28/03/2024
9.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Rasti “Durmo”, ekspertët e komunikacionit përjashtojnë mundësinë që rruga dhe autobusi të jenë shkaktar të aksidentit

Gjendja e rrugës dhe gjendja e autobusit të “Durmo Turs” nuk janë shkaktar të aksidentit i cili ndodhi në vitin 2019-të në Llaskarcë të Shkupit, ku humbën jetën 16 persona dhe mbi 30 të tjerë u lënduan. Këtë mes tjerash e thanë sot në seancë gjyqësore, ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit, e cila është bërë me qëllim që t’i pastrojë mendimet e ndryshme të tre ekspertizave tjera të komunikacionit, të cilat janë bërë paraprakisht, me porosi të palëve, raporton Portalb.mk.

Ekspertët e komunikacionit, sot deklaruan se ata kanë analizuar tre faktorë si shkaktar të mundshëm të aksidentit – rrugën, autobusin dhe shoferin. Siç thanë ata, prej këtyre treve, autobusi dhe rruga nuk janë shkaktarë të aksidentit. Në fakt, ashtu siç shpjeguan ekspertët, faktorin e autobusit si shkaktar të mundshëm të aksidentit, e kanë marrë të gatshëm nga ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspretizën makinerike.

“Koleget e makinerisë na thanë se faktori autobus nuk ka qenë arsye për aksidentin.
Ekspertiza e eksperteve makinerik na ka ndihmuar gjatë përgatitjes së superkespertizes së komunikacionit. Faktikisht të mënjanohet dilema nëse faktori njeri ose automjeti ka qenë arsye.
Sipas tyre boshti i drejtimit, nuk ka qenë arsyeja për devijimin e automjetit”, tha eksperti, Jakub Mamuti.

Ndaj përgjigjes së tij, ndërhyu kolegu i tij, Lupço Apostollovski, i cili e plotësoi duke thënë se sipas ekspertëve të makinerisë, sistemet e autobusit nuk janë arsyeja për aksidentin.

“Jo vetëm boshti drejtues, por gjithashtu edhe sistemi i drejtimit nuk ka qenë arsye për aksidentin, ashtu sikur edhe sistemi për frenim. Këto informata i morëm nga ekspertët e makinerisë”, tha Apostollovski.

Prokurori Darko Jakimovski theksoi se ekspertët, e kanë përgatitur ekspertizën duke mos sqaruar se cilat fakte i kanë marrë parasysh.

“A shkruan një fjalë në ekspertizë se e keni marrë parasysh superekspertizën makinerike, dhe që bazohemi në mendimin e tyre”, pyeti prokurori Jakimovski, disa herë ekspertin Mamuti, pas çka mori përgjigje mohuese nga ana ekspertit.

Eksperti Lupço Apostollovski tha se mendimin e tyre të përgjithshëm nuk e bazojnë vetëm në mendimin e ekspertëve makinerik.

“Ne nuk e bazojmë mendimin tonë vetëm në bazë të mendimit të ekspertëve makinerik.
Nëse merren parasysh edhe elementet tjera, do të japim  përgjigje shumë më precize për mendimin tonë”, tha Apostollovski.

Ai i numëroi arsyet pse e kanë përjashtuar edhe faktorin rrugë si arsye të aksidentit.

“Nuk ka asnjë problem në lidhje me rrugën, s’ka ndonjë gropë, pengesë ose ngjashëm, apo diçka tjetër që do të ndikonte ndaj autobusit. Kur jemi te faktori rrugë dua të theksoj edhe një punë. Ekspertizat e komunikacionit atë pjese të rrugës e definojnë si kthesë të butë”, tha Apostollovski.

Pas kësaj, prokurori e pyeti “pse merreni me faktorin shofer?” dhe nuk shpjegoni për çështjen e ekspertizës së komunikacionit në aspektin e rrugës.

Eksperti tha se në disa pjesë të ekspertizës kanë sqaruar për çështjen e rrugës.

“Në faqen 4 të mendimit ka të dhëna për rrugën dhe motin. Në faqen 5, është paraqitur rruga me incizim satelitor ku mund të shihet nëse rruga është e drejtë”, tha Apostollovski duke numëruar dhe disa faqe tjera ku mes tjerash shihen edhe gjurmët.

Kjo është seanca e dytë që dëshmojnë ekspertët që e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit.

Nga seanca e parë mund të lexoni: Eksperti Mamuti: Analizuam rrugën dhe shoferin pasi ekspertët e makinerisë na thanë që autobusi nuk është shkaktar

Paraprakisht, kanë dëshmuar edhe ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën makinerike.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën makinerike, por edhe të komunikacionit pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

Të fundit