19/04/2024
4.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Rreth 600 pjesëtarë të njësive speciale të policisë së sërbis kanë qenë të angazhuar për ta kapur 21-vjeçarin të dyshuarin për vrasjen e 8 personave që ndodhi vetëm një ditë pasi një 14-vjeçar vrau tetë nxënës

I dyshuari për vrasjen e 8 personave dhe plagosjen e 13 të tjerëve në afërsi të Mlladenovcit në Serbi është arrestuar.

Siç raporton RTS ai është arrestuar në afërsi të Kragujevcit.

Sipas raportimeve sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

21-vjeçari dyshohet se ka vrarë policin dhe më pas ka vazhduar të qëllojë nga vetura në lëvizje me pushkë automatike edhe në fshatra të tjera.

Rreth 600 pjesëtarë të njësive speciale të policisë kanë qenë të angazhuar në operacionin për kërkimin e tij.

Ky sulm ka ndodhur vetëm një ditë pasi një 14-vjeçar vrau tetë nxënës dhe rojën në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd.

08:04
Sulm masiv në disa fshatra të Serbisë, tetë të vrarë
Së paku tetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, njofton Radio Televizioni i Serbisë (RTS).

RTS raporton se të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin dhe se kërkimet për sulmuesin janë duke vazhduar.

Sipas disa mediave lokale, sulmuesi, 21 vjeç, qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal.

Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf.

Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren.

Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në reagimin e saj në Twitter se “është tronditur nga të shtënat e tjera masive në Serbi”.

“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe autoritetet në Serbi”, tha ajo.

Serbia, aktualisht, është në ditë zie për viktimat e sulmit në shkollë.

Qeveria serbe tha të enjten se ka marrë vendim që të bëjë një rishikim të gjerë të lejeve ekzistuese për armët private.

Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në vend është ndër më të lartit në Evropë. / REL

Të fundit