Maqedoni

RDK e Vesel Memedit mbështet Pendarovskin

Nëpërmjet një njoftimi të Rilindjes Demokratike Kombëtare thuhet se “RDK mbështet kandidatin konsensual”.

“Në mbledhjen e Kuvendit qendror të Rilindjes Demokratike Kombëtare të mbajtur sot në zyrat e partisë, me unanimitet të plotë u konfirmua mbështetja për kandidatin konsensual për zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga RDK.

Ata shtojnë se RDK me kontributin e saj modest, që nga organizimi i zgjedhjeve kuvendare të vitit 2016, punoi me urtësi të lartë në formimin dhe krijimin e një shumica kuvendare që do të rezultoi në formimin e koalicionit qeveritar, që mori mbi vete barrën historike të ndryshimeve kushtetuese, kompromiseve të mëdha, barazisë gjuhësore, dhe investimit të madh kapital drejt NATO-s dhe BE-së.

“Edhe pse ishim pakicë, dhe u sulmuam ashpër nga të gjitha anët, RDK qëndroi paluhatur, me të vetmin qëllim që të mos lejojë proceset të kthehen mbrapsht, por të shkojnë në drejtimin e duhur të interesit kombëtarë”, thonë nga kjo parti.

“RDK vlerëson se mbështetja e kandidatit konsensual ndodh për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, dhe kjo kandidaturë ka kuptim të përkrahet dhe të votohet sepse nënkupton pranim të barabarësisë të të gjithë qytetarëve të vendit. Votimi pro kandidatit konsensual, është dëshmia më e fortë që jep legjitimitet të përhershëm të Marrëveshjes së Prespës, ndryshimeve kushtetuese, si dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve. Votimi kundër kandidatit konsensual, ose abstenimi, nuk është asgjë tjetër përpos tentim për të deligjitimuar arritjet e deritanishme, për të deligjitimuar Marrëveshjen e Prespës, ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndryshimet kushtetuese dhe barabarësinë e plotë të të gjithë qytetarëve” , thuhet në njoftimin e kësaj partie.

“RDK vlerëson se është momenti historik që shqiptarët, bashkërisht me qytetarët e nacionaliteteve më të vogla, të përkrahin fuqimisht kandidatin konsensual, që deklaron haptas se pranon të jetë kryetar i gjith qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, dhe t’u jepet fund një herë e përgjithmonë, kandidatëve që angazhohen të kenë përkrahjen e vetëm një etnie, kurse të tjerët t’i shndërrojnë në argat të tyre për të pasur shumicën, siç ka ndodhur në të kaluarën. Si përfundim i gjithë kësaj, nuk ka dilemë se këto zgjedhje presidenciale, një herë e përgjithmonë do të pastrojnë rrugën e secilit kamp që ka vepruar në skenën politike, që nga dita e parë e pluralizmit në vend”, thuhet në fund të njoftimit RDK-së.

Related posts

SHGM: Rasti i 1TV është alarmi i fundit për reformat urgjente në media

Televizioni Koha

Sugareski: Dinamizimi i ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër

Televizioni Koha

Zaev të Mërkurën takohet me Edi Ramën

Televizioni Koha

Leave a Comment