Thirrje për protestë të re sot në orën 18:00 para Qeverisë së Maqedonisë për skandalin “Onkologjia”, dërgoi platforma Përgjegjësi, e cila ka marrë përsipër gjithë organizimin e protestave që nga protesta e fundit, transmeton Portalb.mk.
“Prej javës së kaluar kemi marrë mbështetje edhe nga pacientët onkologjikë që prej disa kohësh protestojnë para PThP-së. Deri më 1 nëntor mbetemi me protesta çdo të hënë në orën 18.00 para Qeverisë së Maqedonisë, e pas 1 nëntorit, në konsultim me pacientët onkologjikë, do të dalim me deklaratë se si do të vazhdojmë me protestat. Sot, 9 tetor 2023, ne organizatorët nuk do t’i drejtohemi protestës, sepse po përgatitemi për protestën e radhës më 16 tetor 2023, ku do të trajtojmë informacionet dhe gjetjet e fundit nga Klinika e Onkologjisë. Javën e kaluar kemi kontaktuar edhe me personel mjekësor dhe jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me gazetarët investigativë që kanë nisur këtë histori dhe jemi të tmerruar nga gjetjet e fundit. Më 16 tetor 2023, ne do t’jua zbulojmë disa prej tyre juve, mediave dhe publikut. Më në fund, mbetemi në 6 Ultimatumet si më parë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, në protestat paraprake qytetarët e mbledhur në pankartat e shumta shkruanin: “Vrisni për përfitim”. “Drejtësi për viktimat”, “Zgjidhja e kripur për të sëmurët, amnisti për kriminelët”, “Shpirti i tyre po ju ndjek”…
Kujtojmë se, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.
Ky rast nxiti reagime të shumta.
Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.