21/05/2022
26.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, janë importuar mbi 400 mijë automjete të përdorura, ndalimi i paralajmëruar nuk është në rend të ditës (Infografik)

Ende nuk është marrë vendim për ndryshim të rregullores për importin e automjeteve të përdorura, me të cilën do të ndalohet importi i automjeteve me standarde të emetimeve nën EURO 5. Kjo është përgjigja që Meta.mk e ka marrë nga Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e RMV-së lidhur me pyetjen se kur do të zbatohet masa e paralajmëruar për ndalimin e importit të veturave, kamionëve dhe autobusëve të vjetër që ndikojnë negativisht në ndotjen e ajrit në vend, transmeton Portalb.mk.

“Kur pika të jetë në rend dite të seancës së Qeverisë dhe të sillet vendimi për të, opinioni do të njoftohet”, thonë shkurt nga Qeveria e RMV-së.

Institucionet kompetente nuk njoftojnë as për atë se nga cila datë do të duhej të fillonte të vlejë ndalimi i importit të automjeteve me standardin nën EURO 5. Ministria e Ekonomisë fillimisht kishte premtuar se gjatë vitit 2021 do të ndalohet importi i automjeteve më të vjetra se 10 vjet, që diku kah fundi i vitit të kaluar kjo masë të shtyhet për vitin 2022. Kanë kaluar pesë muaj edhe të vitit aktual, por vendim për këtë çështje nuk ka.

Vetura infografik

Vendimin përfundimtar për ndryshimin e nivelit të shkarkimeve të gazrave për veturat që importohen duhet ta miratojë Qeveria e RMV-së, ndërsa analizën e rregulloreve që dalin nga Ligji për automjete dhe përcaktimin e specifikimeve teknike e bën Ministria e Ekonomisë.

Të dhënat e Drejtorisë doganore të RMV-së, për vitin 2021, tregojnë se në vend janë importuar 37.832 automjete të përdorura. Importi vitin e kaluar importi është i tretë më i lartë, i automjeteve të përdorura, që është regjistruar nga viti 2009 e deri më sot. Më së shumti automjete në vit janë importuar në vitin 2010 – 54.522 dhe në vitin 2019 – 41.479.

Që nga ngritja e “rampës” në vitin 2009, në Maqedoni janë importuar mbi 400.000 automjete të përdorura. I gjithë ky transport ndikon në ndotjen e ajrit, mungesë të hapësirave për parkim, kaosin në trafik dhe nevojën për të investuar miliona euro për zgjerimin e rrugëve dhe bulevardeve nëpër qytete. Në anën tjetër, mosha e flotës së automjeteve në vend është në rënie ndër vite, për të arritur rekordin prej 19,4 vitesh në vitin 2020.

Nga Drejtoria doganore e RMV-së, informojnë se në vitin 2021 kanë ardhur 34.858 vetura të përdorura, si dhe 2.754 kamionë të përdorur dhe 220 autobusë të cilët më parë janë përdorur jashtë vendit.

Përndryshe, nga vendet e rajonit, ndalesë për import të automjeteve të përdorura me standard nën EURO 5 tashmë ka zbatuar Bosnja dhe Hercegovina që nga mesi i vitit 2019, ndërsa Shqipëria këtë ndalesë e ka vendosur më 1 janar të vitit 2019. Më pak strikte në importin e automjeteve të vjetra nga jashtë është Serbia, ku veturat dhe mjetet e tjera motorike mund të sillen edhe me standardin EURO 3.

Pikërisht në pranverë u publikuan rezultatet e Studimit për përcaktimin e proporcionit të ndotësve në Shkup, me ç’rast hulumtimi nga tetori i vitit 2020 deri në dhjetor 2021 tregon se megjithëse ngrohja me dru është burimi më i rëndësishëm i ndotjes së ajrit në dimër, trafiku dhe industria janë burime të ndotjes gjatë gjithë vitit. Në lokacionin më të ndotur në Shkup – stacionin matës në Lisiçe, matjet kanë treguar se trafiku është burimi i dytë më i rëndësishëm i ndotjes.

Rënie e lehtë e numrit të automjeteve të përdorura të importuara nga jashtë në Maqedoni, nëse e krahasojmë situatën me vitet paraprake, është vërejtur në tre muajt e parë të vitit 2022. Në tremujorin e parë të këtij viti nga jashtë janë sjellë 5558 “gjysmakë”, por kjo ulje vjen në kohën e rritjes jashtëzakonisht të madhe të çmimeve të derivateve të naftës, veçanërisht të dizelit, si dhe gjatë agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës. Nga flota e automjeteve të përdorura që janë importuar në tre muajt e parë të vitit, 4958 janë makina, 537 kamionë, ndërsa 63 autobusë.

Të fundit