29/03/2024
18.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, luftë e vërtetë kundër korrupsionit të lartë apo hi syve të BE-së dhe opinionit!

Përderisa vendi konsideron se ka bërë punë në luftën kundër korrupsionit, vlerësimet e institucioneve dhe organizatave që merren me luftimin e kësaj dukurie, tregojnë se Maqedonia e Veriut vitin 2021 e përmbylli pa rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkruan Portalb.mk..

Derisa Sekretariati për Çështje Evropiane i konsideron arritje në fushën e luftës kundër korrupsionit dënimin me burg të ish-dretorit të DSK-së, fillimin e zbatimit të Projektit rajonal për monitorimin e gjykimeve në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zbatuar nga Misioni i OSBE-së, miratimin e Strategjisë Kombëtare gjithëpërfshirëse për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2021-2025, sipas raportit të fundit të Transparency International, prani më të madhe të korrupsionit ka në gjyqësor, i cili me vendimet selektive, jo të drejta, zvarritjen e lëndëve gjyqësore, stimulon korrupsionin në sferat tjera

Në fushën e korrupsionit parashihej përcaktim të përgjegjësisë për përgjimet e paligjshme, duke përfshirë procedurat gjyqësore në kohë të lidhura me rastet e ish-PSP-së.

Çfarë thuhet se është bërë për luftimin e korrupsionit dhe çfarë vlerëson KE-ja
Si arritje përmendet aktgjykimi i 26 shkurtit 2021, në rastin Target-Fortesa, në të cilin të dyshuarit u dënuan gjithsej 55 vjet burg, si dhe që ish-drejtori i DSK-së u dënua me 12 vite burg. Më pas, në raport është shënuar 13 prilli i vitit 2021, gjithashtu si arritje u theksua aktgjykimi i shkallës së parë për “rastin “Thesari”, me të cilin të dyshuarit janë dënuar me burgim. Ish-drejtori i DSK-së u dënua 8 vite burg. Gjykata vendosi gjithashtu që të gjithë të akuzuarit ta kompensojnë dëmin në buxhetin e shtetit në vlerë prej 780 mijë euro”.

Duhet theksuar, që më vonë, Mijallkov u lirua nga paraburgimi. Përveç tij, Gjykata e Apelit liroi nga paraburgimi edhe biznesmenin Jordan Kamçev në lidhje me rastin “Parcelat në Vodno”, i cili ishte në paraburgim nga marsi i vitit 2021. Dënimin e tij KE-ja në raport e ka vlerësuar pozitivisht, por ky pozitivitet ishte përpara se Mijallkov të lirohej. Gjithashtu, siç u cek edhe më lartë, sipas raportit të Transparency International, prani më të madhe të korrupsionit ka në gjyqësor, i cili me vendimet selektive, jo të drejta, zvarritjen e lëndëve gjyqësore, stimulon korrupsionin në sferat tjera. Megjithatë, këto raste bien në kategorinë e rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit dhe vendimet e tilla janë përshëndetur nga Komisoni Evropian në raportin e vitit 2021.

Në pjesën e vazhdimit të hetimit dhe ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit të lartë, SÇE në raport përmend po ashtu se Qendrat hetimore në Prokurorinë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në Prokuroritë themelore publike në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë janë plotësisht funksionale, ku janë angazhuar 16 hetues në radhët e policisë gjyqësore, 13 hetues janë transferuar nga MPB dhe Dogana dhe janë punësuar 9 bashkëpunëtorë të prokurorëve publik dhe këshilltarë”.
Mungesa e kuadrit profesional vazhdimisht ka qenë kritikë e KE-së, me qëllim që lufta kundër korrupsionit të jetë sa më efektive, prandaj angazhimi i këtyre kuadrove, tregon se është një vendim i duhur, por përsëri vazhdon të mbetet si kritikë.

Miratimi i Strategjisë së re për forcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pronës 2021-2023. Formimi i Komisionit nacional për monitorimin e zbatimit të Strategjisë. Ky është një dokument strategjik shumë i rëndësishëm dhe bazë për zhvillimin e kapaciteteve institucionale për hetime financiare dhe konfiskimin e pasurisë që ka dalë nga veprat penale.
Për miratimin e kësaj strategjie nuk ka ndonjë vlerësim në raport, por vetëm është përmendur si e tillë. SÇE nuk jep asnjë shembull konkret se si ka filluar zbatimi i kësaj strategjie dhe a ka ndonjë rast të konfiskimit të pronës. Qeveria shumë herë kishte premtuar konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve dhe personaliteteve të tjera, që besohet të jetë arritur në mënyrë të paligjshme, por edhe në këtë drejtim nuk ka asnjë rezultat konkret.

Në drejtim të politikë kredibile kundër korrupsionit, duke përfshirë udhëzime për administratën shtetërore dhe kompanitë shtetërore për ndjekjen e rekomandimeve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit SÇE përmend:

Miratimi i Strategjisë Kombëtare gjithëpërfshirëse për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2021-2025, e cila përcakton prioritetet për parandalimin dhe shtypjen e korrupsionit në rreth 15 sektorë kyç.
Pas sjelljes së kësaj strategjie, tani KE-ja kërkon vazhdimi i përpjekjeve për luftimin e korrupsionit duke rritur mbështetjen për organet përkatëse përmes zbatimit të saj duke ofruar udhëzime të qarta politikash për institucionet shtetërore.


