kryeministrat ose presidentët!///Zhurnal

Të fundit