25/04/2024
5.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Reagim lidhur me preskonferencën e Komunës së Gostivarit

Duke pasur parasysh faktin se përsëri aktualizohet çështja që ka të bëjë me shkarkimet dhe emërimet e drejtorëve në shkollat fillore dhe të mesme të Gostivarit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka për detyrë që edhe një herë të sqarojë se, MASH-i është institucion që nuk vepron në mënyrë arbitrare dhe sipas vullnetit të individëve por vepron vetëm në përputhje me Ligjin dhe respektimin e dispozitave ligjore në vend, si dhe të vendimeve të institucioneve dhe organeve tjera përgjegjëse për kontrollin, mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen për situata të caktuara, siç është rasti konkret në komunën e Gostivarit.
Në fakt, siç është njoftuar tashmë opinioni, pas mbikëqyrjeve inspektive nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit janë konstatuar një sërë parregullsish dhe mosrespektimi i ligjeve nga kryetari i komunës së Gostivarit dhe vetëqeverisjes lokale në procedurat për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve të shkollave. Fjala është për procedurën e parregullt të cilën e kanë përsëritur dy herë e, që në fakt është edhe baza për marrjen e kompetencave Komunës në sferën e arsimit dhe obligimin për kryetarin e komunës për kthimin e gjendjes së mëparshme.
Arsimi është sferë në të cilën politika nuk duhet të integrohet dhe të shkaktojë dëme në procesin arsimor të nxënësve. Institucionet e arsimit duhet të kenë udhëheqës të cilët nuk do të lejojnë në asnjë moment dhe në asnjë rast të devijojë procesi i arsimit dhe edukimit të nxënësve.
Prandaj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përputhje me kompetencat e marra nga Komuna e Gostivarit dhe duke e respektuar dhe vepruar sipas Vendimit të Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë për Marrëdhënie Pune në Shkallën e Dytë, me të cilin miratohet ankesa e drejtorëve të shkarkuar të shkollave në mënyrë joligjore në Gostivar, solli Vendim për kthimin e tyre në pozitat e punës prej së cilës janë shkarkuar në mënyrë joligjore.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e obliguar t’i respektojë vendimet e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë për Marrëdhënie Pune në Shkallën e Dytë dhe të veprojë konform të njëjtave, që do të thotë se vendimi i marrë është veprim në përputhje me vendimin e Komisionit të Shkallës së Dytë.
Edhe një herë i bëjmë thirrje Komunës së Gostivarit, kryetarit të kësaj komune dhe udhëheqjes së saj që të mos akuzojnë me hamendësime dhe në mënyrë të rrejshme vetëm për qëllimet e tyre politike dhe të mos e përfshijnë politikën në procesin edukativo-arsimor, sepse në këtë situatë të krijuar dëm u shkaktohet vetëm nxënësve dhe procesit edukativo-arsimor.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Të fundit