24/04/2024
15.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, disa amvisëri do të paguajnë rrymë industriale – parashikon modeli i ri me bllok-tarifa

Çmimi i energjisë elektrike për familjet në vend nga 1 korriku do të varet nga niveli i energjisë elektrike të konsumuar në tarifën e shtrenjtë ditore, e cila do të ketë katër blloqe. Çmimi më i ulët do të jetë për ata që do të konsumojnë deri në 210 kilovat orë energji elektrike në muaj, në grupin e dytë do të jenë ata me konsum deri në 420 kilovat orë, në grupin e tretë deri në 630 kilovat orë dhe në grupin e katërt mbi 630 kilovat orë energji elektrike, transmeton Portalb.mk.

Përveç kësaj duhet pasur parasysh se çmimi më i lartë nuk do t’i referohet totalit të energjisë elektrike të konsumuar, por diferencës nga kufiri i bllokut tarifor më të ulët dhe atij më të lartë. Për shembull, nëse një familje harxhon 250 kilovat orë energji elektrike gjatë muajit, do të paguajë çmim më të ulët për 210 kilovat orë të shpenzuara dhe për 40 kilovat orë të mbetura do të paguajë tarifë më të lartë, i cili ka të bëjë me grupin e dytë. Për shumicën e familjeve faturat do të jenë më të ulëta, por jo për ato të grupit të katërt, për të cilët çmimi i energjisë elektrike do të jetë pothuajse i njëjtë me atë industrial.

Kjo, ndër të tjera, u theksua sot në debatin e parë publik të organizuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, i cili prezantoi konkluzionet e analizës së reformës së propozuar të sistemit tarifor të energjisë elektrike, të përgatitur nga Fakulteti i Inxhinieri Elektrike dhe Teknologjisë Informative dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”.

“Kemi propozim që të shkojmë me katër blloqe që i referohen vetëm konsumit me tarifë të lartë ditore. Blloku i parë është 210 kilovat orë, i dyti 420, i treti deri në 630 dhe i katërti është mbi 630 kilovat orë me tarifa të shtrenjta”, tha Rubin Talevski, profesor i FIETI, i cili krahasoi modelin e ri tarifor me atë progresiv.

Siç u theksua, sipas propozimit që ende nuk është miratuar, energjia elektrike e konsumuar në bllokun më të ulët deri në 210 kilovat orë me tarifë të shtrenjtë do të paguhet 35 për qind më lirë në muaj se tani. Ata të grupit të dytë, për konsum nga 211 deri në 420 kilovat orë, faturat do të jenë të ngjashme me ato aktuale. Kosto më të larta do të kenë ato të tretit për harxhimin nga 421 deri në 630 kilovat orë, ndërsa akoma më të larta për konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike, gjegjësisht për nivelin prej 630 kilovat orë energji elektrike të shtrenjtë, për të cilët çmimi i energjisë elektrike do të jetë i ngjashëm me atë industrial.

Ndryshe, konsumi mesatar mujor i energjisë elektrike për familje në vend është nën 500 kilovat orë.

Bllok tarifat do të aplikohen vetëm në periudhat e ngarkesave të larta ditore (nga ora 07:00 deri në 22:00), ndërsa në periudhat e ngarkesave të ulëta ditore (22:00-07:00) dhe të dielën do të aplikohet i njëjti çmim.

Nga sa u prezantua në debat, del se edhe me konsum relativisht të lartë, harxhimet e energjisë elektrike duhet të jenë afërsisht të njëjta si tani dhe se tarifa e lirë nuk duhet të ketë rritje serioze sepse mund të japë rezultate më të këqija. Kështu, rreth 13 për qind e familjeve, të cilat janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike, fatura e tyre do të jetë më e lartë nëse llogaritet me modelin e ri, ndërsa rreth 2000 konsumatorët më të mëdhenj do të paguajnë 46 për qind fatura më të larta.

Profesori Risto Filkoski nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, duke prezantuar analizën e konsumit të energjisë elektrike në sezonin e ngrohjes, tha se familjet që konsumojnë deri në 1500 kilovat orë energji elektrike në muaj, duke përdorur modelin e ri do të paguajnë fatura më të ulëta ose të barabarta me ato aktuale nëse raporti i energjisë elektrike të konsumuar në tarifë të lirë dhe në tarifë të shtrenjtë është 50:50.

Kryetari i Komisionit Rregullator për energjetikë, Marko Bislimoski, duke përmbledhur analizën, sqaroi se propozimi i jep zgjidhje njërës nga çështjet që ka shkaktuar shqetësim te qytetarët, si dhe i referohet kohës kur do të lexohen orëmatësit.

“Konsumi do të ulet në baza ditore. Kufijtë e blloqeve janë të tillë që mund të ndahen me 30, në mënyrë që të mos ketë konsumator të pakënaqur. Kështu te ata që nuk e kanë lexuar orëmatësin për një kohë të gjatë do të shmangin hyrjen në ndonjë bllok me çmim më të lartë. Ai problem do të shmanget sepse nëse leximi është 35 ditë, blloku i parë në vend të 210 do të jetë 245 kilovat/orë”, sqaroi Bislimoski.

Ajo që është më e rëndësishmja është se me zbatimin e blloqeve, 87% e amvisërive në muajt e dimrit do të kenë ulje të shpenzimeve të energjisë elektrike, siguron Bislimoski. Amvisëritë e tjera do të kenë rritje të shpenzimeve të energjisë elektrike, çka është edhe vendosja e bllok-tarifave, gjegjësisht të dërgohet sinjal për konsumatorët që konsumojnë shumë, të reduktojnë konsumin e tyre dhe investojnë në pajisje me efikasitet energjetik dhe mënyra të ngrohjes me energji elektrike. Në muajt e verës, nga ana tjetër, 92 për qind e amvisërive do të kenë ulje të shpenzimeve të energjisë elektrike, siguron Bislimoski.

Çdo konsumator do të dijë se cili është çmimi i blerjes së energjisë elektrike, dhe sa është rrjeti, që do të mundësojë në pjesën e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të krahasohen çmimet në tregun e lirë me ato të tregut të rregulluar.

Një nga dilemat në panel diskutimi është nëse bllok-tarifat do të favorizojnë konsumin e tarifave të larta.

Sipas profesor Talevskit, kjo nuk do të ndodhë për shkak se çmimi në tarifën e ulët do të jetë më i ulët se çmimi në tarifën e lartë në bllokun e parë, dhe rrjedhimisht shumë më i ulët se ai për bllokun e katërt.

“Modeli i ri nuk favorizon shpenzimet me tarifa të larta, por në krahasim me modelin e vjetër çmimet mund të jenë pak më ndryshe”, tha Talevski.

Megjithatë, edhe krahas analizave të bëra, për një pjesë të profesionistë të energjisë ka shumë pyetje të hapura. Profesori universitar në pension Konstantin Dimitrov thotë se problemi në vendin tonë vjen nga çmimi i lartë i rrymës, ndërsa ai çmim është i lartë sepse një pjesë të mirë të energjisë elektrike e importojmë.

“Me këtë po vendosim fashë një plage që duhet të zgjidhet në këtë periudhë tranzitore”, tha Dimitrov.

Të fundit