21/05/2022
14.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Rreth 200 mijë persona në Maqedoni janë të prekur nga sëmundjet e veshkave

Çdo i dhjeti person në Maqedoni ose rreth 200.000 persona janë të prekur nga ndonjë formë e sëmundjes së veshkave, thonë nga Shoqata “Nefron”. 1600 prej tyre tashmë janë stadiumin e pestë të sëmundjes që i detyron t’i nënshtrohen dializës dhe atë në 23 qendra dialize. Për të prekurit nga kjo sëmundje prioritet mbetet rritja e numrit të transplantimeve.

“Vitin e kaluar kishim 16 transplantime kadaver dhe 14 nga dhurues i njohur, familjar. Kemi gjithsej 30 transplantime në kushte pandemie. Tash kemi aparaturë moderne, kushte të mira për dializë, duhet të punohet për miratimin e barnave të reja gjenerike për pacientët në dializë dhe të transplantuarit. Në këtë segment problemet janë ulur dukshëm por sërish mbetet prioritet rritja e numrit të transplantimeve”, tha Dushko Gjorgjiev, kryetar i “NEFRON”.

Drejtuesja e Klinikës së Nefrologjisë, Irena Bushletiç tha se për sëmundjet e veshkave nuk bëhet fushatë e mjaftueshme. Serioziteti i kësaj sëmundje sipas saj u dëshmua gjatë pandemisë.

“Sëmundja e veshkave renditet si një nga sëmundjet shoqëruese për pasqyrën e rëndë klinike të pacientëve me Covid-19 dhe për fat të keq dhe parashikues për rritjen e vdekshmërisë. Apeloj që të mendojmë për shfaqje dhe aktivitete të përbashkëta gjatë vitit të ardhshëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuojmë në instancat kompetente që organizojnë kontrolle parandaluese dhe fushata kombëtare”, u shpreh Irena Bushletiç, drejtoreshë e Klinikës së Nefrologjisë.

Nga Klinika e Nefrologjisë rekomandojnë kontrolle të vazhdueshme të veshkave, nëse jo më shumë të paktën një herë në gjashtë muaj. Sipas shoqatës “Nefron”, sëmundjet e veshkave tashmë kanë prekur mbi 850 milionë njerëz në mbarë botën.

Të fundit