Ka rritje të lehtë prej 2.1 për qind të numrit të të testuarve për kovid-19 në vend, si dhe rritje prej 0.9 për qind të personave të sapoinfektuar me kovid-19 krahasuar javën paraprake, tregon raporti i Institutit për Shëndet Publik për periudhën prej 14 deri më 20 mars të këtij viti. Janë regjistruar 1.834 raste të reja pozitive nga 32 qytete të vendit. Përqindja e pozitivitetit është 11.4%. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, ndërsa incidenca më e lartë javore është regjistruar në Kavadar dhe Shkup, transmeton Portalb.mk.
Janë regjistruar persona të infektuar në të gjitha grupmoshat. Grupmosha më e zakonshme është mbi 60 vjeç. Numri më i ulët është regjistruar tek fëmijët deri në 9 vjeç. Krahasuar me javën e kaluar, ka një rritje të numrit të pacientëve deri në 49 vjeç, me rritjen më të dukshme prej 19,5% në grupmoshat 40-49 vjeç dhe 14,5% nga 20-29 vjeç. Në grupmoshat mbi 50 vjeç, është vërejtur një rënie krahasuar me javën e kaluar, 12,3% më pak te moshat 50-59 vjeç dhe 10,7% te personat mbi 60 vjeç.
Edhe javën e kaluar, vazhdon të bjerë numri i pacientëve në spital. Sipas raporteve spitalore, aktualisht të hospitalizuar janë 109 persona (33,9% më pak krahasuar me javën e kaluar), nga të cilët 49 janë me mbështetje oksigjeni (50% më pak) kurse tre me ventilim mekanik invaziv/joinvaziv (40% më pak).
Gjatë javës së kaluar, statusin “të shëruar” e kanë marrë 1.772 persona në spital apo për trajtim shtëpiak. Kishte 309 riinfeksione, me rritje prej 15.7% krahasuar me javën e kaluar. Janë raportuar 15 të vdekur në 9 qytete ose më shumë se gjysma më pak se javën e kaluar.
Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani ka 303.418 raste pozitive me kovid-19. Numri më i madh janë nga Shkup, Kumanovë, Manastir, Prilep, Tetovë dhe Kavadar, ndërsa sëmundshmëria më e lartë është regjistruar në Kavadar dhe Shkup. Vdekshmëria më e lartë është regjistruar në Ohër, Prilep dhe Kavadar.
Është regjistruar ulje e incidencës në dy javët e fundit në 33 qytete, me rënie më të madhe në Makedonska Kamenica dhe Makedonski Brod. Rritje vërehet në Ohër dhe Vinicë, ndërsa në Kratovë gjendja mbetet e pandryshuar.