Përforcimi i kapaciteteve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit me hapësira të reja, 48,9 milionë denarë të dedikuara për blerjen e softuerit për Regjistrin e të zgjedhurve dhe të emëruarve, punësimin e 8 kuadrove të reja dhe avancimin në mënyrë shtesë të 7 të punësuarve.
KE-ja në këtë pikë e vlerëson faktin që Komisionit Shtetëror për Antikorrupsion iu ndanë hapësira të reja, por shton se përpjekjet për përmirësimin e funksionimit të tij duhet të vazhdojnë, veçanërisht duke ndarë fonde shtesë për punësimin e stafit ekspert.

Rritjen e buxhetit të KSHPK-së për vitin 2021 në krahasim me vitet paraprake dhe arriti në 60,9 milionë denarë (krahasuar me 37,7 milionë denarë në vitin 2020 dhe 35,6 milionë denarë në vitin 2019).
Pavarësia dhe rritja e buxhetit të KShPK-së dhe bashkëpunimi i saj me institucionet tjera janë kërkesa dhe nevoja të domosdoshme për luftën kundër korrupsionit dhe këtu duket se ka njëfarë progresi, që gjithsesi duhet të vazhdojë me të njëjtën apo edhe me tempo më të lartë se kaq.

Gjithashtu KE-ja kërkon përshpejtimin e zbatimit të qëndrueshëm të strategjisë së reformës në drejtësi.

Gjuha e Raporteve të KE-së është shumë diplomatike, megjithatë kritikat të evidentueshme, veçanërisht kur në këtë fushë raportet e disa viteve konsiderohen me “njëfarë progresi”.

Indeksi i korrupsionit, cili është perceptimi i qytetarëve
Maqedonia e Veriut vitin e kaluar ishte renditur më keq se kurrë ndonjëherë deri tani në Indeksin e korrupsionit të Transparency International, me rënie prej 5 vendesh, gjegjësisht në vendin e 111 në një grup me BeH, Panamanë dhe Mongolinë.

Perceptimet e korrupsionit publik janë përkeqësuar në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore dhe asaj Qendrore, sipas Indeksit më të fundit të Perceptimit Global të Korrupsionit botuar nga Transparency International.


Gjithashtu, sipas raportit për vlerësimin e korrupsionit të Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, në vitin 2021, korrupsioni është ngritur si problemi më i madh për qytetarët në Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga vitet e kaluara kur tri çështjet kryesore ishin papunësia, varfëria dhe të ardhurat e ulëta. Paqëndrueshmëria politike për herë të parë nuk është në listën e pesë problemeve me të cilat përballen qytetarët.

Siç thuhet në raport, një numër i vogël i qytetarëve (4%) rrëfejnë se do të jepnin ryshfet, ndërsa 17% do të jepnin ryshfet nëse kishin mundësi. Gjithsej 80% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besojnë se përhapja e korrupsionit diktohet nga dëshira për pasurim personal të pushtetarëve. Edhe pse rreth një e treta e qytetarëve (33.7%) ishin të ekspozuar ndaj presionit korruptiv, dhe 32.9% dhanë ryshfet, korrupsioni mbetet i pandëshkuar. Hulumtimi tregon se vetëm 0,015% e rasteve kanë përfunduar në dënime gjatë vitit 2021.
Gati tre të katërtat e qytetarëve besojnë se ka gjasa ose probabilitet të lartë për presion korrupsioni në të ardhmen.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë e Veriut vlerëson se korrupsioni është i pranishëm në shumë fusha dhe mbetet shqetësues, kurse vendi pretendon se ka arritur progres, duke numëruar disa raste si arritje në këtë fushë.

“Duhen përpjekje më të forta për ndryshime strukturore dhe shoqërore, të cilat do të jenë të qëndrueshme dhe nuk do të mund të kthehen prapa. Kjo kërkon angazhim të jashtëzakonshëm nga institucionet shtetërore në nivel qendror dhe vendor, si dhe institucione të forta që janë të gatshme të ndërmarrin hapa të guximshëm në të gjitha nivelet dhe të bashkëpunojnë çdo ditë. Kjo kërkon gjithashtu mbështetje nga biznesi dhe shoqatat profesionale, sektori civil, qytetarët dhe mediat”, ka deklaruar David Gere, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup.

Thënë me fjalë të tjera, Maqedonia e Veriut nuk ka besim në luftën e institucioneve ndaj korrupsionit, KE-ja kërkon më shumë punë, pasi progresi është shumë i ngadaltë dhe me rezultate të vogla, kurse vendi në vend se të marrë renditje më të mirë në Indekset e korrupsionit, shënon akoma rënie. Çfarë konsiderohet progres për vendin, nuk ndodh të jetë kështu për BE-në dhe as për institucionet dhe organizatat që merren me luftimin e kësaj dukurie, prandaj mund të thuhet që këto “arritje”, janë veç tentativë për hedhje hi syve të publikut dhe BE-së.

Të fundit