28/09/2023
24 C
Tetovo

Të tjera lajme

Reagime në rajon pas deklaratës së rrezikshme të ministrit serb të Mbrojtjes Vuçeviq

Pas propagandës ndezëse të ministrit serb të mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Përparimtare Serbe Millosh Vuçeviq ndaj Jugosllavisë dhe Malit të Zi, me reagime dolën zyrtarë të lartë shtetërorë nga vendi, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Ndaj deklaratës së Vuçeviqit ka reaguar ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani, i cili në rrjetin social X ka shkruar se vendi refuzon ndërhyrjet dhe deklaratat e papërshtatshme të zyrtarëve nga vendet fqinje.

“Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Pritet sqarim nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, ka shkruar ministri Bujar Osmani.

Pas reagimit të Osmanit, ministri serb i Mbrojtjes në vend që t’i kërkonte falje S. Maqedonisë për ndërhyrje në punët e brendshme dhe të jashtme të vendit, Vuçeviq u përlesh me Bujar Osmanin në rrjetin social X.

“Përkundër të gjitha raportimeve dashakeqe dhe të pabaza në media, #Serbia vepron si një partner i përgjegjshëm, i besueshëm dhe i parashikueshëm i të gjithë fqinjëve tanë. Mbështetja jonë për integritetin territorial të të gjitha shteteve anëtare të OKB-së është e pakushtëzuar. Megjithatë, ne nuk mund të lavdërojmë shpërfilljen e askujt për integritetin tonë territorial. Ngjarjet e fundit kanë vërtetuar paralajmërimet tona se UDI e #Kosovës* nuk është një rast sui generis dhe do të goditet në kokë herët a vonë. “Askush në Serbi nuk mburret për këtë, ata vetëm po i tregojnë faktet”, ka shkruar ministri serb Vuçeviq.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski mbrëmë ka pasur një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pas së cilës Kovaçevski ka shkruar në profilin e tij në Facebook se në bisedë Vuçiq e ka siguruar se popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas e konsideron jashtëzakonisht miqësor dhe se nëse ndonjë qytetar maqedonas është I ofenduar nga çdo mesazh nga shteti serb, Vuçiq do të kërkojë falje personalisht.

Ndaj deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes ka reaguar edhe presidenti malazez Jakov Milatoviq, i cili ka theksuar se është e papranueshme përpjekja për të ndërhyrë me aktorë të huaj në formimin e qeverisë së re malazeze.

Milatoviq ka theksuar se përbërja e sapozgjedhur e Kuvendit të Malit të Zi është shprehje e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët janë bartës të sovranitetit të shtetit. Ai shtoi se pret që formimi i qeverisë së re të bazohet në vullnetin e shprehur lirisht të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare, si dhe në prioritetet programore që do të mundësojnë përshpejtimin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE.

Deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes, i cili vlerësoi se kërcënimet ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të S. Maqedonisë dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, duke theksuar se “Evropa e madhe” është e vetmja e ardhme e tre vendet.

Rama i kujtoi Vuçevicit se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut si vende anëtare të NATO-s janë plotësisht të përkushtuara për sigurinë reciproke dhe integritetin territorial.

Reagimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë nga rajoni vijnë pasi ministri serb i Mbrojtjes tha se njohja e Kosovës do të jetë goditje për S. Maqedoninë dhe Malin e Zi.

“A po flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut?” A flini i qetë? Ata mendojnë se janë në Aleancën e NATO-s dhe se i kanë zgjidhur problemet e tyre… Kjo është mantra e Malit të Zi dhe e Maqedonisë së Veriut. Kur u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra të Aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhë më. Duhet të shikosh çfarë ka në histori, të kuptosh pak rrethanat e tjera dhe të kuptosh se çfarë po ndodh në oborrin e shtëpisë së tyre. Ne nuk duam të udhëheqim politikën e tyre, kjo është çështje e tyre. Por mund të themi se 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të pushtetit në Maqedoninë e Veriut. Nëse është “ok” për maqedonasit, është “ok” edhe për ne, vetëm se padyshim do të keni një politikë që ata të mos e shohin Maqedoninë si vendin e tyre”, tha ministri serb i Mbrojtjes Vuçeviq.

Të fundit