29/03/2024
9.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, me gjysmë milioni vaksina “Sinovak” do të përshpejtohet procesi i imunizimit

Me dy aeroplanë mbrëmë në aeroportin e Shkupit, mbërritën 500 mijë vaksinat që Qeveria i prokuroi nga prodhuesi kinez “Sinovak”. Kjo është dërgesa më e madhe e vaksinave të mbërritura në vend, kurse vaksinat do të shpërndahen në qytetet në të gjithë vendin, njofton Portalb.mk.

Sipas sekretares shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë Ivanka Stojanoski, e cila së bashku me ambasadorin kinez Zhang Zhuo pritën vaksinat, me këtë dërgesë do të vaksinohen një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, gjë që do të përshpejtojë procesin e arritjes së imunitetit kolektiv.

“Me procesin e deritanishëm të imunizimit dhe vaksinimit të një numri të madh të qytetarësh, tregojmë rezultate të shkëlqyera në zvogëlimin e numrit të të sapo infektuarve me kovid-19 dhe qytetarëve të hospitalizuar, gjë që dëshmohet nga fakti se të gjitha qendrat kovid në të gjithë vendin janë bosh dhe numri i vogël i pacientëve të hospitalizuar është në klinikën infektive”, tha sekretarja shtetërore për Shëndetësi Stojanoski.

Ambasadori kinez në vend Zhang Zhuo tha se vaksinat janë arma më e fuqishme për kapërcimin e epidemisë dhe theksoi se vaksina “Sinovak” është miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në Kinë, tha ai, janë përdorur më shumë se 1.1 miliardë doza dhe po vaksinohen persona midis moshës 3 dhe 100 vjeç.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe falënderoi për dërgimin e vaksinave dhe njoftoi se këtë javë procesi i vaksinimit do të përshpejtohet ndjeshëm në të gjithë territorin e shtetit.

“Faleminderime ambasadorit kinez Zhang Zhuo dhe Kinës miqësore, me ndihmën e së cilës ne arritëm t’i sigurojmë këto vaksina”, shkroi Filipçe në një status në Facebook.

Lidhur me efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës “Sinovak”, Filipçe tha se ajo është shumë e efektshme për parandalimin e sëmundjeve të rënda.

“Ja edhe karakteristikat zyrtare të vaksinës Sinovak të botuara nga OBSH – Virusi i paaktivizuar SARS-Kov2, nevojiten dy doza, doza e dytë 14-28 ditë pas dozës së parë, shumë efektive për parandalimin e sëmundjes së rëndë, jepet muskulin e shpatullës, rekomandohet për përdorim te gratë shtatzëna kur përfitimet e vaksinimit për gruan shtatzënë tejkalojnë rreziqet e mundshme. Rekomanduar për përdorim te gratë që ushqejnë gjidhënëse, si dhe të rriturit e tjerë”, shkroi dje Filipçe në Facebook.

Stabilizimi i situatës nga kovidi në vendin tonë vazhdon. Asnjë vdekje nuk është raportuar gjatë 24 orëve të mëparshme. Nga 2.514 teste të kryera, u raportuan katër raste të reja të të infektuarve me koronavirus dhe u regjistruan 11 pacientë të shëruar.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me kovid në vend që nga fillimi i epidemisë është 155.673, 149.961 pacientë janë shëruar dhe 5484 kanë vdekur. Deri më tani, janë kryer gjithsej 872.894 teste për kovid-19.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve aktive është 228.

Raste më aktive ka në Shkup- 88, Kumanovë – 24, Tetovë – 22, Prilep – 18, Ohër – 17, Kërçovë – 16. Në 15 qytete nuk ka asnjë rast aktiv me Kovid-19.

Ndërkohë në nivel botëror deri tani janë infektuar 181 milion persona, 3.9 milion kanë vdekur dhe 166 milion janë shëruar.

Të fundit