20/04/2024
10.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Regjistrimi/ Molla e re e sherrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Regjistrimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm proces statistikor është proces politik, madje tejet i politizuar. Si askund tjetër, në Maqedoninë e Veriut ka rëndësi kush je, sa je, në çka beson e shumë pyetje tjera. Kjo për faktin se në RMV politikat nuk bëhen sipas nevojave qytetare, por sipas nevojave etnike e religjioze. Prandaj jo të rastësishme edhe reagimet në rrethet etnike. Kësaj here reagimet kanë kaluar kufijtë e territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkruan Zhurnal.

Bullgarët janë ata që kanë ngre zërin. Në moment kur është aktuale dhe në jetë vetoja bullgare për nisjen e bisedimeve aderuese të Maqedonisë së Veriut numri i vogël i bullgarëve të regjistruar në vend është një “fitil ndezës” në kontestin maqedono- bullgar.

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë dhe deputetja Ekaterina Zaharieva nuk është e kënaqur me regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht me numrin e bullgarëve në vend.

“Të dhënat sipas të cilave në Maqedoni janë vetëm 3504 bullgarë janë falsifikuar dhe shoqatat e bullgarëve në vend së shpejti do të dalin me qëndrim zyrtar. Gjëja më e çuditshme është se bullgarët që janë jashtë nuk llogariten, ndryshe nga grupet e tjera etnike. Nuk duhet harruar se në 15 vitet e fundit nënshtetësi bullgare kanë marrë 86.566 qytetarë, duke u deklaruar para autoriteteve tona se identifikohen si bullgarë. Fatkeqësisht, edhe një herë jemi dëshmitarë të politikës së vjetër shtetërore – diskriminim të maqedonasve me vetëdije bullgare dhe përpjekje për t’i margjinalizuar ata”, tha Zaharieva, transmeton Zhurnal.

Sipas saj, një ndërhyrje e tillë në të drejtën e vetëvendosjes është absolutisht e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian.

Rezultatet nga regjistrimi i ka komentuar edhe eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev. Ai thekson se ka insistuar vazhdimisht për ndryshimin e Ligjit për shtetësinë bullgare.

“Të gjithë e dinin se cilat ishin rezultatet “zyrtare” të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni. 3504 qytetarë kanë guxuar të regjistrohen si bullgarë.

Marrja e shtetësisë bullgare nga origjina nuk mund të jetë një akt sekret. Të gjithë ata që kanë marrë nënshtetësinë bullgare nga origjina duhet të deklarohen. Kështu publikohen në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Gjermani apo Francë, shtoi Kovaçev, duke theksuar se të jesh shtetas bullgar vullnetarisht pasi të provosh origjinën tënde bullgare dhe të firmosësh një deklaratë se ndihesh bullgar nuk është sekret apo gjë e turpshme”.

Sipas eurodeputetit bullgar, marrja e shtetësisë “kërkon një ceremoni ose të paktën një foto përpara stemës dhe flamurit”. – Sa do të presë Kuvendi Kombëtar (bullgar)? pyet eurodeputeti Kovaçev, raportojnë mediat bullgare.

Në një reagim në Facebook, Slavi Trifunov, partia e të cilit është pjesë e Qeverisë së Bullgarisë tha se është e absurde të mendohet se kaq bullgarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut, kur sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit, 16.692 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare.

“Sipas ligjeve bullgare, që një shtetas i Maqedonisë së Veriut të marrë pasaportën bullgare, ai duhet të vërtetojë rrënjët e tij bullgare. Kështu, mbi 100.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut i kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare në Bullgari, por në Maqedoninë e Veriut ata kanë frikë të quhen ‘bullgarë’. Pse në një vend normal evropian, ku pretendon të anëtarësohet Maqedonia e Veriut, një person do të kishte frikë të thotë se çfarë është? Ky nuk është një vend normal evropian”, ka shkruar Trifonov.

“Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të jetë një vend normal, evropian dhe të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, atëherë qytetarët e saj do të duhet të deklarojnë lirshëm përkatësinë e tyre dhe të drejtat e tyre nuk duhet të shkelen. Derisa kjo të ndodhë, Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”.

KE: Regjistrimi është një arritje e madhe për Maqedoninë e Veriut

Komisioni Evropian ka përshëndetur regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar si arritje të madhe, njofton korrespondentja e AIM-s nga Brukseli. Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, për AIM-n tha se Komisioni e mirëpret regjistrimin e popullsisë, i cili është bërë për herë të parë që nga viti 2002.

“Kjo është një arritje e madhe: të dhënat e përditësuara të popullsisë janë thelbësore për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përshtatshme sociale, demografike dhe ekonomike për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha Pisonero.

Enti Shtetëror i Statistikave në Maqedoninë e Veriut sot ka shpallur rezultatet e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe ekonomive familjare./Zhurnal

Të fundit